Kriza e çmimeve, nuk e ka frenuar furnizimin me karburant dhe shtimin e konsumit të tij pavarësisht se një litër naftë, benzinë apo gaz kushton më shumë se sesa përpara nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, më 28 shkurt.
Muajin e kaluar janë importuar 56 mijë e 903 tonë karburant, referuar shifrave zyrtare të drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Kjo është sasia më e madhe e importit të karburantit e regjistruar ndonjëherë në muajin mars.
Shifrat tregojnë se pavarësisht luftës, e cila e shtrenjtoi një litër me 30 lekë në muajin mars, konsumi u shtua me gati 2 mijë tonë më shumë se në mars të vitit të kaluar.

Referuar shifrave, importet e marsin ishin më të larta edhe se janari e shkurti, kur lufta nuk kishte nisur ende, dhe çmimi ishte në nivelet e 173-175 lekë për litër naftë. Krahasuar me Janarin, importet ishin afro 4 mijë ton më shumë, ndërsa më shkurtin gati 6 mijë ton më të larta.
Si periudhë tremujore, importet në total arritën 162 mijë tonë.
Nafta regjistroi shtrenjtimin më të lartë më 3 prill, duke shkuar në 233 lekë litri, por me uljen e akcizës me 20% nga qeveria, çmimi që u pagua nga konsumatorët ishte 224 lekë. Aktualisht për të përballuar këtë krizë të re që ka përhapur panik në të gjithë botën, në fuqi është edhe bordi i transparencës, ndërsa sektorë të shumtë kërkojnë subvencione direkte.
Transporti publik, ai ndërkombëtar i mallrave por edhe fermerët kërkojnë që qeveria të subvencionojë çmimin e rritur të karburantit, pasi kostot e shtuara të tyre do të përkthehen në çmime më të larta për konsumatorët.
Institucionet ndërkombëtare dhe ato vendase e konsiderojnë një ‘realitet të ri’ situatën aktuale, mes frikës që çmimet e karburantit, mund të pasohen nga një valë e fortë inflacioni thuajse në çdo produkt apo shërbim tjetër.
Komente










