Eksperti ushtarak, Kolonel Sami Neziri, i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ka analizuar konfliktin mes SHBA-së dhe Iranit.

Neziri tha se SHBA-të duan t’i japin një mundësi Iranit për të reflektuar dhe për të arritur një marrëveshje afatgjatë për t’i dhënë fund luftimeve.

Sipas Nezirit, Irani ka përfituar nga pauza e luftimeve për të ripozicionuar forcat e tij dhe për të mundësuar aksesin në tunelet e bombarduara nga SHBA-të dhe Irani, brenda të cilave janë strehuar qindra raketa dhe dronë luftarakë.

“SHBA kanë dashur që t’i japin një mundësi Iranit për të reflektuar dhe të bëjë një marrëveshje që do i jepte fund një konflikti në terma afatgjatë. Konflikti kulmin e ka arritur tani, por rrënjët janë me vite mbrapa. Irani ka fituar kohë me këtë pauzë, për të ripozicionuar forcat. Një pjesë e mirë e raketave dhe e dronëve që kanë qenë nën tunele, ishin goditur nga forcat amerikane dhe izraelite, pra ishin goditur hyrjet e tuneleve. Kështu që aksesi ndaj këtyre armëve ka qenë i pamundur. Kjo kohë Iranit i ka shërbyer për të hapur aksesin drejt këtyre raketave, këtij arsenali që ka qenë i bllokuar brenda tuneleve”, tha mes të tjerash Neziri.

Më tej Neziri shtoi se pavarësisht se nuk ka deklarata shumë optimiste për një marrëveshje paqeje, pas kuintave sipas tij, po punohet me ndërmjetësimin e Pakistanit dhe Turqisë.

Një problematik që sipas Nezirit e bën më të vështirë arritjen e armëpushimit përfundimtar, është sepse brenda regjimit iranian ka qëndrime të ndryshme (pra nuk janë të unifikuar).

“Nesër skadon afati. Nuk ka pasur ndonjë deklaratë optimiste, pavarësisht se pas kuintave ende po punohet. Punojnë shtetet ndërmjetëse, që janë kryesisht Pakistani dhe Turqia. Këta janë aktorët kryesorë që gëzojnë respektin e të dy palëve. Për hir të realitetit, të dyja, Pakistani më shumë, por edhe Turqia është treguar e moderuar dhe është e interesuar që të ketë një paqe afatgjatë në rajon, për shumë arsye. Problemi qëndron te pala iraniane, sepse nuk ka një qëndrim të unifikuar brenda regjimit iranian. Ka elementë që janë të moderuar, po ti shikojmë nuk janë shënjestruar nga SHBA dhe Izraeli. Kjo tregon se nuk ka një qëndrim të unifikuar dhe ky është problemi i negociatave”, vijoi më tej Neziri.