Pentagoni po përgatitet për mundësinë e operacioneve tokësore në Iran që do të zgjasin disa javë nëse Donald Trump vendos të përshkallëzojë situatën. Sipas Washington Post operacionet tokësore nuk do të jenë një pushtim në shkallë të plotë, por më tepër inkursione nga operacione speciale dhe trupa këmbësorie.

Në ditën e 29 të luftës nuk ndalen sulmet me raketa në Lindjen e Mesme. Qeveritë e Kuvajtit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit kanë kapur një seri sulmesh ajrore me raketa dhe dronë nga Irani. Po ashtu dy shpërthime të fuqishme tronditën Teheranin.

Rebelët Huthi thonë se kanë kryer një sulm të dytë në disa pjesë të Izraelit jugor. Yahya Saree, zëdhënës i Forcave të Armatosura të Jemenit - thotë se grupi kreu sulmin me "një breshëri raketash dhe dronësh" që synonin "disa vende të rëndësishme ushtarake".

Huthit paralajmëruan se do të qëndrojnë krah Iranit dhe Hezbollahut deri sa të ndalet agresioni i SHBA dhe Izraelit. Huthët rrezikojnë hapjen e një fronti të ri lufte në Detin e Kuq kur kërcënojnë me mbylljen e ngushticës Bab al-Mandab, pranë brigjeve të Jemenit, një pikë kyçe për kalimin e anijeve tregtare nga Azia drejt Kanalit të Suezit.

Një samit i vendeve që kërkojnë ndërmjetësim nis sot në Pakistan. Njëzet anije pakistaneze kanë marrë dritën jeshile në Ngushticën e Hormuzit.

Lajm në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:57
Sulm amerikano-izraelit në portin pranë Ngushticës së Hormuzit, 5 të vrarë

Sulmet ajrore amerikane dhe izraelite kanë goditur një qytet port iranian pranë Ngushticës së Hormuzit, raportoi agjencia iraniane e lajmeve IRNA.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli "kryen një sulm kriminal në skelën Bandar Khamir, duke vrarë pesë persona dhe duke plagosur katër të tjerë".

Ora 08:25
Mbërrin në Lindjen e Mesme anija amerikane ‘USS Tripoli’ me 3.500 ushtarë

Foto: Anija 'USS Tripoli'

Një anije e Marinës Amerikane që mbante rreth 3. 500 ushtarë ka mbërritur në Lindjen e Mesme, tha Komanda Qendrore e SHBA-së.

USS Tripoli, një anije sulmi amfibe dhe elementët e saj të Njësisë së 31-të Ekspedicionare Detare janë të bazuar në Japoni. Ata po kryenin ushtrime në zonën përreth Tajvanit kur u urdhëruan të shkonin në Lindjen e Mesme gati dy javë më parë.

Komanda Qendrore e SHBA-së tha se përveç Marinës, anija po sjell gjithashtu avionë transporti dhe sulmi në rajon.

Ora 07:51
Hezbollahu merr përgjegjësinë për sulmet ndaj bazave ushtarake izraelite

Hezbollahu pretendon se ka goditur aeroportin Ein Shemer dhe bazën ushtarake Regavim në Izraelin verior me një breshëri raketash.

Grupi i armatosur libanez i deklaroi sulmet si hakmarrje për bastisjet e vazhdueshme të Izraelit ndaj civilëve libanezë, zhvendosjen e tyre me forcë dhe shkatërrimin e shtëpive të tyre.