Kriza e çmimeve ka dhënë menjëherë ndikim në perceptimin e bizneseve dhe të qytetarëve dhe ata janë më pesimist për ecurinë ekonomike.
Në vrojtimin e muajit prill të Bankës së Shqipërisë thuhet se besimi në ekonomi ka rënë me 1.5% për shkak se disa sektorë dhe qytetarët kanë ulur besimin, me ndikimin kryesor të rritjes së çmimeve dhe kostove të transportit.
Ulja më e madhe ka qenë në sektorin e tregtisë me 3.6% për shkak se janë më pak optimiste për ecurinë aktuale të shitjeve, ndërkohë që çmimet projektohen në rritje të vazhdueshme.
Më pas vijnë konsumatorët, me -3.2%, duke shfaqur përkeqësim në të gjithë treguesit e besimit. Qytetarët pohojnë se janë pesimistë për ecurinë e gjendjes personale financiare, situatën ekonomike në të ardhmen, si dhe situata e blerjeve të mëdha. Pra qytetarët të ndikuar prej kostove të shtuara në dy muaj për shkak të Luftës në Lindjen e Mesme, kanë hequr dorë nga blerjet e mëdha.
Po ashtu edhe turizmi, mes pasigurive të shtuara, ka ulur besimin në ekonomi me 1.7% në prill i ndikuar nga ngadalësimi i ecurisë së aktivitetit të tyre.
Kurse ndërtimi është në terren pozitiv, me besim në rritje prej 4.9%. I ndikuar edhe nga procesi i rivlerësimit që ka zhbllokuar edhe tregun e shitje-blerjeve, ky sektor thotë se ka shtim të kontratave, edhe pse kanë raportuar për reduktim të aktivitetit ndërtues.
Edhe sektori i industrisë shfaq një përmirësim të lehtë me 1.5% si rezultat i shtimit të prodhimit industrial dhe rritjes së kontratave për porosi për eksport.
Komente









