Një javë pas prishjes së armëpushimit dhe pas një nate tjetër sulmesh të ndërsjella, Irani e ka shpallur përfundimisht të pavlefshme marrëveshjen e arritur me Shtetet e Bashkuara në Islamabad dhe po kërcënon me një ofensivë në shkallë të gjerë në përgjigje të bastisjeve amerikane në ura, termocentrale dhe infrastrukturë tjetër.
Shtetet e Bashkuara intensifikuan sulmet kundër Iranit të dielën pas vrasjes së dy ushtarëve amerikanë të premten në Jordani dhe zhdukjen e një tjetri pas një sulmi iranian.
Forcat izraelite thanë se gjatë ditës së sotme sistemet e mbrojtjes ajrore amerikane shkatërruan raketat balistike të lëshuara nga Irani kundër qytetit jordanez të Akabës. Ndërsa interceptorët izraelitë "Kupola e Hekurt" u vendosën për të neutralizuar fragmente që potencialisht do të drejtoheshin për në qytetin e afërt të Eilatit. Shpërthime të forta u dëgjuan në zonën izraelite me pamje nga Deti i Kuq, megjithatë nuk u raportuan viktima ose dëme.
Teherani raporton se SHBA-të kanë sulmuar termocentralin bërthamor Darkhov. Sipas Organizatës së Energjisë Atomike iraniane disa predha goditën vendin e centralit, i cili është ende në ndërtim e sipër, në provincën Khuzestan.
Në një deklaratë që i atribuohet udhëheqësit suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, të dielën, akuzoi SHBA-në për shkelje të përsëritura të memorandumit të mirëkuptimit.
Nga ana tjetër ministri i jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi se Teherani është gati për kufizime të përkohshme në pasurimin e uraniumit. Por theksoi se Irani nuk do të bjerë dakord ta braktisë plotësisht pasurimin e uraniumit. "Ne jemi të gatshëm të ndërmarrim masa për ndërtimin e besimit, por nuk do të heqim dorë nga të drejtat tona", deklaroi ministri.
Nga Uashingtoni presidenti amerikan Donald Trump u ka bërë thirrje republikanëve të përfshijnë Iranin në paketën e saknsioneve ndaj Rusisë në projektligjin që po shqyrtohet aktualisht në Kongres. Mesazhi vjen mes debatit të vazhdueshëm mbi miratimin e një pakete të re të mundshme sanksionesh kundër Rusisë, veçanërisht në përgjigje të konfliktit të zgjatur me Ukrainën, dhe në një kohë kur Shtëpia e Bardhë synon të intensifikojë më tej presionin mbi Teheranin.

Organizata e Energjisë Atomike e Iranit njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë sulmuar këtë të shtunë (19 korrik) centralin bërthamor të Darkhovinit, i cili ndodhet në ndërtim e sipër në jugperëndim të vendit.
Sipas një deklarate të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian, forcat amerikane goditën objektin bërthamor me një numër raketash, në atë që autoritetet iraniane e cilësuan si një “akt agresiv dhe terrorist”, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
“Forcat amerikane, në një akt agresiv dhe mizor në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, sulmuan sot centralin bërthamor Darkhovin, i cili është në ndërtim e sipër, me një numër të caktuar raketash”, thuhet në deklaratën e Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit.
Komente








