TIRANE- Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Bujar Leskaj, nënëshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimi institucional për forcimin e luftës kundër korrupsionit.

Në ceremoninë e organizuar në mjediset e Prokurorisë së Përgjithshme, Kryeprokurorja Rama vlerësoi marrëveshjen e bashkëpunimit me KLSH-në, duke theksuar se, "nënshkrimi i saj demonstron vullnetin e mirë të përbashkët të dy institucioneve për të kryer sa më mirë funksionet që ligji na ngarkon".

Sipas saj, KLSH ka kompetencen të bëjë audit në të gjithë administratën shtetërore lidhur me respektimin dhe mënyrën sesi ekzekutohen dhe zbatohen fondet buxhetore, ndersa prokuroria kompetencën dhe detyren kushtetuese që të ushtrojë ndjekjen penale në rastet e abuzimit të zyrtarëve.

Kryeprokurorja Ina Rama, duke shprehu rëndësinë e bashkëpunimit institucional me KLSH në luftën kundër korrupsionit, theksoi se "kemi të bëjmë me një institucion që mund të furnizojë në mënyrë të kënaqëshme me problematika tepër sensitive dhe serioze Prokurorinë për të ushtruar me pas ndjekjen penale në rastet kur do të konkludojmë se kemi elemente të tillë".
Nderkohë, kreu i KLSH-se, Bujar Leskaj, theksoi se kjo marrëveshje vjen jo vetem si shprehje e vullnetit të mirë të përbashkët për të shtuar përpjekjet për luftën kundër korrupsionit, por dhe si përmbushje e detyrimeve kushtetuese që dy institucionet kanë.

Per Leskajn, marrëveshja vjen edhe si përmbushje e një standardi ndërkombëtar që kërkon nga institucionet supreme të auditit të bashkëpunojnë me organet kompetente në fushën e luftës kundër korrupsionit.

Dy zyrtaret e lartë shprehën bindjen se marrëveshja e firmosur sot do të rezultojë efikase në luftën kundër korrupsionit.
(sg/atsh/shqiptarja.com)