Presidenti Donald Trump i dha sot ultimatum Iranit, se nëse nuk hap plotësisht Ngushticën Hormuzit brenda 48 orëve, SHBA-të do të sulmojnë dhe shkatërrojnë termocentralet e tij. Nëse kjo do të ndodhë, Irani do të do të godasë infrastrukturën e energjisë dhe do të zhytë në errësirë të gjithë rajonin, ishte përgjigja e Teheranit cituar nga mediat.
Kërcënimet e Teheranit vijuan më tej edhe me mbylljen plotësisht të Hormuzit nëse SHBA do të bombardojë centralet e bërthamore të Iranit. Megjithatë në javën e katërt nga nisja e sulmeve Irani dhe SHBA kanë nisur të flasin me kushte për t’i dhënë fund luftës.
Mediat iraniane raportojnë për 6 kushte të vendosura nga Teherani. Siguri që konflikti të mos përsëritet, mbylljen e bazave amerikane në rajon, pagesën e kompensimit për Iranin, përfundimin e luftës kundër të gjitha grupeve rajonale të lidhura me Iranin, zbatimin e një regjimi të ri ligjor për Ngushticën e Hormuzit dhe ndjekjen penale dhe ekstradimin e punonjësve të medias anti-iraniane.
Edhe amerikanët po fokusohen tek negociatat me Iranin për t’i dhënë fund luftës. Agjencia Axios citon burime sipas të cilave të dërguarit e Trump, Jared Kushner dhe Steve Ëitkoff, po krijojnë një ekip për bisedime. Nuk flitet për kontakte të drejtëpërdrejta mes SHBA dhe Teheranit, por me ndërmjetësimin e Egjiptit, Katarit dhe Mbretërisë së Bashkuar për shkëmbimin e mesazheve. Egjipti dhe Katari kanë informuar SHBA dhe Izraelin se Irani është i interesuar për fillimin e negociatave, megjithëse me kushte shumë të ashpra.
Edhe SHBA, sipas tyre kanë vendosur gjashtë kushte, nga ndalesa 5 vjecare e programit bërthamor të raketave deri në ndalimin e plotë të pasurimit të uraniumit. Kushtet e tjera të vendosura nga SHBA-ja janë: çmontimi i objekteve bërthamore të Natanz, Isfahan dhe Fordoë; protokolle rigoroze të kontrollit të jashtëm në lidhje me prodhimin dhe përdorimin e centrifugave dhe pajisjeve përkatëse; traktate për kontrollin e armëve me vendet rajonale, të cilat përfshijnë një kapacitet maksimal raketash jo më shumë se 1,000 njësi si dhe asnjë financim për grupet e lidhura si Hezbollahu në Liban, Huthët në Jemen ose Hamasi në Gaza.
Pas vizitës në Uashington të kryeministres japoneze, Tokio po shqyrton mundësinë për vendosjen e forcave të saj të armatosura për operacione pastrimi të minave në ngushticën e Hormuzit. Por sipas ministrit të jashtëm japonez, kushti kryesor është një armëpushim i plotë.
Gjithsesi sulmet e ndërsjella me raketa nuk kanë ndalur edhe këtë të diel. Ushtria izraelite goditi në qendër të Teheranit. Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, urdhëroi edhe shkatërrimin e të gjitha urave mbi lumin Litani në Liban.
Ushtria iraniane pretendon se ka shënjestruar kompaninë shtetërore të mbrojtjes dhe hapësirës ajrore izraelite pranë Aeroportit Ndërkombëtar Ben Gurion në Tel Aviv. Raketa janë lëshuar edhe ndaj një avioni zbulues amerikan në Bazën Ajrore Prince Sultan në Arabinë Saudite.

Presidenti rus Vladimir Putin i dërgoi një mesazh urimi Presidentit iranian Masoud Pezeshkian me rastin e Novruzit, Vitit të Ri Persian, duke riafirmuar afërsinë e Moskës me Teheranin.
"Ne mbetemi një mik besnik dhe partner i besueshëm për Teheranin", tha Putin, sipas agjencisë iraniane të lajmeve Mehr.

"Vendet e NATO-s nuk po bëjnë asgjë, është një turp i madh", deklaroi Presidenti i SHBA-së Donald Trump në një intervistë me Kanalin 13 të Izraelit, në të cilën ai përsëriti akuzat e tij kundër Aleancës Atlantike për atë që ai e sheh si mungesë angazhimi në luftën kundër Republikës Islamike.
"Irani është sjellë tmerrësisht keq për 47 vjet. Tani po merr ndëshkimin e merituar", shtoi ai.

"Së shpejti do ta zbuloni se çfarë do të ndodhë me ultimatumin mbi termocentralet: rezultati do të jetë shumë pozitiv. Do të çojë në shkatërrimin total të Iranit dhe do të funksionojë shkëlqyeshëm", tha Presidenti i SHBA-së Donald Trump në një intervistë me transmetuesin izraelit Channel 13.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sulmoi ashpër presidentin izraelit, Isaac Herzog, duke e quajtur atë "gënjeshtar" në një intervistë me transmetuesin izraelit Channel 14. Trump pretendoi se Herzog premtoi të falte kryeministrin Benjamin Netanyahu, por "nuk e bëri kurrë".
Netanyahu është kryeministri i parë në historinë e Izraelit që gjykohet ndërsa është në detyrë: ai është akuzuar për korrupsion, mashtrim dhe abuzim me pushtetin. Gjyqi ka vazhduar për gati pesë vjet, me vonesa të shkaktuara edhe nga përpjekjet e përsëritura për të shtyrë dëshminë. Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar gjithashtu një urdhër arresti ndërkombëtar kundër me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në konfliktin e Gazës. Urdhëra arresti janë lëshuar gjithashtu për disa zyrtarë të Hamasit.

"Lajmi i mirë është se që nga e enjtja, një grup prej 22 vendesh - kryesisht NATO, por që përfshijnë edhe vende si Japonia, Koreja e Jugut dhe Bahreini, janë takuar për të siguruar që Ngushtica e Hormuzit të mund të rihapet sa më shpejt të jetë e mundur", tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në një intervistë me Fox Neës.
Kur u pyet për thirrjen e fundit të Donald Trump ndaj aleatëve të NATO-s si "frikacakë", Rutte nuk pranoi të jepte detaje mbi konfliktin. Megjithatë, ai theksoi se 22 vendet e të ashtuquajturit koalicion të Hormuzit janë bashkuar "për t'iu përgjigjur thirrjes së Trump".

"Ai po e bën këtë për ta bërë të gjithë botën të sigurt." Kështu, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Ai i dha mbështetjen e tij të plotë sulmit të Donald Trump ndaj Iranit, duke deklaruar se pret që, pavarësisht tensioneve aktuale, aleatët e NATO-s do t'i japin mbështetjen e tyre presidentit amerikan.
"Ajo që di është se ne gjithmonë arrijmë unitet", tha ai në një intervistë me CBS, duke pohuar se do të duhet kohë që vendet evropiane të mbështesin Trumpin sepse ato u lanë jashtë përgatitjeve fillestare të operacionit sepse SHBA-të dhe Izraeli donin të ruanin elementin e surprizës në sulm.
"E kuptoj frustrimin që presidenti tregon ndonjëherë", shtoi Rutte, gjithmonë një mbështetës i fortë i Trumpit, "por unë ende kërkoj pak mirëkuptim sepse kombet duhej të përgatiteshin për këtë pa e ditur."

Irani po kërcënon se do ta mbyllë plotësisht Ngushticën e Hormuzit nëse SHBA-të bombardojnë centralet e tij bërthamore, thotë ushtria e Teheranit.

Të dërguarit e Donald Trump, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, po formojnë një ekip për të negociuar me Iranin me urdhër të presidentit. Burime i thanë Axios. Nuk ka pasur kontakte të drejtpërdrejta midis SHBA-së dhe Iranit ditët e fundit, por Egjipti, Katari dhe Mbretëria e Bashkuar kanë vepruar si ndërmjetës për shkëmbimin e mesazheve, theksojnë burimet.
Egjipti dhe Katari kanë informuar SHBA-në dhe Izraelin se Irani është i interesuar të fillojë negociatat, megjithëse me kushte shumë të rrepta. Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur gjashtë kushte, nga një ndalesë pesëvjeçare e programit të raketave deri në një ndalesë të plotë të pasurimit të uraniumit.
Kushtet e tjera të vendosura nga SHBA-ja janë: çmontimi i objekteve bërthamore të Natanz, Isfahan dhe Fordow; protokolle rigoroze të kontrollit të jashtëm në lidhje me prodhimin dhe përdorimin e centrifugave dhe pajisjeve përkatëse; traktate për kontrollin e armëve me vendet rajonale, të cilat përfshijnë një kapacitet maksimal raketash jo më shumë se 1,000 njësi; asnjë financim për grupet e lidhura si Hezbollahu në Liban, Huthët në Jemen ose Hamasi në Gaza.
Donald Trump ka deklaruar ditën e sotme se pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit, Irani nuk është më një problem, por sipas Presidentit amerikan, problemi tani është Partia Demokratike në SHBA.
"Tani, me largimin e Iranit, armiku më i madh i Amerikës është Partia Demokratike e ekstremit të majtë dhe shumë e paaftë!", shkroi sot Presidenti i SHBA-së Donald Trump në Truth Social, pasi dje kërcënoi të dërgonte agjentë të ICE (Zbatimi i Imigracionit dhe Doganave) në aeroportet e vendit, nëse demokratët në Kongres nuk arrijnë një marrëveshje me republikanët për financimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare.
Sipas Ëashington Post, ngërçi në Kongres ka detyruar shumicën e punonjësve të Administratës së Sigurisë së Transportit (TSA) të punojnë pa pagesë për më shumë se një muaj, duke çuar në një rritje të mungesave në aeroporte.
"Nëse demokratët nuk lejojnë siguri në aeroportet tona dhe në të gjithë vendin, ICE do ta bëjë punën", shkroi Trump në një postim në blog dje, duke shtuar: "Pres me padurim vendosjen e ICE të hënën dhe u kam thënë tashmë të përgatiten".
Demokratët kanë kundërshtuar financimin për disa agjenci brenda Departamentit të Sigurisë Kombëtare për të detyruar republikanët të pranojnë ndryshime në ligjet e imigracionit, pas vrasjeve të Alex Pretti dhe Renée Good nga agjentët e ICE në Minneapolis.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përsëriti se është koha që udhëheqësit e vendeve të tjera të bashkohen me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara kundër Iranit, ndërsa konflikti me Teheranin po përshkallëzohet.
Në deklaratat e tij, Netanyahu theksoi se ndërsa reagimi ndërkombëtar deri më tani ka qenë i përmbajtur, "disa po fillojnë të lëvizin në atë drejtim" dhe mbështesin më aktivisht veprimet kundër regjimit iranian.
“Është koha të shohim udhëheqësit e vendeve të tjera të bashkohen. Disa prej tyre po fillojnë të lëvizin në atë drejtim”, tha mes të tjerash Netanyahu.
Sipas Netanyahut, ky ndryshim kursi vjen pasi këto vende kundërshtojnë idenë e një programi bërthamor iranian dhe ndikimin e Teheranit në Lindjen e Mesme.
Thirrja e kryeministrit izraelit vjen në një kohë të operacioneve të intensifikuara ushtarake midis Izraelit, SHBA-së dhe Iranit, me sulme ajrore të vazhdueshme, kundërsulme dhe tensione më të gjera rajonale.
Komuniteti ndërkombëtar po monitoron nga afër zhvillimet, ndërsa konfliktet ndikojnë në sigurinë, energjinë dhe marrëdhëniet gjeopolitike në rajon.

Disa anije që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit i nënshtrohen një "takse prej 2 milionë dollarësh", deklaroi deputeti iranian Alaeddin Boroujrdi në televizionin shtetëror iranian, raporton BBC.
Një "regjim i ri qeveritar" po imponohet në Ngushticë dhe "lufta ka kosto", tha politikani, duke shtuar se kjo tregon "autoritetin dhe të drejtat që gëzon Republika Islamike e Iranit".
BBC sqaron se nuk është në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimin e deputetit iranian në lidhje me tarifën.

Hamasi ka vlerësuar sulmet e fundit me raketa të Iranit në disa qytete të Izraelit.
Sipas mediave të huaja, përmes një deklarate, Hamasi ka theksuar se Irani është mbrojtësi kryesor i Islamit në botë.
“Irani përfaqëson vijën e mbrojtjes për të gjithë kombin islamik", u tha në një deklaratë nga Brigadat Al Qassam, krahu i armatosur i lëvizjes islamiste palestineze Hamas, duke lavdëruar sulmet e fundit iraniane në qytetet e Aradit dhe Dimonës, në Izraelin jugor.
Grupi i armatosur i përshkroi sulmet e Iranit si një "përgjigje të natyrshme" jo vetëm ndaj asaj që e quajti "agresion sionist-amerikan", por edhe ndaj fushatës së Izraelit kundër popullit palestinez.
Grupi islamist u bëri thirrje myslimanëve të qëndrojnë të bashkuar kundër "armikut të vërtetë".

Një zyrtar i lartë iranian i tha Al Jazeera-s se Irani nuk është përgjegjës dhe nuk është i përfshirë në sulmet me raketa kundër bazës ushtarake anglo-amerikane në Diego Garcia në Oqeanin Indian.
Mohimi erdhi pasi The Wall Street Journal raportoi se dy raketa balistike me rreze të mesme veprimi ishin lëshuar drejt bazës, por nuk arritën ta godisnin atë.
Diego Garcia është një nga dy bazat që Mbretëria e Bashkuar ka autorizuar Shtetet e Bashkuara të përdorin si pjesë të fushatës së saj kundër Iranit.
Incidenti i raportuar tërhoqi vëmendjen sepse Diego Garcia ndodhet 4,000 kilometra larg Iranit, dyfishi i limitit prej 2,000 kilometrash që Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi pretendoi se Teherani e ka vendosur qëllimisht për raketat e tij.
Ishulli, më i madhi i arkipelagut Chagos në Oqeanin Indian, ka pritur një prani të përbashkët ushtarake SHBA-Britani që nga vitet 1970 dhe shërben si bazë për bombarduesit me rreze të gjatë veprimi dhe asete të tjera strategjike.

Komandanti i Komandës Qendrore Khatam Al-Anbiya të Iranit, Gjenerali Abdollahi, njoftoi sot se "doktrina ushtarake e Iranit është zhvendosur nga një strategji mbrojtëse në një strategji sulmuese", me "taktikat e fushëbetejës të përditësuara në përputhje me rrethanat".
Sipas raporteve të medias iraniane, gjenerali shtoi: "Armët e përparuara të zhvilluara nga shkencëtarë të rinj tashmë po përdoren në betejë, dhe më shumë surpriza janë në rrugë e sipër".
Komanda Qendrore Khatam Al-Anbiya koordinon operacionet e ushtrisë dhe Gardës Revolucionare.

Irani ka vendosur gjashtë kushte për t'i dhënë fund luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Sipas mediave të huaja, kushtet për t’i dhënë fund luftimeve janë sigurimi që konflikti të mos përsëritet, mbyllja e bazave ushtarake amerikane në rajon, pagesa e kompensimit për Iranin, përfundimin e luftës kundër të gjitha grupeve rajonale të lidhura me Iranin, zbatimin e një regjimi të ri ligjor për Ngushticën e Hormuzit dhe ndjekjen penale si dhe ekstradimin e punonjësve të medias anti-iraniane.
Kjo u raportua nga agjencia e lajmeve Tasnim, një degë e IRGC-së.

Një helikopter i Katarit është rrëzuar në det, duke vrarë gjashtë persona në bord. Po ashtu një tjetër person që ndodhej në bord është zhdukur.
Ministria e Mbrojtjes e Katarit njoftoi për rrëzimin e helikopterit, duke shpjeguar se incidenti u shkaktua nga një "defekt teknik".

Pas ultimatumit të Presidentit Donald Trump drejtuar Republikës Islamike (48 orë për të rihapur Ngushticën e Hormuzit ose termocentralet iraniane do të jenë në shënjestër), agjencia e lajmeve Mehr e Iranit kërcënoi se edhe një sulm i kufizuar ndaj infrastrukturës së energjisë elektrike të Iranit do ta zhytte të gjithë rajonin në errësirë.
Kjo u raportua nga media opozitare iraniane me seli në Londër, Iran International. "Thuajini lamtumirë energjisë elektrike", shkroi media e lidhur me shtetin, duke deklaruar se "me sulmin më të vogël" ndaj infrastrukturës energjetike të Republikës Islamike, "i gjithë rajoni do të zhytet në errësirë".
Mehr publikoi gjithashtu një hartë të termocentraleve kryesore në vendet e Gjirit Persik, duke përfshirë vendet në Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Katarin dhe Kuvajtin, duke deklaruar se 70% deri në 80% të termocentraleve kryesore të rajonit janë ndërtuar përgjatë bregdetit të Gjirit Persik dhe janë brenda rrezes së raketave iraniane.
Komente










Qe nga krijimi i SHBA's,asnje President ne detyre,nuk ka quajtur "Armik te Amerikes" Partine Kundershtare !! Zot ruaje njerezimin nga ky Njeri i Pa qendrueshem,menderisht ! Cdo dite dicka te Re ! Tironci
PërgjigjuCFARE BENI MORE PO DIGJNI LINDJEN E MESME ME LUFTE...SEPSE NUK KENI THIRRUR NE BISEDIME LIDERIN BOTEROR EDI RAMA....PSE E LINI NE HIJE KETE YLL TE DIPLOMACISE NDERKOMBETARE......THIREENI MORE SIC E THIRRET PER LUFTEN RUSI-UKRAINE...E KENI TE SIGURTE PER 1 DITE E PUSHON LUFTEN.....
PërgjigjuPaske ironi shume te holle Bledi nuk kuptohesh fare, shume i squt
Ky yll qe thua ti o lum Miku......eshte shume me teper se diplomat...eshte koprofag i vertete
ky plan eshte ne agjenden Amerikane dhe Izraelite dote perdorin gjithcka per ta zhduk Iranin ,Iranin munden ta zhdukin por cka fitojne Radioaktiv.
Përgjigju