TIRANË- Shqipëria prish marrëdhëniet diplomatike me Iranin! Kryeministri Edi Rama ka bënë me dije se ka prova të pakundërshtueshme se Irani ka financuar sulmin kibernetik ndaj shërbimeve online, gjë që nga ndikuar në marrjen e vendimit për të prishur marrëdhëniet zyrtare me këtë shtet, teksa iu është dhënë urdhër ambasadorit dhe të gjithë stafit të ambasadës iraniane të largohen nga Shqipëria brenda 24 orëve. Pas ultimatumit, ambasada iraniane në vendin tonë ka nisur përgatitjet për t'u larguar

Kreu i qeverisë në një videomesazh nga Kryeministria tha se pas hetimeve të bëra në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar, është arritur në përfundimin se Irani ka angazhuar 4 grupe për sulmin kibernetik, ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar.

“Në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të anti-terrorit digjital, të cilat sollën në Tiranë skuadrat e tyre, u arrit të zbulohej fillimisht, pa asnjë hije dyshimi, se sulmi i 15 korrikut mbi Shqipërinë nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura në botën e krimit të organizuar kibernetik, por një agresion shtetëror. Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron”, tha Rama.

Ky vendim i është bërë i ditur me notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, që duhet të largohen nga vendi ynë brenda 24 orëve të fundit, teksa për këtë masë ekstreme, siç e ka quajtur Rama, janë vënë në dijeni edhe aleatët strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike të Shqipërisë. U deshën disa orë që ministria e Iranit të kishte një deklaratë zyrtare ndaj prishjes së marrëdhëniëve diplomatike me vendin tonë për akuza, të cilat i cilëson si të pabaza. 

Sa i përket sulmit kibernetik, kryeministri tha se dëmet janë të vogla, ndërsa sistemet u rivunë në punë dhe nuk u zhduk asnjë e dhënë.

"Lajmi i mirë është se ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë e si duhet ta bëjmë për të mos na prekur dot askush, ashtu siç dimë edhe se do t'i bëjmë siç duhet gjërat e duhura, sepse kemi partnerët e duhur.’- tha Rama.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se në ambasadën e Iranit, janë 72 diplomatë. Në periudhën e demokracisë, ky është rasti i parë që Shqipëria prish marrëdhëniet diplomatike me një shtet tjetër, ndërkohë që edhe në 2018, Shqipëria ka dëbuar ambasadorin e Iranit në vendin tonë, Gholamhossein Mohammadnia, për cenim të sigurisë kombëtare. Ky vendim drastik erdhi pas sulmit kibernetik që iu bë Shqipërisë përgjatë muajit korrik ku të gjitha shërbimet publike online dhe faqet qeveritare u mbyllën përkohësisht. Shërbimet u kthyen në funksion të plotë pas katër javësh

Që sulmi kibernetik që mbylli përkohësisht shumë shërbime dixhitale të qeverisë shqiptare dhe faqe interneti në mes të muajit korrik ishte vepër e Iranit e deklaroi një muaj më parë edhe 'Mandiant' një prej kompanive kryesore amerikane që trajtojnë çështje të sigurisë kibernetike. Në një raport të saj kompania shprehu një ‘besim të matur’ se sulmuesit kishin vepruar në mbështetje të përpjekjeve të Teheranit kundër disidentëve, bazuar në disa faktorë: koha, përmbajtja e publikuar në një kanal të medias sociale që përdoret për të marrë përgjegjësinë mbi sulme të kësaj natyre dhe ngjashmëritë me kodin e programit me virus, i cili është përdorur prej kohësh për të goditur folës në gjuhën farsi dhe arabisht.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:04
VIDEO/ Rama u la 24 orë afat për t'u larguar nga Shqipëria, trupa diplomatike e Iranit bëhet gati, djegin dokumente në ambasadë, e pranishme dhe policia

Menjëherë, sapo kryeministri Edi Rama u kërkoi diplomatëve iranianë që të lënë Shqipërinë pasi u konfirmua se ata fshihen pas sulmit kibernatik ndaj portaleve qeveritare shqiptare, punonjësit e ambasadës së Iranit në Tiranë kanë nisur zhvendosjen. Report Tv mëson se ambasada ka nisur përgatitjet për t’u larguar pas ultimatumit të Ramës që pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike të lënë vendin tonë brenda 24 orëve. Trupit diplomatik iranian i janë dashur shumë pak orë për të përgatitur plaçkat për t’u larguar.

Report Tv mëson se para largimit, ata kanë djegur edhe disa dokumente, përmbajtja e të cilave nuk dihet ende. Në pamjet e filmuara nga Report Tv vihet re prezencë e madhe policie, me synimin që zhvendosja e diplomatëve të kalojë pa incidente.

Irani zyrtar mohoi se fshihet pas sulmeve kibernetike në Shqipëri ndërsa përmes një deklarate tha se shkëputja e marrëdhënieve diplomatike është një veprim i pamenduar dhe dritëshkurtër në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme iraniane thuhet se reagimi i menjëhershëm i SHBA-së është dëshmi e një komploti dhe fushate të re kundër Iranit, teksa thotë se Tirana është ndikuar nga një grup terrorist famëkeq i strehuar në Shqipëri, duke iu referuar muxhahedinëve.

Ora 13:18
Sot u prish raporti diplomatik/ Pse marrëdhëniet Shqipëri-Iran kanë qenë të acaruara ndër vite

 

Prania e muxhahedinëve disidentë është bërë shkak për acarim të vazhdueshëm të marrëdhënieve mes Iranit dhe Shqipërisë. Shqipëria, vend anëtar i NATO-s dhe aleat i ngushtë me SHBA, ka mirëpritur në 6 vitet e fundit rreth 3 mijë anëtarë të kësaj organizate.

Zhvendosja e tyre në Shqipëri, nga bazat amerikane në Irak, ku u rrezikohej jeta nga sulmet me raketa të qeverisë iraniane, është bërë në bazë të një marrëveshjeje mes qeverisë amerikane dhe asaj shqiptare, të nënshkruar në vitin 2013, me bazë motive humanitare. Irani e konsideron MEK një organizate terroriste, teksa Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka cilësuar më herët strehimin e muxhahedinëve si "një risk që i bën nder Shqipërisë, që është në vazhdën e traditës shqiptare” duke lënë të kuptohet strehimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku asnjë prej tyre nuk iu dorëzua nazistëve. Ai ka deklaruar aso kohe që Shqipëria i ka strehuar disidentët iranianë "në funksion të aleancës strategjike dhe të padiskutueshme me SHBA”.

Në muajin korrik të këtij viti, Ambasada e SHBA-së dha paralajmërim për një akt të mundshëm terrorist në kampin Ashraf 3 në Manzë të Durrësit, ku për mikrofonin e Report Tv, muxhahedinët thanë se tentativa ishte i organizuar nga regjimi iranian.

Ora 12:30
Ndërprerja e marrëdhënieve me Iranin, Ministrja e Jashtme: Sulmi ishte i paprovokuar! Jemi konsultuar me aleatët për vendimin

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka deklaruar se vendimi për të shkëputur marrëdhëniet diplomatike me Iranin ishte drastik pasi sulmi ishte i paprovokuar. Xhaçka tha se Shqipëria është konsultuar me aleatët e NATO-s si dhe partnerët Europiane.

‘Shqipëria ka ndërprerë sot marrëdhëniet diplomatik me Republikën Isalmike të Iranit si një kundërpërgjigje ndaj sulmit kibernetik që ndodhi në korrik. Ishte një sulm i paprovokuar pa asnjë shkak kundër një vendi anëtar të NATO-s si dhe kandidat në BE. Ky përbën një hap drastik, por për fat të keq agresivitetin i sulmit dhe faktin që ky sulm ishte i paprovokuar nuk linte hapësirë për asnjë vendim tjetër. Jemi konsultuar me aleatët në NATO si partnerët Evropiane. U kemi kërkuar mbështetje për vendimmarrjen e Shqipërisë dhe për të ardhmen për të adresuar këto lloj kërcënimesh sa më mirë.’- tha Xhaçka.

Takimi në Tiranë i ministres Olta Xhaçka me ministrin holandez  Wopke Hoeska e kaloi vëmendjen nga integrimi, tek sulmi kibenertik i Iranit ndaj Shqipërisë. Për ministrin holandez, rreziqet kibernetike kërkojnë një rezistencë të përbashkët.

“Dëshiroj të shpeh solidaritetin tim ndaj qeverisë dhe popullit shqiptar, lidhur me sulmet kibernetike, këto veprime janë totalisht të papranueshme pasi fokusohen tek infrastruktura dhe sistemet kritike të Shqipërisë. Të punojmë së bashku në kuadër të NATO-s dhe BE-së për të përmirësuar rezistencën tonë, për t’ju shmangur dhe për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike”, tha Hoeska.  

Ora 12:05
Sulmi kibernetik, Rama: I gjithë stafi i ambasadës së Iranit të largohet brenda 24 orëve nga Shqipëria

 

Kryeministri Edi Rama tha se qeveria i ka dërguar notë zyrtarë ambasadës së Iranit dhe i ka kërkuar largimin brenda 24 orëve nga territori i Republikës se Shqipërisë të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshfire edhe personelin e sigurisë. 

‘Nisur nga sa më lart Këshilli i Ministrave, ka vendosur me efekt te menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike te Iranit. Ky vendim i është bere i ditur me note zyrtare Ambasadës se Republikës Islamike te Iranit, te cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës se Shqipërisë i te gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshfire edhe personelin e sigurisë. 

Kjo mase ekstreme, aspak e deshiruar po krejtësisht e detyruar, është në proporcion te plotë me seriozitetin dhe rrezikshmërinë e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vend.

Dështimi i këtij sulmi masiv mbi vendin tonë, falë rezistencës së sistemeve që kemi ngritur dhe ndihmës së grupeve speciale që na u bashkuan në këtë luftë, nuk është fundi i kërcënimit kibernetik, po thjeshtë prova se tanimë edhe Shqipëria ka hyrë falë zhvillimit digjital në hartën e gjerë të luftës për sigurinë kibernetike. Por lajmi i mirë është se ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë e si duhet ta bëjmë për të mos na prekur dot askush, ashtu siç dimë edhe se do t'i bëjmë siç duhet gjërat e duhura, sepse kemi partnerët e duhur.’- tha Rama.

Ora 12:01
Sulmi kibernetik nga Irani/ Rama: Kemi prova të pakundërshtueshme! Angazhoi 4 grupe, njëri prej tyre më famëkeqi

 

Kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje lidhur me autorët e sulmit kibernetik të shërbimeve online.

"Në 15 korrikun e shkuar vendi ynë u bë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, paralizimin e shërbimeve publike, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare. Sulmi nuk ia arriti qëllimit. Krahasimisht me objektivat e agresorit, dëmet mund të konsiderohen të vogla. Sistemet u rivunë të gjitha në punë dhe asgjë nuk u zhduk pa kthim. 

Për javë të tëra u punua paralelisht, ditë-natë, qoftë për rivënien e të gjitha sistemeve në punë, qoftë për hetimin e thellë për gjetjen e agresorit. Në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të anti-terrorit digjital, të cilat sollën në Tiranë skuadrat e tyre, u arrit të zbulohej fillimisht, pa asnjë hije dyshimi, se sulmi i 15 korrikut mbi Shqipërinë nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura në botën e krimit të organizuar kibernetik, por një agresion shtetëror. Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron. 

Ne kemi informuar aleatët tanë strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike, me të cilat kemi ndarë edhe rezultatet e pakundërshtueshme të hetimit që provon burimin e agresionit ndaj vendit tonë", tha Rama.