Edhe pse ishte paralajmëruar se këtë të diel do të shpallej një marrëveshje e mundshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, mbeten ende në ngërç negociatat për të arritur një memorandum mirëkuptimi. Presidenti Donald Trump thotë se ka marrë garanci nga Teharani se nuk do të zhvillojë armë bërthamore. Sipas tij procesi për marrëveshje edhe pse po ecën ngadalë është në drejtimin e duhur.
Por kryenegociatori i Teheranit, kryetari i parlamentit Iranian, Mohammad Ghalibaf paralajmëroi se nuk do të miratojë asnjë marrëveshje me Uashingtonin pa garanci për të drejtat, pasi nuk i beson premtimeve të armikut.
Sipas mediave ndërkombëtare, drafti i marrëveshjes është dakordësuar në parim nga negociatorët kryesorë të të dyja palëve, por miratimi final nga udhëheqja iraniane, ende nuk është dhënë. Kjo situatë ka irrituar presidentin Trump, i cili ka kërkuar ndryshime të reja. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka urdhëruar shtrëngimin e kushteve, duke këmbëngulur se Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore dhe se rezervat e tij të uraniumit të pasuruar duhet të neutralizohen ose shkatërrohen nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Po ashtu, ka paralajmëruar se heqja e sanksioneve nuk do të ndodhë deri në njoftim të mëtejshëm.
Drafti përfshin ndalimin e armiqësive, një periudhë 60-ditore negociatash për një marrëveshje përfundimtare, si dhe lehtësime të mundshme ekonomike për Iranin, përfshirë lirimin e aseteve të ngrira dhe heqjen graduale të sanksioneve. Gjithashtu parashikohet rifillimi i lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe krijimi i një fondi ndërkombëtar për rindërtim pas konflikteve.
Ndërkohë trupat izraelite pushtuan një nga pikat kryesore strategjike në Libanin Jugor, Kështjellën Beaufort, e ndërtuar nga kryqtarët rreth 900 vjet më parë, ku po zgjeron operacionet kundër Hezbollah.
Ministri Katz, festoi vendosjen e flamurit dhe pushtimin duke kujtuar një betejë që ushtria izraelite zhvilloi për të 44 vite më parë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e përshëndeti pushtimin si një pikë kthese në fushatën kundër Hezbollahut. Për libanezët, ky është monumenti më i fundit historik që është pushtuar ditët e fundit.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar se “dialogu dhe shkëmbimi i mesazheve vijojnë” me Shtetet e Bashkuara, por "gjithçka që thuhet tani është spekulim."

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar se “dialogu dhe shkëmbimi i mesazheve vijojnë” me Shtetet e Bashkuara, pavarësisht fazës së ngërçit në negociata, raporton Al Jazera.
Sipas Araghchi-t, “nuk është e mundur të jepet një vlerësim derisa të arrihet në një përfundim të qartë; gjithçka që thuhet tani është spekulim dhe nuk duhet të merret seriozisht derisa të ketë siguri dhe qartësi.”

Presidenca iraniane ka mohuar raportimet e mediave izraelite për dorëheqjen e mundshme të Masoud Pezeshkian për shkak të situatës së ndërlikuar politike dhe ekonomike në Iran.
“Vazhdoj të punoj dhe jam i gatshëm për çdo eventualitet”, citohet të ketë thënë presidenti.
Në një postim në X, Pezeshkiani pohon se “nuk është e mundur të përballohen sfidat e mëdha pa kaluar vështirësi”, dhe flet për nevojën që t’i shpjegohet popullsisë realiteti “në mënyrë që të gjitha shtresat e shoqërisë të marrin pjesë në zgjidhjen e problemeve. Kjo dhimbje e përbashkët nuk do të shërohet kurrë veçmas.”

Irani mbetet nën “hijen e luftës” dhe forcat e armatosura vazhdojnë të jenë në gatishmëri të lartë, tha zëdhënësja e qeverisë Fatemeh Mohajerani, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA.
Mohajerani deklaroi se diskutimet për një marrëveshje të re detare për Ngushticën e Hormuzit dhe negociatat e vazhdueshme po ecin përpara në përputhje me opinionin publik, duke i përshkruar iranianët si “karburant për raketat iraniane” dhe theksoi gatishmërinë e vazhdueshme të Teheranit në mes të tensioneve rajonale.
liban.jpg" style="height:519px; width:780px" />
Parisi ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lidhur me operacionet ushtarake të Izraelit në Liban, të cilët i ka deklaruar si “shumë shqetësuese.”
“Asgjë nuk mund të justifikojë zgjatjen e operacioneve ushtarake në Liban dhe pushtimin gjithnjë e më të thellë të territorit libanez,” tha ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot. Ai shtoi se veprimet e Izraelit përbëjnë “një gabim të madh”.
Barrot gjithashtu u bëri thirrje Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të arrijnë një marrëveshje për të ulur tensionet, duke thënë se “situata është e paqëndrueshme”.
“Pasojat e bllokimit të Ngushticës së Hormuzit ndihen çdo ditë, në pompën e karburantit, dhe më gjerësisht përmes ndikimit të saj në ekonominë globale dhe ekonominë franceze,” tha ai.
Ministri francez shtoi se planet për një mision që synon të mbrojë lirinë e lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit mbeten nën shqyrtim, me punën e planifikimit të avancuar dhe diskutime që po vazhdojnë si me Teheranin ashtu edhe me Uashingtonin.
Komente








mjaft zoti trump...pasojat po i hame ne fukarenjte....jo juve pasaniket,,,..c'taksirat kemi ne shqiptaret te paguajme 2000 lek/litri i naftes.....edhe ti kerkosh falje iranit....dhe demshperblim 50 miliard dollare per demin ...e krijuar......
Përgjigju