Disa zona të rajonit të Moskës kanë mbetur pa energji elektrike mbrëmjen e së enjtes, në të njëjtën kohë me një sulm me dronë nga Ukraina. Lajmi raportohet nga media ruse, të cituara edhe nga burime ukrainase.
Sipas portalit Meduza, ndërprerje të energjisë janë regjistruar në zonat Ramenskoye, Zhukovsky dhe Lytkarino, ndërsa ende nuk dihet numri i saktë i përdoruesve të prekur. The Moscow Times raporton se vetëm në Ramenskoye rreth 120 mijë persona kanë mbetur pa drita, ndërsa agjencia ukrainase Ukrinform, duke iu referuar videove të publikuara në rrjetet sociale ruse, ka deklaruar në platformën X se numri i të prekurve mund të shkojë deri në rreth 600 mijë persona.
Kompania shtetërore e energjisë Rosseti bëri të ditur se ekipet janë në terren për rikthimin e furnizimit me energji, duke sqaruar se ndërprerja erdhi “si pasojë e një shkëputjeje automatike në një nënstacion të tensionit të lartë”.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes, e cituar nga agjencia TASS, njoftoi se mes orës 20:00 dhe 23:00 (ora e Moskës) të së enjtes janë “interceptuar dhe shkatërruar” 27 dronë ukrainas mbi disa rajone ruse, përfshirë rajonin e Moskës, si dhe Kaluga, Belgorod, Kursk dhe Tula.
Nga ana tjetër, një sulm rus me dronë në qytetin ukrainas të Odessës ka lënë të plagosur katër persona, mes tyre tre fëmijë. Lajmi u konfirmua nga administrata ushtarake e qytetit.
Sipas autoriteteve ukrainase, dronët kanë goditur infrastrukturë banimi, logjistike dhe energjetike në Odessa. Dy fëmijë, të moshës 8 dhe 14 vjeç, janë plagosur gjatë sulmit, si edhe një foshnjë 7-muajshe. Po ashtu, një burrë 42-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike.
Sulmet vijnë në një moment tensioni të shtuar mes Kievit dhe Moskës, pak pasi Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë folur për përparime në bisedimet që synojnë një marrëveshje për ndalimin e agresionit rus. Ndërkohë, Ukraina ka theksuar mungesën e provave për pretendimet e Moskës mbi një sulm ukrainas ndaj rezidencës së presidentit Vladimir Putin, ndërsa Rusia ka paralajmëruar ashpërsim të qëndrimit të saj në negociatat për përfundimin e konfliktit.
Në këtë kontekst, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka njoftuar se më 6 janar pritet të zhvillohet në Francë një takim me liderët e vendeve aleate të Ukrainës.
Komente










LAVDI LUFTËS SË POPULLIT UKRAINAS. ME FITORE PËT TA. I ZOTI E NXIER GOMARIN NGA BALTA
Përgjigju