Turqia ka lejuar që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj të përdorin bazat e saj ushtarake në Turqi për të sulmuar Shtetin Islamik. Lajmin e bëri të ditur këshilltarja për sigurinë kombëtare në SHBA, Susan Rise gjatë një interviste televizive në prestigjozin amerikan NBC. Shtetet e Bashkuara përshëndetën marrëveshjen e re, e cila përfshinte përdorimin e bazës ajrore Inçirlik në jug të Turqisë.

Duke folur në një intervistë në NBC, Rice tha se Turqia kishte rënë dakord kohët e fundit që të lejojë SHBA të përdorin bazat dhe territorin turk për të trajnuar forcat e moderuara siriane të opozitës dhe të angazhohen në aktivitete brenda Irakut dhe Sirisë. Turqia ka nguruar të përfshihet ushtarakisht, pjesërisht për shkak të shqetësimeve në lidhje me armatosjen e forcave kurde në luftë kundër militantëve të ISIS.

Në Siri, fokusi kryesor në ditët e fundit ka qenë qyteti kryesisht kurd i Kobanit, në kufi me Turqinë, ku mbrojtëst kurdë po përpiqen të ndalin avancimin e xhihadistësve. Udhëheqësit kurd turq kanë thënë se dështimi i qeverisë së tyre për të ndihmuar në mbrojtjen e Kobanit mund të shkatërrojë edhe procesin e paqes me Turqinë. Militantët islamikë të ISIS, të cilët kontrollojnë disa rajone të mëdha në Kobane, kanë bombarduar rëndë një ditë më parë pjesën tjetër të qytetit, por vijojnë ende të përballen me një rezistencë të ashpër të forcave kurde atje.

Megjithatë asnjëra palë nuk ka fituar terren të gjerë, pavarësisht sulmeve të shumta të udhëhequra nga Amerika. Ushtria më e madhe në zonë i takon Turiqsë, një anëtare e NATO-s, e cila deri më tani ka refuzuar të bashkohet me koalicionin e udhëhequr nga SHBA. Turqia ka vendosur forcat e saj ushtarake në kufi, por deri më tani ka përjashtuar çdo operacion tokësor më vete dhe ka refuzuar të lejojë kurdët të kalojnë kufirin për të luftuar.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)