Edhe pse tensionet dhe blloqet kundërshtare në Ngushticën e Hormuzit vazhdojnë, administrata amerikane beson se është pranë një marrëveshjeje me Iranin. Të dy vendet, sipas asaj që raporton Axios, po punojnë mbi një memorandum prej një faqeje me 14 pika për t’i dhënë fund luftës. Ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare, por dispozitat përfshijnë pezullimin e përpunimit të uraniumit nga Irani, heqjen e sanksioneve amerikane, shpërndarjen e fondeve iraniane të ngrira dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit për anijet.
Nyjet më të vështira për t’u zgjidhur lidhen me pasurimin e uraniumit. Çështja thelbësore është se bombardimet amerikane dhe izraelite të këtij viti dhe të vitit të kaluar nuk e kanë ngadalësuar shumë programin bërthamor iranian: regjimit mund t’i mjaftojë një vit për të arritur bombën atomike, sipas asaj që burime të inteligjencës amerikane i kanë zbuluar agjencisë Reuters. Marrëveshja që administrata e Donald Trump po negocion nuk është e ndryshme nga ajo e arritur gjatë presidencës së Barack Obamas.
E vetmja gjë e re është çështja e Ngushticës së Hormuzit, e cila deri më 28 shkurt, kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara rifilluan bombardimet ndaj Iranit, ishte e hapur. Për Trumpin kjo është natyrisht një problem politik. Por presidenti druhet edhe nga rritja e çmimit të karburanteve të shkaktuar nga lufta, gjë që mund t’i kushtojë zgjedhjet parlamentare të ndërmjetme në nëntor.
Marrëveshja e mundshme do të përfshinte gjithashtu një armëpushim në Liban, shkruan Axios. Marrëveshja, ende në fazën përfundimtare të hartimit, “do t’i jepte fund luftës në të gjithë rajonin, përfshirë Libanin”.
Armëpushimi me Iranin ende nuk është shtrirë në frontin libanez, ku Izraeli është i angazhuar në një luftë kundër Hezbollahut. Nuk është ende e qartë nëse një marrëveshje e mundshme do të përfshinte tërheqjen e trupave izraelite nga Libani apo një rikthim te kushtet e armëpushimit të mëparshëm.
Irani pritet t’i përgjigjet sot draft-marrëveshjes amerikane, raporton CNN.
Lajm në përditësim…
Komente










