Teherani nis ceremoninë për Nasrallah, i pranishëm edhe Khamenei! Burimet: U varros përkohësisht nga frika! Dhjetëra bastisje izraelite në Bejrut, Italia riatdheson 178 shtetas!

Agjencia lajmeve libaneze ANI raportoi se "më shumë se dhjetë sulme të njëpasnjëshme" ndodhën gjatë orëve të natës.

Raportohet se kjo ishte një "një nga bastisjet më të dhunshme kundër periferive jugore të Bejrutit që nga fillimi i luftës izraelite kundër Libanit".

Shpërthimet ishin tepër të fuqishme duke 'shkundur' të gjitha ndërtesat në zonë. Sipas agjencisë së lajmeve ANI, bombardimet rezonuan gjithashtu në rajonet malore jashtë Bejrutit.

"Gjatë natës, toka u drodh nën këmbët tona. Qielli u ndriçua për shkak të forcës së shpërthimeve, tha për AFP-në Mohammed Sheaito, një shofer taksie 31-vjeçar në periferitë jugore të Bejrutit.

Ndërkohë sulmet izraelite shkaktuan shpërthime të mëdha edhe jashtë aeroportit ndërkombëtar të Bejrutit. Aeroporti kufizohet me Dahieh - bastion i Hezbollahut në kryeqytet. 

Duke cituar zyrtarët izraelitë në kushte anonimiteti, "New York Times" thotë se bombardimet e fundit kishin në shënjestër Safi Al-Din, pasardhësin e mundshëm të Nasrallah në krye të Hezbollahut. Por megjithatë nuk është ende e qartë nëse pasardhësi i mundshëm i Nasrallah ishte shënjestra e radhës në sulmin izraelit.

Në krahun tjetër, shumë shtete perëndimore po largojnë shtetasit e tyre nga Libani me avionë çarter, e që janë me misione të ndryshme humanitare apo që jetojnë dhe punojnë aty prej vitesh.

Italia njoftoi se ktheu mëngjesin e sotëm (4 Tetor) 178 shtetas italianë, shumë prej tyre edhe me dy shtetësi, teksa zbarkuan në aeroportin e Fiumicino në Romë dhe u pritën nga familjarët.

Në Teheran ka nisur edhe ceremonia përkujtimore për Hassan nasrallah, liderin e Hezbollahut, të vrarë më 27 Shtator nga Izraeli në Liban pas bombardimeve, teksa merr pjesë edhe vetë lideri suprem Ayatollaj Ali Khamenei.

Burimet i thanë mediave se Nasrallah u 'varros përkohësisht' nga frika e një sulmi izraelit nëse mësonin vendin e varrimit dhe kohën, shkruan "La Repubblica".

lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:49
Nis në Teheran ceremonia për Nasrallah, i pranishëm dhe Ali Khamenei! Burimet: Lideri i Hezbollahut u ‘varros përkohësisht’, shkak frika nga sulmi i Izraelit

Hassan Nasrallah, i vrarë nga Izraeli dhe ceremonia përkujtimore në Teheran

Iran- Ndërsa në Teheran po mbahet procesioni në kujtim të ish-liderit të Hezbollahut, të vrarë nga bombardimet izraelite më 27 Shtator, Hassan Nasrallah, burimet nga terreni i thanë mediave se ai u varros "përkohësisht" në një vend të pazbuluar.

Ky hap u ndërmorr nga frika se funerali i tij mund të ishte në shënjestër të Izraelit tha një burim i afërt me ushtrinë, për AFP sot (4 Tetor).

“Sayyed Hassan Nasrallah u varros në një vend të përkohshëm, duke pritur që rrethanat të lejojnë një funeral popullor”, tha burimi, i cili kërkoi anonimitetin.

Në krahun tjetër, përkujtimorja po vazhdon në Iran, teksa edhe udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, mbërriti në xhaminë Imam Khomeini Grand Mosalla, në qendër të Teheranit, për ceremoninë përkujtimore të liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.

Kjo ceremoni do të pasohet nga një predikim nga vetë Lideri Suprem. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia gjysmë zyrtare iraniane “Mehr”.

Ora 09:28
Izraeli thirrje civilëve: Largohuni nga Libani jugor

Foto: Ndërtesa të shkatërruara në Bejrut

Ushtria izraelite (IDF) paralajmëroi sërish sot banorët e më shumë se 36 qyteteve dhe fshatrave të Libanit jugor që të largohen menjëherë nga shtëpitë e tyre dhe të zhvendosen në veri ndërsa Izraeli vazhdon fushatën tokësore kundër Hezbollahut.

Zëdhënësi arab i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), nënkoloneli Avichay Adraee me anë të një postimi në rrjetet sociale, u bën thirrje civivilëve që të zhvendosen në veri të lumit Awali për të "shpëtuar jetët" e tyre.

"Aktivitetet e Hezbollahut e detyrojnë IDF-në të veprojë kundër tij me forcë," shkruan ai, duke shtuar se IDF-ja do t'i njoftonte kur të ishte e sigurt të ktheheshin në shtëpi.

Ora 08:52
Lufta Izrael-Hezbollah/ Frikë, emocione dhe trishtim për ata që lanë pas, kthehen në Romë me çarter 178 italianë të riatdhesuar nga Bejruti

Italianë të përlotur pas kthimit nga Bejruti me çarter

Fytyra të lodhura, të tërhequra. Në rrëfime, frika e përjetuar ditët e fundit, shpërthimet e dëgjuara, por edhe lehtësimi i të qenit tashmë i sigurt në Itali.

E panjohura se kur do të mund të kthehen në vendin ku jetojnë dhe ku kanë lënë familjen, kolegët dhe miqtë. Kjo është situata në aeroportin e Fiumicino, mes disa prej 178 bashkatdhetarëve, shumë prej të cilëve me pasaporta të dyfishta italiane dhe libaneze, të cilët mbërritën me fluturimin çarter nga Bejruti, të organizuar me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u ulën në orën 01:15 (4 Tetor).

Në aeroport bie në sy përqafimi, mes emocionit dhe gëzimit, me familjarët që erdhën për t'i pritur. "Situata po përkeqësohet dhe ne jemi të shqetësuar për njerëzit që njohim që kanë mbetur në Liban - kjo është dëshmia e një punëtori të ri nga një OJQ italiane, shkruan “La Repubblica”.

“U ktheva me dy kolegë. Shpresoj që situata të përmirësohet së shpejti. Por nuk mendoj se do të ndodhë, shpresoj se mund ta ndalojmë gjithë këtë dhe mund të kthehemi atje së shpejti. Ne vendosëm dje të vinim në Itali, pasi ambasada na kontaktoi duke na thënë se ishte në dispozicion kjo kartë”, shprehet një libanez me shtetësi italiane, i cili mbërriti me gruan e tij.

“Situata është shumë e komplikuar në Liban dhe në këtë pikë ne vlerësuam se ishte më mirë të isha i sigurt në Itali dhe pastaj të shihje se çfarë të bëje, në varësi të situatës. Ambasadori italian në Bejrut ka bërë një punë të mrekullueshme”, vijon ai.

Dhe përsëri fjalët e një bashkatdhetari tjetër:

"Pas përshkallëzimit të ditëve të fundit vendosëm të ktheheshim në Itali: bombardimet, pas krahinave jugore, arritën në Bejrut. Kishim frikë. Shpërthimet u dëgjuan në të gjithë qytetin, edhe pse ishim në lagje përgjithësisht të sigurta. Gjëja më e trishtueshme ishte të linim pas, në Liban, të tjerë jo aq me fat si ne, kolegë, miq libanezë, dhe të hipnim në këtë fluturim. Ne kemi lënë pas shumë trishtim për një vend në kolaps, nën bomba”.

Xh.K/A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bim: 04/10/2024 08:23

    Vorri i juaj ka me qen Libani o nazista

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Institucionet e drejtësisë refuzojnë komisionin ‘Antikorrupsion’, Prokuroria e Përgjithshme për Report Tv: S'marrim pjesë, japim opinion nëse na kërkohet

Institucionet e drejtësisë refuzojnë komisionin ‘Antikorrupsion’, Prokuroria e Përgjithshme për Report Tv: S'marrim pjesë, japim opinion nëse na kërkohet