Grupi i Rithemelimit i Berishës propozon rezolutë për agresionin rus në Ukrainë. Përmes një kërkese për mocion me debat, e firmosur nga disa deputetë dhe jo nga ish-Kryeministri Sali Berishës, grupi kërkon që rezoluta të dënojë sulmin e Krimesë dhe qendrimin e Serbisë ndaj Rusisë.

"E nderuar zonja Kryetare, bazuar në Nenin 98, pika 1 e Rregullores së Kuvendit, ju paraqesim kërkesën për mocion me debat në Kuvend në lidhje me situatën në Ukrainë pas agresionit rus. Në respekt të parimit të ruajtjes dhe mbrojtjes së integritetit territorial të një vendi mik të njohur ndërkombëtarisht si shtet i pavarur, si dhe në respekt të qindra mijëra civiléve të zhvendosur nga Ukraina për arsye të pushtimit rus, në respekt të qindra civilëve ukrainas te vrarë gjatë pushtimit dhe agresionit rus mbi Ukrainën, propozojmë miratimin e një rezolute, teksti i të cilës gjendet bashkangjitur kërkesës", thuhet në kërkesën e Komisionit të Rithemelimit.

Kujtojmë se dje kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla u ka dorëzuar kryetarëve të grupeve parlamentare të Partisë Demokratike, të “Aleancës për Ndryshim” dhe të “Demokraci dhe Integrim” një projekt-Rezolutë të Kuvendit të Shqipërisë “Për mbështetjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe mbrojtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë Evropiane”.

Përmes një postimi në Facebook, Balla deklaroi se kjo projekt-Rezolutë është konsultuar paraprakisht me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe po konsultohet nga grupet parlamentare si dhe nga Komisioni për Politikën e Jashtme. Balla shkruan se do të jetë seanca plenare më e afërt e Kuvendit të Shqipërisë që do ta shqyrtojë dhe miratojë.

(Klikoni këtu për të lexuar dokumentin)