Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar sërish. Një zëdhënës ushtarak iranian tha së Shtetet e Bashkuara shkelën armëpushimin dhe sulmuan anijet iraniane në Ngushticën e Hormuzit.
“Ne do t'i përgjigjemi çdo sulmi me forcë dhe pa hezitim", shtoi ai.
Agjencia e lajmeve Tasnim e Iranit raporton se tre shkatërrues amerikanë janë sulmuar nga raketa dhe dronë. Sipas tyre ushtria lëshoi raketa pas një "sulmi" amerikan ndaj një tankeri nafte, pas raportimeve për shpërthime në ishullin Qeshm në Ngushticën e Hormuzit.
"Pas sulmit ushtarak amerikan ndaj një tankeri iranian të naftës, anijet armike në Ngushticën e Hormuzit u vunë në shënjestër të raketave iraniane”, tha një zyrtar ushtarak.
'Ne nuk duam përshkallëzim, por jemi të pozicionuar dhe të gatshëm për të mbrojtur forcat amerikane', tha Centcom (Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara) teksa njoftuan se iu ishin përgjigjur sulmeve iraniane.
“Forcat amerikane patën sulme të paprovokuara nga Irani dhe iu përgjigjën me sulme vetëmbrojtëse. Ne eliminuam kërcënimet dhe goditëm objektet ushtarake iraniane të përdorura për të sulmuar forcat amerikane, duke përfshirë vendet e lëshimit të raketave dhe dronëve”, thuhet në deklaratë.
Rritja e tensioneve vjen pavarësisht se presidenti amerikan Donald Trump tha ditët e fundit se lufta në Iran do të "mbarojë shpejt". Agjencia amerikane e lajmeve Axios raportoi se Shtëpia e Bardhë mund të jetë duke u afruar drejt një memorandumi mirëkuptimi prej 14 pikash me Iranin, i cili mund të vendosë një kornizë për negociata më të hollësishme bërthamore.
Të mërkurën, një zëdhënës i ministrisë së jashtme iraniane tha se propozimi i fundit i SHBA-së po shqyrtohej dhe se Teherani do t'i ndante pikëpamjet e tij me ndërmjetësit pakistanezë.
Ministri i Jashtëm i Pakistanit tha se vendi i tij po "përpiqej ta shndërronte këtë armëpushim në një përfundim të përhershëm të kësaj lufte". Por një anëtar i lartë i parlamentit të Iranit e ka hedhur poshtë memorandumin e mirëkuptimit prej 14 pikash si një "listë dëshirash".
Si SHBA-ja ashtu edhe Irani kanë kërcënuar me përshkallëzim të dhunës nëse nuk përmbushen kushtet e tyre përkatëse për një marrëveshje paqeje. Në një postim në Truth Social më 6 maj, Trump shkroi se nëse Irani nuk bie dakord për një marrëveshje, "bombardimet do të fillojnë dhe, për fat të keq, do të jenë në një nivel dhe intensitet shumë më të lartë se më parë".
Lajm ne perditesim...

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei ka theksuar se propozimi i SHBA-së për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme është ende duke u vlerësuar.
"Lidhur me negociatat, propozimi i SHBA-së është ende duke u vlerësuar. Sapo të arrihet një përfundim, padyshim që do ta shpallim atë", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, për agjencinë iraniane të lajmeve Tasnim.
Lidhur me shkeljet e mundshme të armëpushimit, Baghaei deklaroi se Teherani mbetet "nominalisht në një situatë armëpushimi", duke shtuar se forcat e armatosura të vendit po monitorojnë nga afër zhvillimet.

Foto: Marco Rubio
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, në një konferencë për shtyp pas takimeve të tij qeveritare në Romë tha se presin një propozim serioz nga Irani sot.
"Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Do të ketë një zhvillim në orët e ardhshme. Gjërat janë të fragmentuara në Iran, por unë shpresoj vërtet për një propozim serioz prej tyre", tha Rubio.

Foto: Abbas Araghchi
Irani është gati të mbrohet "një mijë përqind" dhe qytetarët iranianë "nuk i përkulen kurrë presionit", pavarësisht "taktikave" dhe "mashtrimit" të Shteteve të Bashkuara, tha Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në një postim në X.
"Sa herë që vihet në tryezë një zgjidhje diplomatike, Shtetet e Bashkuara nisin një aventurë ushtarake të pamatur. A është thjesht një taktikë e verbër për të ushtruar presion? Apo është mashtrimi i një sabotatori që dëshiron ta tërheqë presidentin amerikan në një moçal të ri edhe një herë? Cilado qoftë arsyeja, rezultati është gjithmonë i njëjtë: iranianët nuk përkulen kurrë nën presion, por është gjithmonë diplomacia ajo që humbet", shkroi Araghchi.
Ministri më pas mohoi disa informacione që i atribuohen CIA-s në lidhje me aftësitë ushtarake të Teheranit, duke deklaruar se agjencia amerikane "gabohet".
"Rezervat tona të raketave dhe kapaciteti i lëshuesve nuk janë në 75 përqind të asaj që ishin më 28 shkurt; Shifra e saktë është 120 përqind. Dhe gatishmëria jonë për të mbrojtur popullin tonë: 1000 përqind!", përfundoi ai.

Foto: Kamala Harris
Ish-zv.presidentja amerikane Kamala Harris kritikoiadministratën Trump për luftën me Iranin, duke thënë: “Është e gjitha thjesht budallallëk!”
“Kur shikon këtë luftë në Iran, të cilën populli amerikan nuk e do, që nuk është autorizuar nga Kongresi, por edhe nëse do të ishte, nuk duhej të ishte nisur. Ai foli për shkatërrim total, dhe pastaj tha se e bëri… është e gjitha thjesht budallallëk" tha Harris para një takimi me demokratët në Nevada, në Las Vegas.
“Më parë kam premtuar se nuk do të përdor më fjalë të tilla në publik,” shtoi ajo me ironi, citon CNN.
Deklaratat e Harris vijnë ndërsa presidenti Donald Trump paralajmëroi Iranin të nënshkruajë një marrëveshje “shpejt” pas sulmeve ndaj anijeve luftarake amerikane në Ngushticën e Hormuzit.
“Doni të dini kush është fituesi më i madh i luftës me Iranin? Rusia. Për shkak të çështjes së naftës, çfarë ka bërë ai? Ka hequr sanksionet ndaj Rusisë. E dini çfarë do të thotë kjo? Ata po fitojnë para duke shitur naftë që më parë nuk mund ta shisnin. Çfarë tjetër do të thotë? Ne po dërgojmë artileri, municione dhe mbrojtje ajrore që përndryshe do të shkonin në Ukrainë. Pra, pasojat janë të mëdha,” tha ajo.
“Unë nuk do ta quaj thjesht idiot. Ai është i rrezikshëm. Ai është i rrezikshëm!”, shtoi më vonë Harris.
Ish-zv.presidentja gjithashtu komentoi opinionin e fundit të Gjykatës Supreme për Ligjin e të Drejtës së Votës, duke thënë se ai do të ketë një “ndikim të madh” në zgjedhjet e mesmandatit.
“Ata po e bëjnë qëllimisht më të vështirë për njerëzit të votojnë, sepse e dinë që njerëzit nuk janë budallenj dhe po i kushtojnë vëmendje kostos së karburantit, kostos së banesave dhe kostos së kësaj lufte,” tha Harris duke iu referuar përpjekjeve të republikanëve për rishpërndarjen e zonave zgjedhore.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë përsëritur me vendosmëri refuzimin e tyre për çdo formë takse ose tarife për kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Kështu deklaroi nga Nju Jorku Përfaqësuesi i Përhershëm i Emirateve të Bashkuara Arabe në Kombet e Bashkuara, Mohammed Abu Shehab, gjatë një takimi mbi projekt-rezolutën e Gjirit dhe SHBA-së në lidhje me kalimin detar.
“Ne hedhim poshtë vendosjen e çdo tarife për kalimin në Ngushticën e Hormuzit. Këto rrugë ujore ndërkombëtare nuk duhet t'i nënshtrohen shantazhit", tha Abu Shehab duke akuzuar Iranin për "vendosjen e minave dhe vendosjen e taksave" në zonë.
Diplomati theksoi se "kërcënimet dhe sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit nuk kanë ndalur", duke e quajtur projekt-rezolutën, e cila bën thirrje për heqjen e minave, jetësore për të siguruar lirinë dhe sigurinë e lundrimit.

Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan sot se mbrojtja e tyre ajrore është e angazhuar për sulmet me raketa dhe dronë nga Irani.
“Mbrotja ajrore e Emirateve të Bashkuara Arabe po përballet aktualisht me sulme me raketa dhe dronë që vijnë nga Irani”, deklaroi Ministria e Mbrojtjes në një postim në platformën X.
Ofensiva vjen vetëm disa orë pas shkëmbimit të zjarrit midis forcave amerikane dhe Republikës Islamike, duke përshkallëzuar më tej tensionet në një zonë ku armëpushimi i brishtë, në fuqi për gati një muaj, tani duket se është pranë fundit.
Komente








