Vazhdon telenovela për mandatin e vetëm të fituar nga koalicioni “Nisma Shqipëria bëhet”, bashkim i 2 forcave politike që drejtohen nga Endri Shabani dhe Adriatik Lapaj. Pas njeriut të Shabanit, në listën e mbyllur, Zeqir Kordhoni, në lojë është futur Kleana Xhuveli, e përzgjedhura e Lapajt dhe që në renditjen brenda listës, ndodhet mbi Kordhonin.

Pakti mes dy partive të cilat përfshinë në listën e mbyllur të afërmit e tyre, si kandidatë fiktivë, për t’i lënë rrugë një fituesi nga lista e hapur, u trondit pasi Kordhoni, daja i Shabanit, ndërroi mendje, dhe i kërkoi KQZ-së ta konsideronte si kandidat për të marrë mandatin e deputetit. Një lëvizje e cila e nxorri jashtë loje Lapajn, i cili priste të hynte në parlament, si më i votuari i listës së hapur.

Duke sulmuar ashpër Shabanin për situatën e krijuar, Lapaj paralajmëroi dje se Endri Shabani apo daja i tij, Zeqir Kordhoni, nuk do ta gëzonte mandatin e deputetit në Tiranë. Ai është kundërpërgjigjur me të njejtën taktikë. Në letrën dërguar KQZ-së, Xhuveli thotë se ka rikonsideruar qëndrimin e saj dhe ka vendosur të revokojë dorëheqjen e saj. Në këtë mënyrë, deri më tani mandati mbetet t’i shkojë asaj.

Por gjithçka mbetet e hapur, pasi në listën e mbyllur përpara Xhuvelit janë dhe tre emra të tjerë, të përzgjedhur si nga Lapaj ashtu dhe Shabani, që potencialisht mund të ndërrojnë mendje. Më e favorizuara është 60 vjeçarja Ana Dajko, një emër po ashtu i vendosur nga Lapaj, e cila është e para e listës.