Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u shpreh se Bashkimi Evropian ka marrë furnizimin e nevojshëm për të vaksinuar 70% të qytetarëve mbi 18 vjeç deri në fund të korrikut.
Ajo i kërkoi shteteve anëtare të BE të intensifikojnë përpjekjet për fushatën e vaksinimit, duke theksuar se deri të dielën do të shpërndahen rreth 500 milionë doza, për qytetarët evropian.
“Bashkimi Evropian e ka mbajtur fjalën. Këtë fundjavë do të shpërndahet një sasi e madhe e vaksinave për të arritur objektivin e vaksinimit të 70% të qytetarëve evropian mbi 18 vjeç”, tha ajo.
Kryekomisionerja tha se ende nuk është mundur COVID-19, por shtoi se BE është përgatitur për sigurimin e vaksinave, për të “luftuar” edhe variantet e reja.
Kohët e fundit një varianti delta i COVID-19 është shndërruar në shqetësimin kryesor të pandemisë, për shkak të shkallës së lartë të përhapjes.
Pavarësisht se një “valë” lehtësimesh të masave anti-COVID ka përfshirë edhe BE, aktualisht po diskutohet shtrëngimi i tyre sërish, për shkak të kërcënimit nga varianti delta.
Megjithatë sipas liderëve kryesor të BE dhe Samitit Evropian, kjo do të ishte fatale për ekonominë e vendeve, në një pikë kaq kulminante sa i përket turizmit.
Megjithatë vigjilenca përballë armikut të padukshëm që ende nuk kemi mposhtur duhet të jetë maksimale.
Komente









