Kievi 7 ditë luftë në token ruse, Putin thërret takim në Kremlin: Ukraina do avantazh në negociatat e ardhshme! Guvernatori: Kontrollon 28 fshatra në Kursk

Inkursioni i Ukrainës në tokën ruse ka hyrë sot në ditën e shtatë dhe duket se e ka zënë Moskën në befasi.

Presidenti rus Vladimir Putin thotë se Ukraina po sulmon në territorin rus me ndihmën e perëndimit me qëllim që të ketë një pozicion më të mirë në negociatat e ardhshme.

Putin përjashton çdo mundësi që Rusia të ketë negociata paqeje me Ukrainën në situatën aktuale. "Për çfarë mund të flasim me njerëzit që synojnë pa dallim civilët dhe përpiqen të kërcënojnë termocentralet bërthamore," tha Putin, cituar nga Tass.

Guvernatori i rajonit perëndimor rus, Kursk, Alexei Smirnov deklaroi në një takim me Putin se Ukraina kontrollon 28 fshatra në rajon. “Situata mbetet e vështirë”, tha ai ndërsa shtoi se forcat ukrainase janë 7.4 milje (12 km) thellë brenda rajonit, dhe vija e frontit atje është 40 km e gjerë.

Nga ana tjetër Ukraina dhe Rusia fajësojnë njëra-tjetrën për zjarrin që shpërtheu në centralin gjigand bërthamor të Zaporizhias të dielën. Presidenti Volodymyr Zelensky tha se forcat ruse kishin shkaktuar zjarrin në centralin e pushtuar nga forcat e Moskës për më shumë se dy vite. Por guvernatori i instaluar nga Rusia në Zaporizhia pretendon se janë bombardimet ukrainase që kanë shkaktuar zjarrin.

“Pushtuesit rusë nisën një zjarr në territorin e centralit bërthamor të Zaporizhias. Aktualisht treguesit e rrezatimit janë normalë, por për sa kohë që terroristët rusë ruajnë kontrollin e centralit, situata nuk mund të jetë normale”, tha presidenti Volodymir Zelenski.

Sipas raportimeve flakët përfshinë kullat e ftohjes së centralit. Agjencia Ndërkombëtare për energjinë bërthamore tha se kishte evidentuar kolona të mëdha tymi të dilnin nga kompleksi, por se deri më tani nuk kishte raportim për ndikimin në sigurinë bërthamore.

Zhvillimi vjen teksa trupat Ukrainase avancuan 30 km në thellësi të territorit rus, në inkursionin më të madh e më të rëndësishëm që kur Moska nisi luftën e plotë në shkurt të 2022.

Të dielën, presidenti Zelensky pranoi për herë të parë se ushtria po ndërmerr një ofensivë ndërkufitare brenda Rusisë, në rajonin e Kursk. Në një mesazh të postuar gjatë natës, Zelensky tha se Ukraina po e çonte luftën në territorin e agresorit.

Sakaq, një zyrtar i lartë në Kiev tha për agjencinë e lajmeve AFP se mijëra trupa ishin angazhuar në operacion, më shumë nga sa ishte raportuar fillimisht nga rojet kufitare të Moskës.

Moska nuk ja ka dalë deri më tani të ndalë inkursionin e nisur të martën me më shumë se 76 mijë njerëz që janë evakuuar nga rajoni i Kursk ku është shpallur gjithashtu gjendja e emergjencës.

Ndërkohë autoritetet lokale në rajonin rus Kursk kanë vendosur të zgjerojnë zonën e evakuimit të civilëve përballë avancimit të forcave ukrainase. Guvernatori, Alexei Smirnov, ka njoftuar se edhe banorët e Belovsky do të duhet të largohen nga shtëpitë e tyre. 

Lajmi ne perditesim... 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:29
Ofensiva ukrainase në tokën ruse/ Guvernatori: 121 mijë banorë u evakuan nga rajoni Kursk

Janë 121 mijë civilë që u detyruan të largoheshin nga zonat e luftimit në rajonin rus Kursk pas avancimit të trupave ukrainase. Lajmin e bëri të ditur guvernatori Alexei Smirnov në një takim me presidentin rus Vladimir Putin.

Guvernatori, cituar agjencia e lajmeve Ria Novosti, shtoi se të paktën 12 civilë u vranë dhe 121 të tjerë u plagosën, duke përfshirë edhe 10 fëmijë.

Ora 15:05
Lufta/ Putin: Ukraina do marrë përgjigje të merituar për sulmin në rajonin Kursk

1722171931_vladimirputin.PNG

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin

President i Rusisë, Vladimir Putin thirri mbledhje në Kremlin për të diskutuar situatën në rajonin perëdimor Kursk.
Në ditën e shtatë të invazionit të forcave ushtarake ukrainase në territorin rus, qëllimi kryesor për momentin i Ministrisë së Mbrojtjes është të largojë forcat ushtarake ukrainase nga territori i Rusisë, raportoi kanali mediatik Ria Novosti.

Sulmi i trupave ukrainase në rajonin e Kursk ‘tregojnë pse regjimi i Kievit ka refuzuar ofertën për paqe nga Moska dhe ndërmjetësuesit’- ka thënë presidenti Vladimir Putin. ‘Kievi na sulmon që të ketë një përparësi në nëgociata- duke u ndihmuar edhe nga Perëndimi’ 
Përpjekjet e Kievit për të destabilizuar territoret kufitare ruse së shpejti mund të shtrihen në rajonin Bryansk.  

Kjo situatë do të zgjasë dhe për këtë arsye “ne duhet të përgatitemi për skenarë të ndryshëm", shtoi Putin, cituar nga agjencia e lajmeve Ria Novosti. 
" Në këto kushte nuk ka asnjë mundësi negocimi. Për çfarë mund të flasim me njerëz që sulmojnë civilët dhe centrale bërthamorë", ka shtuar  gjithashtu presidenti Putin.

Ora 14:40
Lufta/ Moska thotë se ukrainasit humbën 260 ushtarë në 24 orë në Kursk

Ministria e Mbrojtjes e Moskës tha se forcat ukrainase që hynë në rajonin Kursk të Rusisë humbën 260 ushtarë në 24 orët e fundit, si dhe 31 automjete të blinduara, duke përfshirë tre tanke. Ministria shton se shtatë sulme nga brigadat e 80-të dhe të 82-të të sulmit ajror të Forcave të Armatosura të Ukrainës u zmbrapsën në rajonet e vendbanimeve Martynovka, Borki dhe Korenevo.

Për më tepër, në rajonin Kauchuk, u ndaluan përpjekjet për të depërtuar me automjete të blinduara thellë në territorin rus. Aviacioni dhe artileria ruse goditën gjithashtu personelin dhe pajisjet e brigadave të mekanizuara 22, 61, 115 në nëntë zona ku po zhvillohen luftimet. Forcat ajrore dhe raketore, përfundon deklarata e Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, bombarduan gjithashtu rezervat e forcave të armatosura ukrainase në zonat e Miropol, Mogritsa dhe Drobnovshchyna në rajonin Sumy.

Ora 12:40
Ukrainë/ Arrestohet zv/ministri i Energjisë, akuzohet për 500 mijë dollarë rryshfet

Kiev- Zëvendësministri ukrainas i Energjisë është arrestuar pasi akuzohet për ryshfet prej gjysmë milioni dollarësh. 

Lajmi është bërë i ditur nga ‘Ukrainska Pravda’ e cila citon Shërbimet e sigurisë ukrainase (SBU). 

Në njoftimin e SBU-së thuhet se Oleksandre Kheilo kërkoi ryshfet nga menaxherët e kompanive minerare në Ukrainën perëndimore. 

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm tha se në këmbim 500 mijë dollarëve, zëvendësministri u kishte premtuar krerëve të ndërmarrjeve shtetërore  të qymyrit Lviv-Volyn (Perëndim) transferimin e papenguar të pajisjeve të minierave nga minierat e rajonit të Donetsk (Lindje),

Kheilo dhe tre bashkëpunëtorët e tij të dyshuar u kapën në flagrancë dhe rrezikojnë nga 12 vjet burg me konfiskimin e aseteve të tyre", thuhet në njoftimin për shtyp të SBU. 

Edhe qeveria ukrainase konfirmoi se ishte arrestuar zv/ministri I Energjisë  por pa komentuar akuzat. Që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022, disa skandale korrupsioni kanë shpërthyer në Ukrainë, duke çuar në shkarkimin dhe arrestimin e zyrtarëve të lartë. 

Në fillim të majit, Ministri ukrainas i Bujqësisë Mykola Solsky dha dorëheqjen dhe u burgos pasi u akuzua për përvetësim të tokës në pronësi të shtetit. 
Presidenti Volodymyr Zelensky e ka bërë prioritet luftën kundër korrupsionit, një nga kushtet kryesore të vendosura nga Brukseli ndaj Kievit si pjesë e kërkesës së tij për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian.

S.G/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Ekipi i Trump-it goditet nga hakerat, Harris përqëndrohet tek ekonomia! Si po ecën fushata për Presidencën në SHBA

Ekipi i Trump-it goditet nga hakerat, Harris përqëndrohet tek ekonomia! Si po ecën fushata për Presidencën në SHBA