Po zhvillohet një luftë spiunësh. Ajo përfshin si shërbimet izraelite të sigurisë, ashtu edhe ato amerikane. Dhe po zhvillohet përmes një rrjedhe të pandërprerë zbulimesh dhe informacionesh të nxjerra në publik.

Episodi më i fundit lidhet me vendimin e shefit të ri të Mossad-it, Roman Gofman, gjeneral dhe ish-sekretar ushtarak i Benjamin Netanyahut, për të larguar zëvendësin e tij, i njohur vetëm me pseudonimin Aleph. Një lëvizje që ka shkaktuar bujë për shkak të profilit të zyrtarit të shkarkuar, i konsideruar si një nga më me përvojë në shërbim.

Aleph, i dekoruar me shumë medalje dhe me 22 vite karrierë, synonte të emërohej në krye të inteligjencës izraelite. Kandidatura e tij mbështetej nga drejtori në largim, David Barnea, një tjetër protagonist i operacioneve të fshehta kundër Iranit. Për më tepër, Aleph konsiderohej një figurë e nivelit të lartë dhe klasifikohej si një "bibist" – siç shkruan Times of Israel – pra një mbështetës i ideve të kryeministrit Netanyahu.

Në fakt, ishte pikërisht ai që kishte propozuar dëbimin e palestinezëve nga Gaza dhe kishte sugjeruar Somalilandin si destinacion të mundshëm për ta. Por kjo nuk mjaftoi për ta shpëtuar nga largimi.

Gofman, sipas burimeve lokale, ka pak përvojë në botën e spiunazhit dhe është pritur me mosbesim nga një pjesë e aparatit. Ai nuk dëshironte të kishte pranë një bashkëpunëtor që mund t'i krijonte probleme brenda një sistemi tepër të ndjeshëm ndaj hierarkive, metodave të punës dhe marrëdhënieve të brendshme. Për këtë arsye, i kërkoi Aleph-it të largohej nga posti.

Aleph iu përgjigj duke i uruar suksese drejtorit të ri, ndërkohë që në Channel 12 u transmetua një intervistë me një funksionar të identifikuar me të njëjtin emër kodik dhe me detaje që përputhen me profilin e tij.

Yossi Melman, një nga ekspertët më të njohur të botës së inteligjencës, ka vënë në dukje dy elemente të rëndësishme. Së pari, Gofman ka vendosur të investojë më shumë në komunikimin publik, duke ia besuar këtë detyrë një figure të ardhur nga Shin Bet, shërbimi i sigurisë së brendshme. Së dyti, ai synon të mbyllë epokën e Barnea-s, çka mund të sjellë ndryshime të tjera, përfshirë largime vullnetare apo shkarkime të zyrtarëve të tjerë.

Gjithçka po ndodh në një moment veçanërisht delikat, ku po ecin paralelisht përplasjet ushtarake dhe përpjekjet diplomatike. Vështirësitë për të gjetur një rrugëdalje nga ngërçi iranian kanë shkaktuar tensione mes dy aleatëve, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

Në këtë kontekst janë shfaqur edhe raportimet se spiunazhi izraelit ka vepruar në dëm të SHBA-së, duke mbikëqyrur Steve Witkoff gjatë negociatave. Një histori që ka sjellë përgënjeshtrime, por edhe interpretime të ndryshme.

Interpretimi më i përhapur është ai i një përpjekjeje për t'ia atribuar problemet çiftit Netanyahu-Mossad, të paraqitur si "manipulatorë" të aftë për të bindur Donald Trump të niste operacionin "Epic Fury", pasi i kishin servirur si karrem idenë e një revolte popullore në Iran dhe të një rrëzimi të shpejtë të regjimit të ajatollahëve.

Përgjigjja e inteligjencës izraelite është e njohur dhe është përsëritur edhe në Channel 12. Sipas saj, nevojitej më shumë kohë për të arritur rezultate konkrete dhe strategjia duhej të zhvillohej përmes hapave gradualë. Megjithatë, sipas këtij interpretimi, Shtëpia e Bardhë e ndaloi ofensivën shumë herët.

Më pas erdhi edhe një sqarim tjetër: nuk është e vërtetë që amerikanët e kishin pritur me skepticizëm planin izraelit.

Historia është pasuruar më tej me elementë të rinj, të nxjerrë në media nga burime izraelite. Një prej tyre ka të bëjë me dërgimin e armëve te kurdët për t'i përfshirë në ofensivë. Bëhej fjalë për armatime të sekuestruara nga Hamasi dhe Hezbollah-u.

Edhe në këtë rast, versioni izraelit ndryshon nga ai amerikan. Këtë e nënvizoi në mënyrë indirekte David Barnea në një intervistë për Jerusalem Post: sipas tij, Trump ishte dakord me planin, pavarësisht se CIA kishte mbajtur një qëndrim të kundërt.

Sipas këtij versioni, skenari dështoi sepse zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i cili kundërshton përfshirjen e SHBA-së në aventura të reja ushtarake jashtë vendit, do t'ia kishte bërë të ditur planin presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.

Ankaraja ndërhyri për të bllokuar manovrën, pasi ishte e shqetësuar për forcimin e kundërshtarit të saj historik, të përfaqësuar nga lëvizja kurde./ Corriere della Sera