Ministri i Jashtëm Iranian nisi një tur takimesh në rajon për të diskutuar mbi luftën me SHBA. Pas Pakistanit që ka ndërmjetësuar raundin e parë të negociatave dhe mbetet në pritje për një të dytë, Aragchi zhvilloi takime edhe në Oman, me të cilin Irani ndan Ngushticën e Hormuzit si dy vende me dalje bregdetare aty.
Në Pakistan Aragchi diksutoi hapat e mundshëm për të zhbllokuar negocviatat në vijim me SHBA, ndërsa mëngjesin e kësaj të hëne ai mbërriti në Rusi, ku pritet të takohet me Presidentin Vladimir Putin.
Irani u ka paraqitur Shteteve të Bashkuara një propozim të ri për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe për nisjen e bisedimeve mbi programin bërthamor të Teheranit në një fazë të mëvonshme.
Ai përmban tre pika kryesore, zgjatjen e armëpushimit, hapjen e ngushticës së hormuzit dhe heqjen e bllokadës detare amerikane. Kështu raporton Axios e cila sipas burimeve thotë se, propozimi i ri u është paraqitur SHBA-ve përmes ndërmjetësve pakistanezë.
“Diplomacia është në një fazë bllokimi dhe udhëheqja iraniane është e ndarë mbi çështjen se cilat koncesione bërthamore duhet të vihen në tryezë. Propozimi iranian do ta anashkalonte këtë problem, duke synuar një marrëveshje më të shpejtë”, raporton Axios.
Propozimi “përqendrohet në zgjidhjen e krizës që lidhet me Ngushticën dhe bllokadën amerikane”.
“Si pjesë e kësaj marrëveshjeje – shpjegon Axios – armëpushimi do të zgjatej për një periudhë të gjatë ose palët do të binin dakord për një përfundim përfundimtar të luftës. Sipas propozimit, negociatat për çështjen bërthamore do të fillonin vetëm në një fazë të mëvonshme, pas hapjes së Ngushticës dhe heqjes së bllokadës”.
Presidenti amerikan tërhoqi ekipin e tij negociator nga një udhëtim drejt Islamabadit duke thënë se nuk do të zhvillojnë udhëtime të kota që nuk sjellin asnjë rezultat. Negociatat kanë ngecur dhe një raund i dytë bisedimesh direkte nuk shihet afër. Sa i takon heqjes së bllokadës detare amerikane Trump ka theksuar se ajo do të qëndrojë aty deri në firmosjen e një marrëveshjeje nga e Iranit.
Trafiku detar në ujërat e Hormuzit ka sjellë ndërkohë një tjetër problem. Prej javësh, 2,400 marinarë janë të bllokuar në mbi 105 anije cisternë, të cilave u ndalohet të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Këtë e ka bërë të ditur BBC që thotë se në bordet e anijeve të bllokuara ka “shqetësim të madh, stres dhe lodhje”.
Ekuipazhet duhet të menaxhojnë me kujdes furnizimet bazë, përfshirë ushqimin dhe ujin, si dhe të kujdesen për mirëmbajtjen e anijeve në gjendje të plotë funksionale dhe për largimin e mbetjeve. Shumë prej këtyre marinarëve “janë të bllokuar pa asnjë siguri se kur do të mund të kthehen në shtëpi”, theksoi transmetuesi britanik.
Çështja e "tranzitit të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit është me rëndësi globale", tha Ministri i Jashtëm iranian
në Rusi, pasi akuzoi Shtetet e Bashkuara për "qasje që bënë që raundi i mëparshëm i bisedimeve" në Pakistan "të dështonte në arritjen e objektivave të tyre për shkak të kërkesave të tepërta".
Komente










