Televizioni shtetëror iranian raportoi se disa vende evropiane kanë filluar bisedimet me Teheranin në lidhje me kalimin e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit.
"Pas kalimit të anijeve nga vendet e Azisë Lindore, veçanërisht Kina, Japonia dhe Pakistani, sot morëm informacion që tregon se evropianët kanë filluar gjithashtu negociatat me Marinën e Gardës Revolucionare për të marrë leje tranziti”, njoftoi media iraniane, por pa specifikuar se cilat vende kishin nisur negociatat.
Nga ana tjetër, në një letër drejtuar Papa Leo XIV, Presidenti iranian Masoud Pezeshkian u bëri thirrje shteteve në mbarë botën të kundërshtojnë kërkesat "e paligjshme" të Uashingtonit.
Sipas Mehr, Pezeshkian deklaroi: "Agresioni izraelito-amerikan rezultoi në vrasjen e Ajatollah Khameneit, figurave të shquara politike dhe ushtarake dhe 3,468 qytetarëve, me dëme të mëdha në shkolla, universitete, spitale, vende adhurimi dhe infrastrukturë. Këto janë krime të qarta lufte".
Duke cituar pasazhe kuranore dhe biblike që dënojnë arrogancën, ai vlerësoi "qëndrimet morale, logjike dhe të drejta" të Papës ndaj sulmit.
"Dëshiroj, edhe një herë, të shpreh vlerësimin e qeverisë dhe popullit iranian për qasjen e Shenjtërisë së Tij, bazuar në 'paqe të drejtë', dhe të theksoj se Republika Islamike e Iranit, duke ruajtur të drejtën e saj për vetëmbrojtje legjitime, mbetet sinqerisht e përkushtuar ndaj dialogut dhe zgjidhjes së problemeve me mjete paqësore, në përputhje me ligjin dhe etikën", thuhet në një pjesë tjetër të letrës.
Ndërkohë ditën e sotme, Presidenti amerikan Donald Trump i është rikthyer kërcënimeve ndaj Iranit, teksa deklaroi se nëse Teherani nuk bie dakord me propozimin e SHBA-së për t'i dhënë fund konfliktit, 'ata do të përballen me kohë shumë të vështira'.
Dhe teksa diskutimet e ndërmjetësuara nga Pakistani mes SHBA-së dhe Iranit vazhdojnë, në kampin tjetër, Izraeli ka kryer sëris sulme ditën e sotme ndaj Libanit, pavarësisht zgjatjes ditën e djeshme të armëpushimit me 45 ditë.
Gjatë sulmeve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, në 24 orët e fundit janë vrarë 18 persona dhe janë plagosur 124 të tjerë. Forcat izraelite thonë se synimi është infrastruktura e Hezbollahut në Libanin jugor. Ushtria izraelite kishte lëshuar më parë paralajmërime për evakuim për 9 fshatra në Libanin jugor.

Izraeli ka kryer sulme të shumta ajrore në disa qytete të Libanit jugor. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, në 24 orët e fundit janë 18 të vrarë dhe 124 të plagosur.
Forcat izraelite thonë se synimi është infrastruktura e Hezbollahut në Libanin jugor. Ushtria kishte lëshuar më parë paralajmërime për evakuim për 9 fshatra në Libanin jugor. Këto sulme janë të parat që kur armëpushimi në Liban u zgjat me 45 ditë mbrëmjen e djeshme.
Hezbollahu dhe Izraeli kanë vazhduar të sulmojnë njëri-tjetrin që kur Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi armëpushimin më 16 prill, një marrëveshje që tani thuajse është zhvlerësuar, megjithëse luftimet mbeten në një nivel më të ulët se më parë.

Presidenti amerikan Donald Trump është rikthyer sërish ditën e sotme te kërcënimet ndaj Iranit.
“Më mirë të arrijnë një marrëveshje, përndryshe do të kalojnë një kohë shumë të keqe”, tha presidenti amerikan në një lidhje live për stacionin televiziv francez BFMTV.
“Ata kanë interes ta përfundojnë këtë”, shtoi Trump.

Që nga vendosja e bllokadës pranë Ngushticës së Hormuzit më 13 prill, forcat amerikane kanë devijuar 78 anije dhe kanë ndaluar katër të tjera.
Kështu raportoi Komanda Qendrore e SHBA-së në një postim në faqen zyrtare në rrjetet sociale.
Sipas deklaratës, operacionet kishin për qëllim "zbatimin e pajtueshmërisë" me vendimin e marrë për bllokimin e Ngushticës së Hormuzit.

Zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit amerikan Donald Trump thuhet se kanë kërkuar përfshirje më të madhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe në luftën kundër Iranit, madje duke sugjeruar pushtimin e njërit prej ishujve të Iranit në Gjirin Persik.
Gazeta britanike The Telegraph raportoi se "disa anëtarë të rrethit të ngushtë të Presidentit Donald Trump kanë sugjeruar që Emiratet të marrin kontrollin e Ishullit Lavan".
Ishulli thuhet se u godit nga sulme ushtarake të Emirateve në fillim të prillit. "Janë trupa emirate në terren, jo trupa amerikane", flitet se tha një zyrtar i lartë.

Media izraelite Channel 12 raporton se Presidenti i SHBA-së Donald Trump pritet të mbledhë ekipin e tij të ngushtë të këshilltarëve brenda 24 orëve të ardhshme për të marrë një vendim përfundimtar mbi rifillimin e sulmeve në Iran.
Sipas një zyrtari të lartë izraelit, të cituar nga Channel 12, "rifillimi i armiqësive po afron" dhe Izraeli po përgatitet për mundësinë e "ditëve ose javëve të luftimeve".
Sipas tij, amerikanët e kuptojnë se negociatat nuk po përparojnë dhe në Jerusalem po presin vendimin e Trump, teksa besojnë se situata do të bëhet e qartë brenda rreth 24 orëve.

Ministri i Brendshëm pakistanez, Syed Mohsin Naqvi, mbërriti sot në Teheran për t'u takuar me një numër zyrtarësh iranianë, raportoi agjencia e lajmeve Mehr. Naqvi zhvilloi bisedime me homologun e tij dhe zyrtarë të tjerë iranianë.
Burime pakistaneze i thanë kanalit të lajmeve Al-Arabiya, të drejtuar nga Arabia Saudite, se vizita e Ministrit të Brendshëm pakistanez Mohsin Naqvi në Iran kishte për qëllim arritjen e një "marrëveshjeje specifike".
Burimet shtuan: "Pala amerikane ka kërkuar përgjigje për pikat specifike të ngritura nga Uashingtoni. Është bërë përparim pozitiv në lidhje me Ngushticën e Hormuzit. Dera është e hapur për negociata mbi çështjet e pazgjidhura, përfshirë programin bërthamor të Iranit."

Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
Sipas mediave të huaja, lajmin e bëri të ditur vetë Kremlini zyrtar, i cili njoftoi se gjatë bisedës telefonike u diskutuan çështje që lidhen me krizën në Lindjen e Mesme dhe Iran.
"U diskutuan çështjet që lidhen me krizën e Lindjes së Mesme dhe Iranin. Të dyja palët theksuan rëndësinë e vazhdimit të procesit politik dhe diplomatik për të zhvilluar marrëveshje paqeje kompromisi, duke marrë parasysh interesat e të gjitha shteteve në rajon", thuhet në deklaratën e Kremlinit.
Komente











