DURRËS- Për rreth 4 orë forca të shumta të Policisë së Shtetit, përfshirë edhe forcat RENEA zbarkuan sot (20 qershor 2023) për herë të parë në kampin e MEK në Manzë të Durrësit, ku janë të strehuar anëtarë të opozitës iraniane.

Operacioni është kryer në zbatim  të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata pas kërkesës së SPAK, pra totalisht legjitim. Ndërkohë forcat e policisë shqiptare janë hasur edhe me rezistencën e iranianëve brenda në kamp.

Urdhrin për kontrolle e ka lëshuar GJKKO, pas dyshimeve për terrorizëm dhe sulme kibernetike.

Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se brenda kampit të iranianëve në Manzë, policia ka gjetur disa servera nëpërmjet të cilëve janë hackeruar disa institucione të huaja. Qëllimi i kontrollit ka qenë sekuestrimi i këtyre pajisjeve. Brenda kampit ato kishin krijuar një qendër hackerash me të cilën kryenin sulme kibernetik në institucionet e huaja.

Rezistenca

Aksioni i policisë, i cili u drejtua nga kreu i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, hasi në rezistencën e muxhahedinëve, të cilët kundërshtuan forcat blu në zbatimin e ligjit, madje masivisht në protestë arritën të largojnë nga kampi efektivët. Në mesin e këtij tensioni, ngritën pretendimet se policia ka vrarë një anëtarë të komunitetit të tyre. Kampi hermetik që rrallëherë i ka lejuar mediat shqiptare të depërtojnë brenda tij, këtë të martë, ftoi gazetarët në një ambient spitalor brenda rrethimit, duke treguar para kamerave trupin e një personi të pajetë.

Për Report Tv një nga muxhahedinët tha se ai ndërroi jetë nga përdorimi i sprajit me piper nga forcat blu, ndërkohë që zyrtarisht policia e mohoi. Report Tv mësoi përmes burimeve zyrtare, burri, rreth 65 vjeç dyshohet të ketë ndërruar jetë nga arresti kardiak, dhe se trupi i tij do t’i nënshtrohet ekspertizës në morgun e spitalit të Durrësit për të mësuar nga ekspertët shkaqet e vdekjes.

Ministria e Brendshme reagoi zyrtarisht duke njoftuar se ndërhyrja e organeve ligjzbatuese është bërë pasi veprimet e tyre bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Thelbi i marrëveshjes së vitit 2014 me MEK është se ato duhet të strehohen këtu vetëm për 'qëllime humanitare dhe jo të kryejnë aktivitete të tjera’.

‘Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen. Ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka qënë konform ligjit dhe në zbatim korrekt të procedurave që kërkojnë operacione të tilla. Veprimet e Policisë së Shtetit për zbatimin e ligjit janë kryer si në çdo pjesë tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë.’- njofton Ministria e Brendshme.

Sipas burimeve zyrtare, prokurori i SPAK, Vladimir Mara, ka investiguar gjatë ndaj anëtarëve të MEK, një hetim mbi dyshime për qëllime terroriste, dhe sulme të mundshme kibernetike, të cilin gjykata vendosi ta vlerësojë duke vendosur kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave brenda kampit, dhe sekuestrimin e dokumentacioneve, serverave dhe sendeve të tjera që mund të rezultonin me vlerë për hetimin.

Kujtojmë se Shqipëria në shtator të vitit 2022 ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin! Ndërprerja erdhi pasi sipas qeverisë shqiptare kishte prova të pakundërshtueshme se Irani ka financuar sulmin kibernetik ndaj shërbimeve online, gjë që nga ndikuar në marrjen e vendimit për të prishur marrëdhëniet zyrtare me këtë shtet. Hakerat iranianë publikuan video dhe te dhënë sensitive në faqen ‘Homeland Justice’. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:18
MEK: SHBA të dënojnë kontrollet e policisë brenda kampit, kanë dalë garant për sigurinë tonë

MEK ka dalë në një deklaratë zyrtare pas kontrollit që Policia e Shtetit ka ushtruar sot në ambientet e kampit, ku u sekuestruan edhe severa të cilat dyshoheshin se përdoreshin për sulmi kibernetike ndaj shteteve të tjera. Në deklaratën e ndarë për mediat, MEK i bën thirrje SHBA dhe Kombeve të Bashkuara të dënojnë kontrollin brenda kampit, pasi ato kanë dalë garant për sigurinë e tyre.

“Rezistenca iraniane kërkon që SHBA, qeveria dhe Kombet e Bashkuara, të cilat kanë garantuar sigurinë dhe mirëqenien e banorëve të Ashrafit në mënyrë të përsëritur, të dënojnë këtë sjellje kriminale dhe barbare dhe të japin garancitë e nevojshme për të parandaluar këto lloj sjelljesh të jashtëligjshme që shkelin në mënyrë flagrante shumë traktate ndërkombëtare, duke përfshirë Konventën për Statusin e Refugjatëve, Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Bashkimi Evropian, për anëtarësimin e të cilit Shqipëria ka aplikuar, duhet të dënojë këtë sulm brutal dhe të kërkojë llogari nga qeveria shqiptare për këtë sjellje”, thuhet në deklaratë.

Ora 18:47
Prokuroria e Durrësit nis hetimet për dhunën brenda kampit të muxhahedinëve

1687278445_mek.jpg

Përveç procedimit të SPAK prokuroria e Durrësit ka nisur një hetim lidhur me atë çfarë ndodhi sot brenda kampit të muxhahedinëve në Manzë të Durrësit.

Gazetari i Report TV, Sokol Dema mëson se prokurori i Durrësit Sokol Nishani po heton lidhur me pretendimet e muxhahedinëve për dhunë nga ana e policisë, por dhe pretendimet e policisë për dhunë të ushtruar nga ana e muxhahedinëve.

Pritet që të merren në pyetje dhe shumë persona. Ndërkohë që Rrumbullaku në konferencë për median tha se janë identifikuar personat e përfshirë në sulmin ndaj policisë dhe se do të firmosen urdhërndalime për ata që ushtruan dhunë dhe drejtuesit e kampit që nuk bashkëpunuan.

Ora 18:24
VIDEO/ Policia publikon pamjet nga operacioni në kampin e MEK! Momenti kur djegin shkresa, ja salla me kompjutera

Policia e Shtetit publikon pamjet e operacionit të kontrollit të nisur sot në mëngjes në kampin e muxhahedinëve në Manëz të Durrësit.

Fillimisht siç deklaroi drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamed Rrumbullaku para se të nisnin operacionin janë takuar me drejtuesit e kampit të cilët fillimisht kanë rënë dakord për kontrollin.

Është hapur dera dhe dhjetra makina të policisë kanë hyrë në rezidencën.

Por në momentin kur kanë nisur kontrollet dhe janë identifikuar godinat ku kanë qenë serverat me kompjutera ka nisur rezistenca e dhunshme nga muxhahedinët ndaj policisë. Duke bllokuar makinat madje duke ushtruar dhunë.

Nga pamjet me dron janë fimuar dhe disa pesona që tentojnë të asgjësojnë dokumente si dhe godinat ku ishin vendosur serverat dhe ishin plot me kompjuter.

Ora 16:40
Kontrolli i Policisë në kampin e MEK, Burime: U kontrolluan 70 godina nga 127, po planifikonin sulm kibernetik! U sekuestruan dhjetëra pajisje elektronike

1687257066_1687257012policetmek.jpg

Me urdhër të SPAK, policia e Shtetit zbarkoi sot në kampin Ashraf në Manëz të Durrësit, ku strehohet opozita iraniane. Burime për Report Tv bëjnë me dije se nga 127 godina në total, në kampin e "ASHRAF 3", të muxhahedinëve në Manzë, janë kontrolluar 70 prej tyre, ndërkohë janë sekuestruar dhjetëra pajisje elektronike. Dyshohet se anëtar të opozitës iraniane, ishin duke planifikuar sulm kibernetik. Në takimin me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, 30 minuta para operacionit, drejtues të kampit kanë rënë dakord pasi janë njohur me urdhrat e kontrolli. Përplasja ka nisur pas mbërritjes së grupeve të policisë, pasi kanë qenë 16 të tilla, të përcaktuar për ndërhyrje të menjëhershme.

Ata kanë bërë rezistencë në momentin e nisjes së procedurës së sekuestros, duke tentuar të mos lejonin pajisjet të dilnin nga godinat. Procedimi penal është regjistruar nga SPAK rreth 2 muaj më parë. Burimet konfirmojnë se SPAK nuk ka urdhëruar shoqërime, ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (Departamenti i Policisë Kriminale), do të shoqërojnë disa persona për ti pyetur në lidhje me pretendimet që ata kanë patur këtë të martë pas ndërhyrjes së policisë dhe jo në kuadër të procedimit penal.

Ora 15:34
VIDEO/ Kontrollet e policisë në kampin e MEK në Manzë, trupi i pajetë i 65-vjeçarit dërgohet në Tiranë për autopsi

Policia e Shtetit, për herë të parë, ka zbarkuar ditën e sotme në kampin e MEK në Durrës, ku janë të strehuar anëtarë të opozitës iraniane. Me urdhër të SPAK, policia ka ushtruar kontrolle dhe burime bëjnë më dije se brenda kampit policia ka gjetur disa servera nëpërmjet të cilëve janë hackeruar disa institucione të huaja.

Gjatë kontrollit, policia është hasur me rezistencën e muxhaedinëve, të cilët edhe protestuan, duke larguar nga kampi efektivët e policisë. Muxhedinët ngrenë pretendimet se policia ka vrarë një anëtarë të komunitetit të tyre, por Report Tv mësoi përmes burimeve zyrtare, burri, rreth 65 vjeç dyshohet të ketë ndërruar jetë nga arresti kardiak. Report Tv sjell edhe videon nga momenti kur trupi i pajetë i 65-vjeçarit futet në ambulancë për t’u dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës, e cila do të përcaktojë edhe shkakun e vdekjes.

Ora 14:05
Kontrollet e policisë në kampin e MEK në Manzë, avokati: Viktima ka hematoma, është goditur me sende të forta! Presim raportin mjeko-ligjor

 

Avokati i kampit të MEK, Genc Gjokutaj pretendon se policia ka përdorur gaz lotsjellës si dhe kanë dhunuar iranianët në kampin e MEK.

“Është përdorur gaz lotjsellës dhe shkopinj gomash. Kanë kërkuar arsyet por nuk ua kanë dhënë. Kemi një të vdekur, që ka ndërruar jetë nga gazi lotsjellës dhe goditjet. Është evidente, viktima ka hematoma, është goditur me sende të forta në pjesën e ballit. Po presim raportin mjekologjit dhe i policisë.

Nuk ka pasur arrestime gjë që tregon se nuk ka pasur sulm nga ana e iranianëve.”- tha avokati, Genc Gjokutaj.

Ora 13:26
Pas 4 orësh mbyllet protesta e anëtareve të MEK në kampin e Manzës

 

Pas pothuajse 4 orësh përplasje me policinë, iranianët kanë mbyllur protestën. E gjithë rrëmuja u shkaktua pas një urdhër të SPAK për të zbarkuar në kampin e MEK në Manzë. Burimet e Report Tv mësuan se iranianët kishin qendra me servera që i përdornin për të hackeruar institucionet e shteteve të huaja. Nga ana tjetër ata pretendojnë se policia shqiptare i ka cenuar, por duhet theksuar se procesi është tërësisht legjitim pasi është me urdhër të SPAK.

Nga ana tjetër, Manza është territor shqiptar dhe nuk e ndalon policinë të ndërhyjë kur është e nevojshme.

Ora 13:09
VIDEO/ Kontrollet e policisë te kampi i MEK, mjeku iranian për Report Tv: Vëllai ynë erdhi i lënduar nga spraj me piper

 

Mjeku iranian për Report Tv është shprehur se fillimisht iraniani që pretendojnë se e kanë vrarë policët shqiptar erdhi i lënduar me spraj me piper.

“Policia e Shqipërisë, në grupe të mëdha erdhën te rezidenca jonë. Ai erdhi i lënduar nga spraj me piper dhe pastaj vduq. Ky është trupi i vëllait tonë.”- thotë mjeku.

Ora 12:44
Kontrollet e policisë në kampin e iranianëve në Durrës, Ministria e Brendshme: U pranuan për qendrim humanitar, por kanë shkelur marrëveshjen e vitit 2014

 

Ministria e Brendshme ka reaguar zyrtarisht në lidhje me aksionin e policisë së shtetit në kampin e MEK në Durrës.

'Operacioni i sotëm i Policisë së Shtetit në vendqëndrimin e MEK në Manëz të Durrësit është në zbatim të plotë të urdhrit të SPAK dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Vendimi i Gjykatës është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen. Ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka qënë konform ligjit dhe në zbatim korrekt të procedurave që kërkojnë operacione të tilla. Veprimet e Policisë së Shtetit për zbatimin e ligjit janë kryer si në çdo pjesë tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë.

Fatkeqësisht brenda kampit ka pasur rezistencë ndaj kryerjes së punës së Policisë së Shtetit, çka bie ndesh me kuadrin procedural të zbatimit të ligjit. Bazuar në të dhënat e Policisë së Shtetit, gjatë operacionit nuk ka pasur humbje jete dhe as të lënduar. Për çdo pretendim për humbje jete në spitalin e vendqëndrimit të tyre po bëhen të gjitha verifikimet proceduriale.'- njofton ministria e Brendshme.

Ora 12:36
Kontrollet në kampin e MEK, policia: Një 65-vjeçar vdiq nga arresti kardiak

 

Një 65-vjeçar ka ndërruar jetë nga arresti kardiak në kampine MEK në Manzë të Durrësit. Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se trupi i tij po dërgohet për ekspertizë.

Ora 12:30
VIDEO/ Kontrollet në kampin e iranianëve në Manzë, muxhahedinët nxjerrin nga kampi forcat e policisë dhe gazetarët

 

Muxhahedinët kanë nxjerrë nga kampi i tyre forcat e policisë dhe gazetarët.

Ora 12:22
Kontrollet në kampin e MEK në Manzë, një efektiv i FNSH-së është lënduar

1687256406_fnsh.jpeg

Policia e Shtetit ka kryer kontrolle ditën e sotme në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit. Burime bëjnë me dije se ka pasur përplasje mes policisë dhe iranianëve. Mësohet se një efektin i FNSH-së është lënduar.

Ora 12:17
Burime për Report Tv: Kontrollet në kampin e MEK në kuadër të hetimeve për qëllime terroriste

1687255704_reneamek.jpg

Burime jo zyrtare nga SPAK konfirmojnë se urdhri i kontrolleve është bërë në kuadër të një hetimi për qëllime terroriste. Të njëjtat burime, të cilat janë në azhornim me situatën në terren, thonë se ka patur përplasje por nuk konfirmohet ende për të plagosur dhe viktima deri në këtë moment. Konfirmohet se bëhet fjalë një operacion që ka ardhur pas informacioneve të siguruara për qëllime terroriste, dhe kjo ka qenë arsyeja e ndërhyrjes, raporton gazetari i Report Tv Sokol Dema.

Policia ka patur urdhër kontrolli dhe sekuestrimi sendesh. Prokurori Vladimir Mara është përfaqësuesi i SPAK që ka paraqitur kërkesën në GJKKO për ushtrim kontrollesh, sekuestrim dokumentacionesh, serverash dhe sendeve të tjera me vlerë për hetimin.

Me urdhër Marës, në verën e 2020 u arrestua iraniani Bijan Polagrad ish-banor, për terrorizëm, ndërhyrje në të dhëna kompjuterike, cenim i sigurisë kombëtare. Çështja e tij u gjykua me dyer të mbyllura me kërkesë të prokurorit që foli në atë kohë për të paktën 12 persona nën hetim dhe se procesi përbënte materiale top sekrete.

Ora 12:12
VIDEO/RENEA zbarkon në kampin e MEK në Manzë, muxhahedinët protestojnë kundër kontrolleve të policisë shqiptare

 

Policia e Shtetit ka kryer mëngjesin e sotëm në megaoperacion në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit. Iranianët e kanë bërë rezistencë dhe kanë protestuar kundër forcave të policisë shqiptare.

Ora 12:04
Policia ‘bastis’ kampet e MEK në Manzë, mjeku: Një i vrarë dhe 100 të plagosur nga gazi lotsjellës! Na sulmuan pa pritur

1687255459_mek.jpg

Policia ka bastisur kampet e MEK në Manzë. Mjeku thotë se ka një të vdekur dhe 100 të plagosur nga gazi lotsjellës.

“Sot na kanë sulmuar pa pritur dhe se dimë për çfarë qëllime. Deri tani kemi 1 të vdekur dhe 100 të plagosur. Ka vdekur një person nga gazi.”- thanë ata.

Ora 11:49
Policia ‘bastis’ kampin e MEK në Manzë, muxhahedini: Erdhën pa lajmërim, na vranë vëllain tonë me gaz! S’kemi lidhje me sulmet kibernetike

 

Një prej refugjatëve të strehuar në Manzë pretendon se policia ka vrarë një prej muxhahedinëve të strehuar. Ai thotë se nuk kanë bërë asgjë për të patur këtë bastisje nga policia, ai shtoi se kampi i MEK s’ka lidhje me sulmet kibernetike.

“Policia në mëngjes me qindra makina u futën brenda pa asnjë lajmërim dhe vranë vëllanë tonë Alie Mustasharin. Cfarë borxhi kemi ne? Çfarë kemi bërë ne? Çfarë veprimi kemi bërë ne? Ne jemi arratisur nga vendi ynë. Ata rrethuan kampin, sulmuan vëllain tonë. Ata përdorin gaz afër vëllait tonë. Një muxhahedin u vra. Dhe disa vëllezër dhe motra i arrestuan i futën në makinën e tyre. Ne çfarë krimi kemi bërë? Nuk dimë asgjë. Ne jemi refugjatë. Ne nuk kanë treguar asgjë asnjë letërnjoftim. Nuk ka asnjë të rrezikshëm brenda kampit tonë, ato janë propagandë. Sot ishte përvjetori i rezistencës iraniane, ata në këtë ditë sulmojnë bazën kryesore të muxhahedinëve në Shqipëri. Nuk kemi lidhje me sulmet kibernetike."- tha ai.

Ora 11:34
Kontrollet në kampin e iranianëve, Zëdhënësi i MEK: 1 vrarë e 36 të plagosur, policia: Nuk është e vërtetë

1687249273_Screenshot2.jpg

Zëdhënësi i kampit të iranianë MEK në Manzë të Durrësit pretendon se policia shqiptare ka vrarë një person brenda kampit e ka plagosur 36 të tjerë. Por policia shqiptare thotë se pretendimet e tyre nuk janë të vërteta.

Ora 10:12
Kontrollet në kampin e MEK në Manzë të Durrësit, reagon policia

 

Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me aksioni që po kryen në kampin e Muxhahedinëve në Manzë të Durrësit. Sipas policia aksioni po kryhet pas vendimit të GJKKO, me urdhër të ekzekutimit të SPAK, në kuadër të një plani operacional.

‘Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate, për kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave ku  banojnë për qëllime humanitare, Policia e Shtetit, në kuadër të një plani operacional, ka filluar kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave në kampin MEK, në Manëz, Durrës.

Në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin e tyre, me planin e kontrollit të ambienteve në territorin e kampit MEK, duke zbatuar me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp.

Grupet e kontrollit të Policisë po vijojnë kontrollet në territorin e kampit MEK dhe në ambientet e brendshme të tij.  Në përfundim të kontrolleve do të ketë njoftim më të detajuar.’- njofton policia