Rotacioni i Putinit, misteret e sistemit demokratik të zgjedhjeve në Rusi

Rotacioni i Putinit, misteret e sistemit demokratik të zgjedhjeve në Rusi

(Vijon nga numri i kaluar)

Presidentët Jelcin, Putin dhe Medvedev kanë qenë liderë kryesorë të kësaj partie. Për më tepër, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit është vënë re se Rusia mori tiparet e një republike ku pushteti trashëgohet duke paracaktuar presidentin e ardhshëm. Në vitet 2000-2008 president ishte V. Putin. Rrethi i tij politik zgjodhi si president për vitet 2009-2014 një nga funksionarët kryesorë të administratës Dimitri Medvedjevin, kurse V. Putin u caktua kryeministër me kompetenca mjaft të gjera. Në vitin 2014 presient u rizgjodh Putin kurse Medvedev u caktua kryeministër. Sikurse shihet u krijua një oligarki politike ku janë mbledhur të gjithë besnikët e presidentit nga kuadrot e bashkisë së Petërburgut, apo kuadro të ish-KGB-së dhe institucioneve të tjera, të panjollosura nga korrupsioni i periudhës jelciniane.

     Sistemi demokratik i zgjedhjeve dhe rotacioni që lidhet me të, nuk njihen sa dhe si duhet në Rusi. Në shumë drejtime, gjatë presidencave të Putinit, theksi më tepër u vu në emërimet dhe u hoq dorë nga praktika e zgjedhjeve demokratike. Kështu, duke ecur në këtë rrugë, u krijuan rrethet (okrug) federale me në krye përfaqësuesit e presidentit, u hoq sistemi i zgjedhjes së guvernatorëve (2004), u rrit vartësia e autoriteteve lokale nga Moska. Emërimet apo skualifikimet e kuadrove bëhen në përputhje me kërkesat e Kremlinit dhe sipas teknikave politike që përdor partia në pushtet, kur emëron anëtarët e saj si edhe përfaqësues të partive aleate. Në fakt, gjithçka në shtetin rus vendoset nga një rreth tepër i ngushtë personaliteteesh ku përfshihen V. Putin (president), D. Medvedev (kryetar i qeverisë), S. Ivanov (sekretar i përgjithshëm i presidencës), S. Sjogun (ministër i Mbrojtjes), S. Lavrov (ministër i Jashtëm), A. Bordnikov (drejtor i FSB-së, Shërbimi Federal i Sigurimit), N. Patrushev (këshilltar i presidentit për çështjet e sigurimit kombëtar). Të gjithë këta kanë jo vetëm pushtet të pakufizuar politik, por zotërojnë edhe prona e kapitale të konsiderueshme.

     8) Rusia në vitet e transicionit u shndërrua në një shtet tipik oligarkik. Shtresa e oligarkëve lindi në kushtet e transicionit kaotik jelcinian. Ata ishin burokratë partiakë e shtetërorë që shfrytëzuan pozitën e tyre dhe përfituan nga privatizimet e përshpejtuara të viteve ’90 dhe vunë nën kontrollin e tyre ish-ndërmarrjet e krijuara gjatë epokës sovjetike. Ata shfrytëzonin kushtet e vështira të jetesë, nevojat për lëndët e para dhe ushqimore dhe falë çmimeve të larta arritën të zotërojnë kapital të konsiderueshëm. Midis tyre vend të veçantë zunë manjatët e firmave të naftës dhe të gazit, që kanë peshë të ndjeshme në prodhimin kombëtar dhe në eksportin drejt shteteve evropiane. Në ish-shtetin sovjetik prona shtetërore u shit tek ish-komunistët, te burokracia shtetërore e korruptuar  dhe te simpatizantët politikë me çmime shumë të ulëta. Duke pasur parasysh përmasat e ekonomisë sovjetike, atëherë del, sikurse vë në dukje R. Gilpin, në shtetin ish-sovjetik ndodhi në nga rishpërndarjet më të mëdha të pasurisë në historinë botërore.

Pushteti ekonomik i oligarkëve arrogantë

Pushteti ekonomik i bëri oligarkët arrogantë deri në atë shkallë sa guxonin të sfidonin në jetën politike edhe personalitetet më të rëndësishme shtetërore deri te presidenti i shtetit. Në qoftë se B. Jelcini ishte i dobët, i sëmurë dhe i paaftë të kontrollonte situatën, me V. Putinin llogaritë e vjetra nuk shkonin më. Ai me ligj forcoi kontrollin shtetëror, që i krijonte mundësi të godiste dhe të shpronësonte ata elementë që nuk ecnin sipas vijës së tij apo që guxonin ta rivalizonin atë në garën për president të republikës.

     Tipik është rasti i manjatit të naftës Khodorkovski, i cili kishte grumbulluar miliarda dollarë dhe filloi të aspirojë edhe për pushtet politik. Khodorkovski u akuzua për ato shfaqje që janë tipike për akumulimin fillestar të kapitalit: mospagim taksash, pastrim parash etj., dhe u dënua me burgim të gjatë, kurse kompania “Rosneft” u konfiskua.

     Presidenti V. Putin dhe “Grupi i Piterit” (Petërburgut), ku bashkoheshin të gjithë pasuesit e presidentit në aparatin shtetëror, punonjës aparatesh të rangjeve të ndryshme në qendër dhe në provinca, ish-oficerë të KGB-së, biznesmenë, gazetarë etj., nuk lejonin askënd që nuk u bindej atyre të vinin kapitale dhe t’i bënin karshillëk presidentit dhe të plotfuqishmëve të tij. Ky grup, gjatë dekadës së parë të shekullit të ri, mënjanoi gardën e vjetër jelciniane dhe detyroi “të pasurit e rinj” nëpërmjet ligjeve e ristrukturimeve, të rindanin me ta pronat dhe kapitalet e krijuara me rrugë të errëta. Grupi putinian vuri nën kontroll korporatat shtetërore të pasurive të nëntokës dhe krijoi një bazë të fuqishme ekonomike, e cila e lejon të diktojë vullnetin e saj në politikën e brendshme dhe të jashtme. Pa mëdyshje, ky grup di t’i përdorë këto pasuri, e sidomos naftën e gazin jo vetëm për të rritur forcën konkuruese të ekonomisë ruse në tregun evropian dhe botëror, por edhe për të plotësuar kërkesat gjeostrategjike, që artikulohen në përputhje me koniunkturat e krijuara në fillim të shek. XXI.

     9) Duke filluar nga shek. XVIII, Rusia filloi marshimin triumfal ushtarak në veri e në jug dhe në lindje e në perëndimin.

     Synimi themelor ishte që kufijtë e perandorisë të zgjeroheshin duke i aneksuar si provinca të shtetit rus. Në Rusi, në dallim me shtetet klasike perëndimore ku tokat e pushtuara shpalleshin si koloni dhe drejtoheshin nga një administratë e veçantë e caktuar nga metropoli, tokat e pushtuara në Azinë Qendrore dhe në Lindjen e Largët konsideroheshin si guberna që administroheshin njësoj si rajonet e tjera klasike të perandorisë.

     Duke filluar qysh me Pjetrin e Madh e deri te Cari i fundit Nikollaj II, Rusia ka qenë protagoniste aktive e konflikteve rajonale, evropiane dhe botërore. Herë me diplomaci, herë me dhumë nga pozitat e fitimtarit në luftë, herë me kërcënime, Perandoria Ruse u shtri deri në mesin e shek. XIX nga Arktiku në veri në Azinë Qendrore në jug, nga Polonia e Balltiku në perëndim në Oqeanin Paqësor në lindje. Ky shtet, me territorin më të madh nnë botë dhe ndër shtetet më të mëdha për numrin e popullsisë, kishte një potencial ushtarak të jashtëzakonshëm, sa që në fillimet e shek. XX vihej në dukje se imperializmi rus kishte karakter ushtarak. Me forcën e bajonetave Moska përpiqej të diktonte vullnetin e saj.

     Edhe pas Revolucionit të Tetorit shteti sovjetik nuk u çlirua nga komplekset nacionaliste e ekspansioniste. Ideologjia komuniste u përdor për të shtrirë ndikimin sovjetik në rajone të tjera të botës. Bashkimi Sovjetik shfrytëzoi fitoren në Luftën e Dytë Botërore për të krijuar kampin socialist, Traktatin e Varshavës dhe ishte protagonist themelor në luftën e ftohtë. Nuk ishte e rastit konsiderata e H. Kissinger se ky vend ka një histori të gjatë ekspansionizmi.

     Shpërbërja e perandorisë sovjetike në vitin 1991 uli peshën dhe rolin e Federatës Ruse në aspektin evropian dhe ndërkombëtar. Në fillim të shek. XXI, krahas ripërtëritjes ekonomike, Kremlini nën drejtimin e presidentit V. Putin i ka intensifikuar përpjekjet për të shtuar ndikimin ndërkombëtar në Evropë dhe në botë. Por shpesh politilogë e gazetarë të ndryshëm shtrojnë me të drejtë pyetjen se cila është e ardhmja e këtij vendi dhe ç’rol do të luajë në arenën ndërkombëtare.

     Ka një grup studiuesish që janë skeptikë dhe mendojnë se perandoria ruse është pa të ardhme dhe do të shpërbëhet në një varg shtetesh në përputhje me indvidualitetin e çdo populli. Këtë zgjidhje vështirë se do ta pranonin rusët, por edhe do të krijonte mjaft probleme për lidhjet ekonomike, tregtare dhe politike të shteteve më të vogla, të cilat nga të gjitha anët do të rrethoheshin nga shteti më i madh rus. Shembulli çeçen ka qenë prova më e mirë në këtë drejtim. Rruga më e mirë do të ishte demokratizimi i plotë dhe barazia rale ndërmjet të gjithë popujve që jetojnë në këtë shtet plurinacional.

     Pa mohuar ndryshimet që kanë ndodhur gjatë çerekshekullit të fundit, shteti rus dhe shoqëria ruse kanë një rrugë të gjatë për të bërë për realizimin e standardeve të një shoqërie të zhvilluar demokratike. E ardhmja do të tregojë sa dhe si shoqëria ruse do t’i ketë përvetësuar dhe do t’i zbatojë këto standarde. Realiteti rus, edhe tani në dekadën e dytë të shek. XXI, është i tillë që ka mjaft teoricienë që glorifikojnë misionin civilizues të rusëve në perandorinë e mëparshme dhe herë hapur e herë indirekt nuk pranojnë shembjen e saj.

Historia e Perandorisë ruse tek “100 vitet e ardhshme” George Friedman.

     Ndër autorët që është marrë gjerësisht me të kaluarën dhe me të ardhmen e perandorisë ruse është George Friedman nëë librin “100 vitet e ardhshme”. Sipas G. Friedman, paaftësia ekonomike dhe izolimi gjeografik ndihmuan në lindjen e Bashkimit Sovjetik. “Vendet që përbënin Bashkimin Sovjetik, - thotë autori, - ishin të lidhura nga nevoja. Ato nuk mund të garonin ekonomikisht me pjesën tjetër të botës, por, të izoluara nga gara globale, ato mund të plotësonin dhe të mbështesnin njëra-tjetrën”. Në kushtet e reja të shek. XXI, autori parashikon dobësimin dhe shpërbërjen e Federatës Ruse në shumë shtete më të vogla.

     Rusia nuk mund të qëndrojë jashtë proceseve të globalizmit dhe të integrimit. Të dy këto procese kërkojnë jo politikën imperialiste dhe të imponimit politik, ekonomik apo ushtarak, por respektimin e parimeve të lirisë, të barazisë dhe të përfitimit të ndërsjellë në raportet midis shteteve dhe kombeve. Fizionomia politike dhe ekonomike e Evropës nuk mund të jetë demokratike dhe e integruar në Perëndim dhe autoritariste e nacionaliste ekstreme në Lindje. Ku ndodhet Federata Ruse?

     Në dekadën e dytë të shek. XXI është krijuar kjo tablo kontradiktore në skenën politike evropiane, e cila është vështirë të parashikohet sa do të vazhdojë. Me sa duket, rruga e Rusisë në demokraci ka për të qenë e gjatë dhe e vështirë, pasi asaj i duhet që të korrigjojë, të plotësojë reformat e saj dhe të gjejë mirëkuptim, sinkronizim dhe harmoni me Perëndimin dhe me qendrat e tjera të politikës globale.

     Në botën postmoderne parësore janë bërë interesat. Parë në këtë prizëm, ashtu si Perëndimi duhet të ketë në konsideratë interesat e Rusisë, po ashtu edhe Rusia duhet që të llogarisë interesat e Perëndimit. Çdo shpërfillje e këtij realiteti në marrëdhëniet ndërkombëtare objektivisht çon në tensione politike dhe në luftëra lokale. Shembulli i Ukrainës është prova më e mirë se ka rreziqe në sigurimin ndërkombëtar, madje këto rreziqe ekzistojnë në kufijtë lindorë të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.

     Parë në prizmin global, vihet re se Rusia mban qëndrim të dyfishtë ndaj Perëndimit. Nga njëra anë ajo ka nevojë për përvojën, kapitalin dhe për teknologjinë e Perëndimit dhe nga ana tjetër, u bën rezistencë filozofisë dhe institucioneve demokratike e liberale. Me këtë shpjegohet përse reformat në këtë vend konceptohen vetëm nga lart dhe shoqërohen me reaksion dhe izolim konservator.

Lista e vendeve për GDP-në në vitin 2014

Nr.

Vendi

GDP në milionë dollarë

 

1.

2.

3.

4.

5.

6.

7.

8.

9.

10.

11.

12.

13.

14.

15.

Bashkimi Evropian

SHBA-ja

Kina

Japonia

Gjermania

Mbretëria e Bashkuar

Franca

Brazili

Italia

India

Rusia

Kanadaja

Australia

Koreja e Jugut

Spanja

18.460.646

17.419.000

10.360.105

4.601.461

3.852.556

2.941.886

2.829.192

2.346.118

2.144.338

2.066.902

1.860.598

1.786.655

1.453.770

1.410.383

1.404.307

 

 

Lista e vendeve perëndimore për GDP-në për frymë. Viti 2014 sipas të dhënave të Bankës Botërore

 

Nr.

Vendi

 

GDP në mijë dollarë

1.

2.

3.

4.

5.

6.

7.

8.

9.

10.

11.

12.

13.

14.

15.

16.

17.

Norvegjia

SHBA-ja

Holanda

Austria

Gjermania

Suedia

Danimarka

Kanadaja

Belgjika

Britania

Franca

Japonia

Italia

Spanja

Irlanda

Koreja e Jugut

Rusia

64.856

54.630

47.663

46.223

45.802

45.183

44.916

44.057

42.578

39.762

38.848

36.426

34.706

33.211

48.755

34.356

25.636

 

(Vijon në numrin e ardhshëm) (Fragment nga libri “Nga Gorbaçovi tek Putini”, A.Mezini. Titujt dhe nëntitujt janë redaksionalë. Përgatiti për botim Dhurata Hamzai)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Zhaneta: 29/08/2019 21:14

    Nje analize e shkelqyer nga Profesor Ademi per zhvillimet ne Rusi. Nje liber qe ja vlen te lexohet. Kujtoj me nostalgji leksionet tuaja profesor. Ishit shume i qarte ne analize dhe argumen. Historia e sotme e botes nje nga lendet me te bukura ne fakultet. Respekte.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja