Pas heshtjes së pakuptueshme 2-ditore, Sali Berisha shfaqi sot qëndrimin e tij për resortin që është planifikuar tëndëtohet në Zvërnec, një investim që kap vlerën e 4 miliardë eurove.

Kreu i Partisë Demokratike, e cilësoi investimin e planifikuar ndër më seriozët që Shqipëria ka njohur në 13 vitet e fundit, por tha se Partia Socialiste po tenton të pengojë realizimin e tij. 

Sa i përket protestave të banorëve që pretendojnë se po u merret padrejtësisht prona që kanë në Zvërnec, Berisha tha se shteti duhet të kryejë detyrën e tij për verifikimin dhe hetimin thellues ndaj çdo prteendimi, dhe në rast se nevojitet, dëmshpërblimin e çdo qytetari që i takon.

"Por, në gjithë këtë histori, çfarë kemi? Investitori i vetëm i huaj në 13 vite po përballet me përpjekje për t’u larguar nga Shqipëria. Po jua them qartë: prej 13 vitesh nuk ka asnjë investitor të huaj të rëndësishëm në tokën shqiptare.

Sipas ‘Europe Tender’, asnjë tender në Shqipëri nuk është fituar nga kompani europiane. Mos e harroni këtë fakt. Një prej kompanive më të fuqishme, e cila do të ndërtonte një resort turistik në Gjirin e Lalzit me vlerë 1.5 miliardë euro, u përball me pengesa dhe presione të vazhdueshme deri në largimin e saj. Pronari i saj priste në zyra për zgjidhje, por pa rezultat.

Sot nuk kemi asnjë investitor të huaj të rëndësishëm. Çfarë po ndodh? Cili është qëndrimi i Partisë Demokratike?

Qëndrimi ynë është i qartë: ne besojmë se investimet e huaja janë jetike për zhvillimin e Shqipërisë. 

Nga viti 2008 deri në vitin 2013, investimet e huaja varionin nga 1.2 deri në 1.4 miliardë euro në vit.

Ndërkohë sot, Partia Demokratike vazhdon të mbështesë investimet e huaja, por ju po largoni të vetmin investitor të huaj që ka mbetur në Shqipëri. Mbajeni shënim këtë.

Vetë ai tha: ‘Ju më votuat mua’. Pra, e hoqi maskën. E pranoi hapur.

Nëse një investitor disponon një projekt të miratuar nga qeveria dhe dokumente të firmosura nga institucionet zyrtare, kadastra dhe agjenci të tjera shtetërore, atëherë, pasi shteti e ka miratuar projektin, investitori nuk duhet të mbajë përgjegjësi për konfliktet e mëvonshme.

Çdo qytetar që pretendon padrejtësi apo abuzim duhet të përballet me shtetin, i cili ka detyrimin ta dëmshpërblejë me vlerën reale të tregut dhe, njëkohësisht, të ndëshkojë me forcën e ligjit falsifikatorët dhe spekulantët.",- tha Berisha.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamnetar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, nënvizoi se "investimi do të bëhet", ndërsa dha dhe një përgjigje për mediat greke.

"Mos harroni se komshiu e ka zili komshiun; ndoshta jo i pari, por elementë të tjerë do ta donin investimin për vete”,- tha Balla.

lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:43
‘Zvërneci’- Braçe nga Kuvendi: Kam denoncuar i pari grabitjen e tokave në Vlorë! Pas 1993, u ndanë me 7501-shin për ata që thonë ‘jam grek’

1780332256_xdgyuioo.JPG

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, është shprehur në Kuvend se problemet dhe ngatërresat me pronat në Vlorë, por edhe në gjithë Shqipërinë, kanë nisur që nga viti 1993 me ligjin 7501.

Komentet Braçe i bëri teksa komentoi situatën në Zvërnec, ku banorët vendas kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik në zonë, e cila është zonë e mbrojtur.

Braçe tha se procesi i turpshëm i shndërrimit të tokës që ishte fond pyjor, në tokë bujqësore, për t’u ndarë më pas me ligjin 7501 për të gjithë ata që sot sipas deputetit socialist thonë ‘jemi grekë’, ka sjellë këto shqetësime.

“Në vitin 2009, drejtuesi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave ka qenë njëri që ti e njeh shumë mirë. Meqë i përmende emrin, kam qenë i vetmi në këtë sallë që në vitet 2000-2003 kam qenë i pari që kam denoncuar grabitjen e pronave në Vlorë dhe veçanërisht në këtë territor për të cilin bëhet fjalë. Mund të hapësh gazetën Zëri i Popullit, është publikuar 200 ditë rresht, se çfarë i kishte ndodhur nga viti 1993 dhe në vijim, veçanërisht me atë procesin e turpshëm të shndërrimit të tokës që ishte fond pyjor, në tokë bujqësore, për t’u ndarë me 7501 për të gjithë ata që sot thonë jemi homogjenë grekë”, tha mes të tjerash Braçe.

Ora 18:38
Deputeti socialist shpjegon konfliktin e pronave në Zvërnec dhe mbron projektin 4 miliardë euro: Gjiri i Vlorës mund të bëhet elitar në Mesdhe

1780330429_bido.jpg

Deputeti socialist Ardit Bido tha në Kuvend se protesta e zhvilluar në Zvërnec përbëhej nga dy grupe të ndryshme që, sipas tij, nuk duhet të trajtohen njësoj. Ai argumentoi se një pjesë e protestuesve janë banorë të zonës që pretendojnë pronësinë mbi tokat ku parashikohet investimi dhe që prej dekadash ndjekin procese gjyqësore për shkak të vendimeve të debatueshme mbi pronat. Sipas Bidos, ata kanë të drejtë të kërkojnë zgjidhje për çështjen e pronësisë, por nuk janë kundër zhvillimit të Zvërnecit dhe as kundër investimit në zonë. Ai tha se konflikti lidhet me pretendime të ndryshme pronësore që datojnë që nga vitet ’30 dhe me vendime të marra nga institucionet shtetërore ndër vite.

Për grupin tjetër, Bido tha se bëhet fjalë për kundërshtarë të projektit, ambientalistë dhe aktorë të tjerë që sipas tij nuk duan zhvillimin e zonës. Deputeti socialist mbrojti hapur investimin prej 4 miliardë eurosh, duke argumentuar se Gjiri i Vlorës ka potencial të kthehet në një destinacion elitar turistik në Mesdhe dhe se Shqipëria nuk duhet të humbasë mundësi të tilla zhvillimi. Në këtë kontekst, ai ngriti edhe dyshime për praninë e tre autobusëve me protestues të ardhur nga Greqia dhe për deklaratat e Fredi Belerit mbi Zvërnecin dhe Nartën, duke pyetur nëse pas kundërshtimeve ndaj projektit qëndrojnë interesa të tjera që synojnë të pengojnë zhvillimin turistik të zonës.

"Dua të flas sot me atë që pamë këto ditë në Zvërnec, duke nisur me një vlerësim për aktin e fundit të Ministrisë së Brendshme që dëgjoi thirrjen e Vlonjatëve për të hequr licencat e banditëve të cilët kishin uniformën e një policie private. Ato skena ishin të turpshme për Shqipërinë. Skena të tilla nuk pijnë ujë në Vlorë, përkundrazi prodhojnë më shumë reagim dhe inat. Në protestë pamë dy kategori të ndryshme: banorët e Zvërnecit të cilët kanë një petendim mbi pronësinë e tokës së tyre. Ata janë pro zhvillimit dhe duan që territori i Zvërnecit të zhvillohet dhe Vlora të kthehet në një pikë turistike elitare siç i takon Shqipërisë. Ata pretendojnë se prona nuk i takon Shehit të Kaninës siç është marrë vendim nga Agjensia e Kthimit të Pronave në vitin 2009, madje nga një emrë i lidhur ngushtë me PD, por se i takon një fisi tjetër, fisit Balliu, që ka një pretendim pronësor që në vitin ’30. Agjensia e Kthimit të Pronave ia ka refuzuar që në vitin 2009 me një argument që ndoshta nuk qëndron, e që në bindjen time nuk qëndron.

Sikurse janë banorët e fshatit që pretendojnë  se nëse këto dy tituj pronësie nuk janë të saktë, atëherë është ligji 7501 që funksionon. Është e qartë si dritë e diellit që aty nuk ka tokë që do të mbetet publike në fund. Ose i takon atij që e ka me çertifikatë pronësie që në vitin 2009, falë akteve të PD-së, ose fisit Balliu që e pretendon falë një kontrate shit-blerje të viteve 30, ose nëse të dyja titujt do të ishin të pavlefshëm do u takonte banorëve me ligjin 7501. Kjo është kategoria e parë. Ata kanë të drejtë që protestojnë sepse kanë një kalvar gjyqesh të padrejta prej akteve të paformësuara siç duhet ligjërisht nga një administratë që nuk dinte çfarë bënte me pronat. Ata kanë të drejtë të protestojnë sepse protestojnë për pronën që pretendojnë se është e tyre. Ndoshta nuk kanë të drejtë të protestojnë aty sepse kanë 30 vite që sorrollaten gjykatave dhe nuk gjejnë të drejtën. Të drejtën e kanë ama. Kategoria e dytë që pamë në protestë ishte ajo kundërthënëse.

Ishte kategoria e atyre që thonë se janë anti-oligarkë dhe që nuk duan asnjë lloj zhvillimi në asnjë lloj forme apo ambientalistët që duan ta lënë Nartën si një tokë të paprekur. Unë dua të bëj një pyetje, duke mos rënë dakord me vendimin e PS-së që lumin e Vlorës e ka shpallur lumin e vetëm të egër në europë. Pse të mos zhvillohemi? Pse të mos jemi si Greqia, Italia, Kroacia, Mali i Zi? Pse të mos vijnë këtu 4 miliard euro investim?

Përse të mos kthehet Gjiri i Vlorës si pika më e rëndësishme turistike përtej Shqipërisë? Strategjia energjitike e viteve ’80 përcaktonte shumë qartë që HEC-i më i madh në Shqipëri do të ishte në Grykën e Këlcyrës. Sot nuk e bëjmë dot, por ajo do të kthente balancat dhe Greqia do të ishte e varur nga Shqipëria. Sepse strategjia e turizmit e viteve ’90 përcakton që Gjiri i Vlorës ka potencialin të kthehet në gjirin më të rëndësishëm elitar turistik të Mesdheut. Prandaj kam disa pyetje ndaj Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Jashtme: 3 autobuzët që erdhën nga Greqia përse nuk i deklarojnë? Kush i nxiti këto autobuzë? Shumica ishin banorë të zonës por shumë nuk ishim. Doli Fredi Beleri që kërkoi për minoritetin grek në Zvërnec dhe Nartë që sipas tij po iu hiqen të drejtat. Nuk janë tek kategoria e parë që duan zhvillimin por janë te kategoria e dytë që Zvërneci të mos zhvillohet. A është qëllimi i ambientalistëve, i Belerit e atyre që sponsorizuan autobuzët që mos të prishen balancat në Mesdhe, që turizmi elitar do të vinte në Vlorë, apo ka interesa të tjera me minoritete të paqena që do riprodhojnë Himarën të cilën e humbën në betejën e 2 viteve më parë” tha Bido.   

Ora 18:09
Debati për resortin në Zvërnec/ Deputeti Vengu: Shqipëria nuk e ka luksin të humbë investime të tilla, i jep siguri ekonomike vendit

1780329808_ministri.jpg

Deputeti socialist Pirro Vengu tha sot kë Kuvend se SHqipëria nuk e ka luksin të përçmojë investime të nivelit si ai që planifikohet të bëhet në Zvërnec dhe i cili parashikohet të kapë vlerën e të paktën 4 milionë eurove.

Vengu tha se në një kohë kur bota po përballet me kriza të vazhdueshme, është detyra e ligjvënësve që të marrin "vendime të guximshme që i japin vendit siguri ekonomike".

"Po kush flet për nevojën që ka laguna për rehabilitim mjedisor, kush flet për nevojat që kanë banorët e zonës për shërbime? Kush mund të jetë kaq naiv të mendojë që kemi luksin të refuzojmë investime të tilla? Debati për trashëgiminë tonë kulturore po",- tha Vengu ndër të tjera.

Ora 18:05
Deputeti i PD kritikon urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë për terapinë hormonale për transgjinorët, Spahia: Ky akt është i paligjshëm

1780329849_spahia.jpg

Deputeti i PD-së, Bardh Spahia, kritikoi në Kuvend urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë “Për trajtimin hormonal të personave transgjinorë”, duke ngritur shqetësime për zbatimin e terapisë hormonale në shërbimin publik shëndetësor. Spahia tha se urdhri është nxjerrë “në mënyrë të fshehtë e tinzare” dhe pyeti ministren se mbi çfarë baze është përcaktuar mosha 14 vjeç për aplikimin e kësaj terapie. Ai kërkoi sqarime për konsultimet e kryera me autoritetet dhe grupet e interesit, duke e cilësuar nismën si të paligjshme dhe me pasoja të pakthyeshme për fëmijët dhe familjet shqiptare. Deputeti demokrat ngriti gjithashtu pyetje mbi nevojën mjekësore të procedurës dhe qëllimin e kësaj iniciative.

"Ju zonja ministre në mënyrë të fshehtë e tinzare nxorrët një urdhër për aplikimin e terapive hormonale pranë shërbimit të endikronologjisë në QSUT. Ky urdhër ka ndikim direkt dhe impakt të pakthyeshëm në jetët e fëmijëve, dhe familjeve shqiptare. Me ç’të drejtë e përcaktoni ju moshën 14 vjeçare për aplikimin e terapisë hormonale për fëmijë të pambrojtur sikur të ishin kavie eksperimentale? Kush e përcaktoi kufirin e moshës 14 vjeç? Cilat kanë qenë konsultimet me autoritetet përkatëse e grupet e interesit. Kush është ideatori i një nisme të tillë? Këto janë axhenda të qarta Woke-iste. Ky akt  është i paligjshëm. Cila është nevoja mjekësore dhe prioriteti i kësaj procedure? Çfarë qëllimi fshihni pas kësaj iniciative?" tha Spahia ndër të tjera në fjalën e tij në Kuvend. 

Ora 18:01
'Zvërneci'- Balla: Investimi më i madh në historinë e Shqipërisë, komshiu e ka zili komshiun në raste të tilla! Uron edhe Berishën për 'rizgjedhjen' në krye të PD (VIDEO)

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, me ironi ka uruar Sali Berishën për rikonfirmimin në krye të PD-së. Nga salla e Kuvendit, Balla foli edhe për investimin që pritet të bëhet në Zvërnec, investim i cili ka nxjerrë në protesta qytetarët.

Balla tha se investimi është historik dhe më i madhi që ka pasur Shqipëria ndonjëherë, teksa njoftoi gjithashtu se pas pak ditësh nga Aeroporti i Rinasit do të nisin fluturimet direkte nga Tirana në Toronto.

Lidhur me reagimet e shumta në Greqi për protestën në Zvërnec, Balla me ironi tha se 'komshiu e ka zili komshiun', në rastet e investimeve të tilla.

“Nuk mund të mos e vlerësoj faktin dhe qëndrimin pro investimit. Një investim historik, më i madhi në historinë e Shqipërisë, për të cilin do të flas pak më poshtë. U tha këtu se investimet e huaja kanë rënë. Tani, investimet e huaja direkte, në vitin 2012, që ishte viti i fundit i juaji në pushtet zoti Sali, ishin 666 milionë euro. Në vitin 2025, shifra e investimeve të huaja direkte shkon 1.64 miliardë euro. Tani me matematikën e Lulit, mund të jetë 1.64 miliardë më e madhe se 666 milionë. Por me matematikën normale, 666-ta te 1.64 hyn të paktën 2.5 herë.

Pra investimet e huaja direkte në Shqipëri janë rritur me të paktën 2.5 herë. Por zotëria, që urime edhe për zgjedhjen në krye të PD-së dhe nuk dihej se kush fitonte. Por pas kësaj gare kaq të fortë, të luftuar deri në minutën e fundit, fitoi zoti Sali. Ndërkohë i bashkohem edhe urimit të Piter Bayer, me të gjitha kuptimet që kishte brenda urimi i tij. Ndërkohë sa i përket PBB, GTP-ja ishte diku poshtë 10 miliardë euro, ndërkohë në 2025 e kemi kaluar 27 miliardë euro. Pra e kemi 3-fishuar ekonominë e vendit në një kohë kaq të shkuartër.

Asnjë vend nuk e ka bërë këtë në kaq pak kohë. Meqë u tha diçka edhe për aeroportin e Vlorës, aeroporti i Vlorës është ndërtuar, po përfundon, aty ku ka qenë gjurma e aeroportit të Vlorës prej 100 vitesh. Numri i turistëve, këtu pastaj na ndjeni, se të qeshurën nuk e mbajmë dot. Pas pak ditësh, për herë të parë në Rinas do të inaugurohet fluturimi i parë ndërkontinental, nga Tirana në Toronto. Investimi në Zvërnec do të bëhet, mos harroni që komshiu e ka zili komshiun, ndoshta jo i pari, por element të tjerë, do donin investimin për vete”, tha mes të tjerash Balla.