Presidenti Donald Trump tha se SHBA-të do të shtyjnë për 10 ditë të tjera goditjen e objekteve energjetike iraniane, pasi “vijojnë bisedimet” me Teheranin. Pezullimi i sulmeve ishte planifikuar të skadonte të premten.

Irani nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj vendimit të Trump, por më herët Teherani tha se po priste që Uashingtoni t’i përgjigjej kushteve të tij për një armëpushim.

Presidenti amerikan tha se Uashingtoni kishte shkatërruar “plotësisht” marinën dhe forcën ajrore të Iranit, kishte neutralizuar “afërsisht 90%” të lëshuesve të raketave dhe “ndoshta më shumë se 90%” të vetë raketave.

Wall Street Journal raporton se Pentagoni po shqyrton dërgimin e deri në 10,000 trupave shtesë amerikane në Lindjen e Mesme.

Në një mbledhje të kabinetit, i dërguari special Steve Witkoff konfirmoi se SHBA i kishte dërguar Iranit një plan paqeje me 15 pika. Trump tha se SHBA-të do të ishin “makthi më i keq” i Iranit nëse nuk do të pranonte një marrëveshje paqeje.

Irani është përgjigjur me pesë pika të vetat ndaj propozimit duke kërkuar dëmshpërblime dhe një garanci kundër sulmeve të ardhshme.

Izraeli thotë se ka ndërprerë breshëritë e reja të raketave nga Irani dhe ka kryer sulme të reja në Bejrut dhe Teheran. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se IDF-së i mungojnë rreth 15,000 trupa për të qenë në kapacitet të plotë për luftime në disa fronte.

Gjithashtu është konfirmuar vrasja e komandantit të marinës iraniane, Alireza Tangsiri, i cili mbikëqyrte bllokadën e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të ngarkuara në botë për transportin e naftës.

Zëvendëskryeministri i Libanit është shprehur “nuk ka dyshim që Izraeli po kryen krime lufte” në vendin e tij dhe po “shkel Marrëveshjen e Gjenevës.”

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:29
Izraeli nis valë të re sulmesh ndaj Iranit: Po godasim objektiva në zemër të Teheranit

Izraeli ka nisur një valë sulmesh ndaj Iranit herët këtë mëngjes.

Sipas Izraelit, po goditen objektiva “në zemër të Teheranit”, pa dhënë menjëherë detaje të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë natës ka pasur sulme në disa vende. Mbi Bejrut është parë të ngrihet tym, por Izraeli s’ka konfirmuar ende nëse ka kryer sulme.

Izraeli ndezi sirenat e alarmit ajror, por tha se ushtria ka shkatërruar raketat iraniane. Në postin Shuëaikh në Kuvajt kanë rënë dronë, por nuk pati të lënduar apo viktima.

Ora 08:28
Ministri i Jashtëm gjerman: SHBA e Irani po përgatiten për takim të drejtpërdrejtë në Pakistan

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka deklaruar se përfaqësues nga SHBA dhe Irani po planifikojnë të takohen për bisedime në Pakistan, raporton Reuters.

Duke folur për radion Deutschlandfunk, Wadephul tha se ka pasur “kontakte indirekte” mes dy vendeve dhe se “janë bërë përgatitje për t’u takuar drejtpërdrejt”, gjë që ai beson se do të ndodhë “shumë shpejt në Pakistan”.

Ora 08:02
‘Përmbahuni’, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike paralajmëron aksidentin bërthamor

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) po bën thirrje për “përmbajtje maksimale” për të shmangur një aksident bërthamor në Iran.

Paralajmërimi vjen pas një sulmi të raportuar pranë centralit bërthamor në Bushehr në jugperëndim të Iranit të martën.

“Duke qenë se është një central bërthamor në funksion me një sasi të madhe materiali bërthamor, Drejtori i Përgjithshëm Rafael Mariano Grossi paralajmëron se dëmtimi i objektit mund të rezultojë në një aksident të madh radiologjik që do të prekë një zonë të gjerë në Iran dhe më gjerë,” thuhet në deklaratën e agjencisë së OKB-së.

Ora 07:47
Më shumë përforcime, Pentagoni konsideron të dërgojë 10 mijë trupa amerikane në Lindjen e Mesme

The Wall Street Journal raporton se Pentagoni po shqyrton dërgimin e 10,000 trupave shtesë tokësore në Lindjen e Mesme.

Sipas raportit, dërgesa e mundshme synon t’i japë Trumpit “më shumë opsione ushtarake ndërsa ai peshon bisedimet e paqes me Teheranin”.

Trupat kanë të ngjarë të përfshijnë këmbësorë dhe mjete të blinduara, dhe do t’u shtohej rreth 5,000 marinsave amerikanë që tashmë janë zhvendosur në rajon.

Nuk është e qartë se ku do të vendosen trupat e reja.