Lufta në Ukrainë/ Kievi: Kontrollojmë gati 1 mijë km katror të rajonit rus Kursk! Zelensky: Rusia e detyruar të bëjë paqe! SHBA paralajmëron Iranin

Për herë të parë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmon se forcat e ushtrisë ukrainase po luftojnë brenda në rajonin rus, Kursk. Përmes një postimi në telegram presidenti lavdëroi ushtarët dhe komandantët për vendosmërinë dhe aksionin e tyre vendimtar'.

Zelensky nuk dha detaje të tjera rreth inkursionit ushtarak, por tha se Ukraina do të ofrojë ndihmë humanitare në rajon, duke thënë se zyrtarët e qeverisë janë të udhëzuar të përgatisin një plan humanitar për territorin. Nga ana tjetër komandanti i ushtrisë ukrainase tha se  tashmë ata kontrollojnë 1 mijë kilometra katrorë në rajonin e Kursk.

“Rusia duhet të jetë e detyruar të bëjë paqe - tha Zelensky duke shtuar - Rusia u solli luftë të tjerëve, tani lufta është në shtëpinë e saj - këmbënguli ai në deklaratën e publikuar nga presidenca e Kievit - Ukraina ka dashur gjithmonë vetëm paqen dhe ne sigurisht  e garantojmë ".

Ndërkohë në Kremlin presidenti rus Vladimir Putin gjatë një takim për situatën në rajonin perëndimor rus dhe tha se inkursioni i ushtrisë ukrainase ka detyruar mbi 100.000 civilë të evakuohen dhe ka turpëruar Kremlinin.

Ai e quajti përpjekje e Kievit për të ndalur ofensivën ruse në rajonin lindor ukrainas të Donbasit, dhe për t’i dhënë avantazh në bisedimet e mundshme të paqes në të ardhmen.

Por Putin përjashton çdo mundësi që Rusia të ketë negociata paqeje me Ukrainën në situatën aktuale. "Për çfarë mund të flasim me njerëzit që synojnë pa dallim civilët dhe përpiqen të kërcënojnë termocentralet bërthamore," tha Putin, cituar nga Tass.Guvernatori i rajonit perëndimor rus, Kursk, Alexei Smirnov deklaroi në takim me Putin se Ukraina tashmë kontrollon 28 fshatra në rajon. “Situata mbetet e vështirë”. Po ashtu ai akuzoi forcat ukrainase se kanë përdorur armë kimike në ofensivën e tyre.

Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Iranin për pasoja nëse do të armatosë Rusinë.  

"Ne jemi të gatshëm të japim një përgjigje të shpejtë dhe të ashpër nëse Irani vazhdon me transferimin e raketave balistike, që sipas paralajmërimit tonë do të përfaqësonte një përshkallëzim dramatik në luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës," u tha gazetarëve zëdhënësin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Vedant Patel.

Nga ana tjetër Ukraina dhe Rusia fajësojnë njëra-tjetrën për zjarrin që shpërtheu në centralin gjigand bërthamor të Zaporizhzhias të dielën e 11 gushtit. Presidenti Volodymyr Zelensky tha se forcat ruse kishin shkaktuar zjarrin në centralin e pushtuar nga forcat e Moskës për më shumë se dy vite. Por guvernatori i instaluar nga Rusia në Zaporizhzhia pretendon se janë bombardimet ukrainase që kanë shkaktuar zjarrin. 

Sipas raportimeve flakët përfshinë kullat e ftohjes së centralit. Agjencia Ndërkombëtare për energjinë bërthamore tha se kishte evidentuar kolona të mëdha tymi të dilnin nga kompleksi, por se deri më tani nuk kishte raportim për ndikimin në sigurinë bërthamore.

Kjo është dita e shtatë kur trupat ukrainase dhe mjete të blinduara depërtuan në brendësi të territorit rus duke e gjetur Rusinë të papërgatitur.

Përgjatë dy vite e gjysmë luftimesh, Rusia është përballur edhe më parë me sulme të befasishme brenda territorit, por sulmi i shpejtë dhe i befasishëm në rajonin e Kurskut shënon sulmin më të madh në tokën ruse që nga Lufta e Dytë Botërore, duke vënë në vështirësi Presidentin Vladimir Putin dhe duke shënuar një hap të rëndësishëm në luftime.

Po ashtu, është hera e parë që sulmi i befasishëm udhëhiqet nga ushtria ukrainase dhe jo nga luftëtarët pro-ukrainas rusë.

Autoritetet lokale në rajonin rus Kursk kanë vendosur të zgjerojnë zonën e evakuimit të civilëve përballë avancimit të forcave ukrainase. Guvernatori, Alexei Smirnov, ka njoftuar se edhe banorët e Belovsky do të duhet të largohen nga shtëpitë e tyre. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:43
Lufta/ Kreu i ushtrisë ukrainase: Kontrollojmë 1 mijë km katrorë në rajonin e Kursk! Do të vijojmë ofensivën

Trupat ukrainase kontrollojnë një sipërfaqe prej rreth një mijë kilometrash katrorë në rajonin rus Kursk. Kështu deklaroi komandanti i forcave të armatosura të Kievit, Oleksandr Syrskyi.

Ne vazhdojmë ofensivën tonë në territorin e rajonit të Kurskut - tha kreu i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Oleksandr Syrsky, raportohet nga Interfax Ukraine.

“ Aktualisht rreth një mijë kilometra katrorë të territorit rus janë nën kontrollin tonë" ka thënë ai,

Ndërkohë vijojnë luftimet në Donbass mes forcave ruse që përpiqen të thyejnë mbrojtjen ukrainase në Toretsk dhe Pokrovsk. Kievi thotë se janë kryer 25 sulme nga Moska por të gjitha u zmbrapsën.

Ora 19:25
SHBA: Thellësisht të shqetësuar për ndihmën që Irani mund t'i japë Moskës

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga raportet se Irani po planifikon të dërgojë qindra raketa balistike në Rusi”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.

Ai theksoi se një veprim i tillë do të çonte në një përshkallëzim dramatik. Ndërkohë sipas dy burimeve të inteligjencës evropiane dhjetëra ushtarakë rusë po trajnohen në Iran për të përdorur sistemin e raketave balistike me rreze të shkurtër Fath-360, raporton Reuters.

Ata shtuan gjithashtu se presin dërgimin e afërt të qindra armëve të drejtuara me satelit në Rusi për luftën e saj në Ukrainë.

Ora 17:32
Britania e Madhe: Bastisja në Kursk nuk e ndryshon mbështetjen tonë për Ukrainën

Foto: Keir Starmer

Operacioni ukrainas në rajonin Kursk të Rusisë 'nuk e ndryshon' mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kievin. Konfirmimi vjen nga zyra e kryeministrit Keir Starmer.

"Qëndrimi ynë është se ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa është e nevojshme dhe jemi të vendosur në angazhimin tonë për të ofruar ndihmë ushtarake", thuhet në deklaratë.

Gjithashtu sepse, "sipas nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Ukraina ka të drejtë të mbrohet", shpjegoi një zëdhënës i kryeministrit. Deklarata vjen pothuajse një javë pas inkursionit ukrainas në rajonin rus Kursk: ushtarët e Kievit përparuan rreth 30 kilometra në territorin rus, duke shtyrë mbi 70 mijë njerëz të largohen nga rajoni.

I pyetur nëse në operacione janë përdorur armë britanike, zëdhënësi i kryeministrit preferoi të mos hyjë në detaje: “Nuk do të komentojmë për operacione individuale, u takon ukrainasve të flasin për to”.

Keir Starmer ka theksuar disa herë se qeveria e tij do të vazhdojë punën e paraardhësit të tij, Rishi Sunak, si në planin politik ashtu edhe në atë ushtarak. Muajin e kaluar, Downing Street njoftoi ndihmën ushtarake prej 3 miliardë paund në vit, rreth 3.5 miliardë euro, të paktën deri në vitin 2030/2031 dhe për sa kohë të jetë e nevojshme.

Ora 15:29
Ofensiva ukrainase në tokën ruse/ Guvernatori: 121 mijë banorë u evakuan nga rajoni Kursk

Janë 121 mijë civilë që u detyruan të largoheshin nga zonat e luftimit në rajonin rus Kursk pas avancimit të trupave ukrainase. Lajmin e bëri të ditur guvernatori Alexei Smirnov gjatë një video konference me presidentin rus Vladimir Putin.

Guvernatori, cituar agjencia e lajmeve Ria Novosti, shtoi se të paktën 12 civilë u vranë dhe 121 të tjerë u plagosën, duke përfshirë edhe 10 fëmijë.

Po ashtu Smirnov, akuzoi forcat ukrainase për përdorimin e armëve kimike në avancimin e tyre. Sipas tij disa "oficerë policie dhe kreu i një komuniteti rural u helmuan" kur u goditën sot në rrethin Belovo nga zjarri i artilerisë ukrainase, i cili përdori "armë kimike".

Ora 15:05
Lufta/ Putin: Ukraina do marrë përgjigje të merituar për sulmin në rajonin Kursk

1722171931_vladimirputin.PNG

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin

President i Rusisë, Vladimir Putin thirri mbledhje në Kremlin për të diskutuar situatën në rajonin perëdimor Kursk.
Në ditën e shtatë të invazionit të forcave ushtarake ukrainase në territorin rus, qëllimi kryesor për momentin i Ministrisë së Mbrojtjes është të largojë forcat ushtarake ukrainase nga territori i Rusisë, raportoi kanali mediatik Ria Novosti.

Sulmi i trupave ukrainase në rajonin e Kursk ‘tregojnë pse regjimi i Kievit ka refuzuar ofertën për paqe nga Moska dhe ndërmjetësuesit’- ka thënë presidenti Vladimir Putin. ‘Kievi na sulmon që të ketë një përparësi në nëgociata- duke u ndihmuar edhe nga Perëndimi’ 
Përpjekjet e Kievit për të destabilizuar territoret kufitare ruse së shpejti mund të shtrihen në rajonin Bryansk.  

Kjo situatë do të zgjasë dhe për këtë arsye “ne duhet të përgatitemi për skenarë të ndryshëm", shtoi Putin, cituar nga agjencia e lajmeve Ria Novosti. 
" Në këto kushte nuk ka asnjë mundësi negocimi. Për çfarë mund të flasim me njerëz që sulmojnë civilët dhe centrale bërthamorë", ka shtuar  gjithashtu presidenti Putin.

Ora 14:40
Lufta/ Moska thotë se ukrainasit humbën 260 ushtarë në 24 orë në Kursk

Ministria e Mbrojtjes e Moskës tha se forcat ukrainase që hynë në rajonin Kursk të Rusisë humbën 260 ushtarë në 24 orët e fundit, si dhe 31 automjete të blinduara, duke përfshirë tre tanke. Ministria shton se shtatë sulme nga brigadat e 80-të dhe të 82-të të sulmit ajror të Forcave të Armatosura të Ukrainës u zmbrapsën në rajonet e vendbanimeve Martynovka, Borki dhe Korenevo.

Për më tepër, në rajonin Kauchuk, u ndaluan përpjekjet për të depërtuar me automjete të blinduara thellë në territorin rus. Aviacioni dhe artileria ruse goditën gjithashtu personelin dhe pajisjet e brigadave të mekanizuara 22, 61, 115 në nëntë zona ku po zhvillohen luftimet. Forcat ajrore dhe raketore, përfundon deklarata e Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, bombarduan gjithashtu rezervat e forcave të armatosura ukrainase në zonat e Miropol, Mogritsa dhe Drobnovshchyna në rajonin Sumy.

Ora 12:40
Ukrainë/ Arrestohet zv/ministri i Energjisë, akuzohet për 500 mijë dollarë rryshfet

Kiev- Zëvendësministri ukrainas i Energjisë është arrestuar pasi akuzohet për ryshfet prej gjysmë milioni dollarësh. 

Lajmi është bërë i ditur nga ‘Ukrainska Pravda’ e cila citon Shërbimet e sigurisë ukrainase (SBU). 

Në njoftimin e SBU-së thuhet se Oleksandre Kheilo kërkoi ryshfet nga menaxherët e kompanive minerare në Ukrainën perëndimore. 

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm tha se në këmbim 500 mijë dollarëve, zëvendësministri u kishte premtuar krerëve të ndërmarrjeve shtetërore  të qymyrit Lviv-Volyn (Perëndim) transferimin e papenguar të pajisjeve të minierave nga minierat e rajonit të Donetsk (Lindje),

Kheilo dhe tre bashkëpunëtorët e tij të dyshuar u kapën në flagrancë dhe rrezikojnë nga 12 vjet burg me konfiskimin e aseteve të tyre", thuhet në njoftimin për shtyp të SBU. 

Edhe qeveria ukrainase konfirmoi se ishte arrestuar zv/ministri I Energjisë  por pa komentuar akuzat. Që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022, disa skandale korrupsioni kanë shpërthyer në Ukrainë, duke çuar në shkarkimin dhe arrestimin e zyrtarëve të lartë. 

Në fillim të majit, Ministri ukrainas i Bujqësisë Mykola Solsky dha dorëheqjen dhe u burgos pasi u akuzua për përvetësim të tokës në pronësi të shtetit. 
Presidenti Volodymyr Zelensky e ka bërë prioritet luftën kundër korrupsionit, një nga kushtet kryesore të vendosura nga Brukseli ndaj Kievit si pjesë e kërkesës së tij për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian.

S.G/G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Putin dhe ëndrra për Ukrainën si një shtet kukull i Moskës! Plani i tij për të pranuar armëpushimin

Putin dhe ëndrra për Ukrainën si një shtet kukull i Moskës! Plani i tij për të pranuar armëpushimin