Brenda 10 ditësh nga nisja e luftës në Lindjen e Mesme, bursat janë futur në ‘shok’.

Kërcënimi i Iranit, për bllokim total të Ngushticës së Hormuzit, prej nga ku kalon 20% e konsumit ditor global me lëndë djegëse, përveçse ka ngadalësuar prodhimin, po shoqërohet me shtrenjtim të fortë të naftës bruto.

Nga 70 dollarë fuçia më 27 shkurt, një ditë para sulmit të SHBA-ve dhe Izraelit mbi Iran, sot çmimi ka arritur deri në 119 dollarë fuçia, dhe si mesatare po luhatet në 103 dollarë fuçia.

Edhe në Shqipëri efektet janë ndjerë menjëherë. Nga 173 deri 175 lekë litri para luftës, sot në disa pika çmimi ka arritur deri në 192 lekë për litër.

Shtrenjtimi i karburantit nëse lufta përshkallëzohet mund të pasohet nga një efekt zinxhir, duke rritur çmimet edhe për energjinë elektrike apo edhe të produkteve të shportës.

Në një situatë të ngjashme, në vitin 2022, qeveri ngriti Bordin e Transparencës që caktonte çmimet dhe fitimet e kompanive, e që pavarësisht se u dërgua në Kushtetuese nga opozita, përsëri mbeti në fuqi si i ‘ligjshëm’.