Rusia nisi një valë të re sulmesh në Ukrainë këtë të martë, duke lëshuar rreth 70 raketa dhe gati 700 dronë. Sipas mediave ukrainase të pakën 22 persona u vranë (mes tyre dy fëmijë), ndërsa 130 të tjerë mbetën të plagosur.
Autoritetet ukrainase kanë urdhëruar evakuimin e mbi 7,000 civilëve nga disa qytete në rajonin e Kharkiv, që kufizohet me Rusinë në verilindje të vendit.
"Duke pasur parasysh situatën e sigurisë dhe sulmet sistematike të armikut, ne po zgjerojmë zonën e detyrueshme të evakuimit", tha guvernatori rajonal Oleg Synegubov në Telegram.
Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes së Rusisë raportoi se në këtë sulm masiv forcat ruse goditën dhjetë objekte prodhimi armësh në Kiev.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Rusia do të vazhdojë "operacionin e saj special ushtarak", ndërsa Ukraina konfirmon ngurrimin e saj për të negociuar në lidhje me paqen.
“Nëse pala tjetër vazhdon të vonojë procesin, duke hedhur poshtë bisedimet e vërteta për paqe dhe zgjidhjet serioze që i hapin rrugën një marrëveshjeje, operacioni special ushtarak do të vazhdojë", tha Peskov.
"Ne gjithmonë kemi thënë se, pavarësisht gjithçkaje, ne preferojmë të arrijmë qëllimet tona në mënyrë paqësore, përmes negociatave për paqe [...] E përsëris: ne mbetemi të hapur për negociata paqeje", shtoi zëdhënësi i Kremlinit.

Foto: Volodymyr Zelensky
Presidenti Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar qytetarët ukrainas se Rusia mund të nis një tjetër valë sulmesh gjatë natës.
"Falë inteligjencës, e dimë se një sulm masiv mund të ndodhë sonte. Ju lutem, ju lutem, t'i kushtoni vëmendje paralajmërimeve. Të gjithë partnerët së bashku, të gjithë në Evropë, duhet të vazhdojnë të punojnë për të na pajisur me raketa për mbrojtjen tonë ajrore, sistemet e nevojshme, informacionin jetësor dhe gjithçka që ndihmon në shpëtimin e jetëve. Është e qartë se Evropa ka nevojë për sistemin e vet të raketave antibalistike: një me vëllim dhe forcë të mjaftueshme për të garantuar mbrojtje nga çdo kërcënim. Do të ketë negociata, do të ketë takime që do të na afrojnë me këtë rezultat", tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Ai tha se në sulmin e mëparshëm me dronë e raketa nga 22 persona të vrarë, dy prej tyre ishin fëmijë.
"Fatkeqësisht, niveli i furnizimeve tona të mbrojtjes ajrore nuk na lejon të rrëzojmë një pjesë të konsiderueshme të raketave", dhe sot "pati goditje. Njëqind e tridhjetë persona u plagosën. Fatkeqësisht, 22 persona vdiqën, dy prej tyre fëmijë", tha Zelensky.
Komente






