Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, është shprehur se sot Tirana është bërë e pajetueshme, për shkak se sipas saj, prej kohësh është e pamenaxhuar.

Komentet Tabaku i bëri në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, ku tha se Tirana është kthyer në plaçkë politike e kryebashkiakut Veliaj dhe kryeministrit Rama.

“Unë u përpoqa shumë që të isha në kohë sot për këtë emision, por Tirana është bërë e pajetueshme, e pamenaxhuar prej kohësh dhe është shumë e vështirë që të programosh që të jesh këtu fiks. Sot më mëngjes kisha bërë një koment. Për mua s’ka rëndësi fare lufta e tyre e brendshme. Për mua janë të dy të ikur. Për mua ka rëndësi që sot Tirana nuk ka menaxhim mbetjesh, nuk ka ujë 24 orë. Tirana është kthyer si një plaçkë politike. Njëri e kërkon për interesa të vetat dhe ta përdorë si persekutim politik, tjetri e kërkon për interesa të veta dhe ta përdorë për kapitalin ekonomik që Tirana prodhon”, tha mes të tjerash Tabaku.

Për Tabakun, në mesin e asaj që ajo e cilësoi si lufta Rama-Veliaj, ndodhen qytetarët, të cilët sipas saj po vuajnë pasojat.

Sipas Tabakut, as Veliaj e as Rama nuk e kanë mendjen te Tirana, por te interesat e veta. Për Tabakun, Veliaj është njeriu që para se të arrestohej, në emër të kryeministrit Edi Rama kryente sulme e kërcënime ndaj kundërshtarëve politikë.

“Fatkeqësia është që në mesin e kësaj lufte, ndodhen qytetarët. Dhe asnjëri nga të dy, as Veliaj e as Rama nuk e kanë mendjen te qytetarët. Edhe kur ishte jashtë qelisë, e njëjta situatë ishte. Por sot po e përdor për interesat e veta politike. Ndërkohë që ky tjetri jashtë e do për lejet e ndërtimit. Mos kujto se ka diçka parimore në luftën e hapur mes tyre. S’ja vlen fare që unë ta diskutoj. Veliaj është njeriu që deri dje në emër të Ramës i bënte gjithë këto sulme e kërcënime dhe sot po i vuan në kurriz. Sistemi që ka përqëndruar gjithë potencialin ekonomik, vendimmarrjen në duart e një njeriu, sot po i bën të vuajnë qytetarët e Tiranës”, shtoi Tabaku.

Për vizitën e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu në paraburgimin e Fierit për t’u takuar me Veliajn, Tabaku tha se janë njësoj si mesazhet që organizatat kriminale i dërgojnë njëra-tjetrës.

Rama dhe Veliaj janë sipas Tabakut arsyet pse qytetarët sot janë ngritur në protestë, teksa tha se kryebashkiaku ka kryebashkiaku ka qenë një nga lojtarët kryesorë për ngritjen e këtij sistemi politik në Shqipëri dhe një nga kopjet kryesore të Ramës.

“Këta operojnë si një organizatë kriminale, i dërgojnë mesazhe njëri-tjetrit. Kërcënojnë njëri-tjetrin. Fokusi për mua është te qytetarët e Tiranës. Të dy nuk i ofrojnë dot gjë as Tiranës, e as Shqipërisë. Arsya pse njerëzit po protestojnë është edhe për sistemin e ngritur nga Rama, ku Veliaj ka qenë një nga lojtarët kryesorë, një nga kopjet kryesore të Ramës”, përfundoi Tabaku.

Teksa u pyet nëse do të ishte kandidate për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale të vitit 2027, Tabaku tha ‘kurrë nuk them kurrë’, por shtoi se ‘rrugëtimi im është në Parlament’.

Ndërsa për buxhetin 2027, Tabaku tha se paratë nuk shkojnë te qytetarët, por te xhepat e një pjese të njerëzve.

Sipas Tabakut, vetëm dëmi i shkaktuar nga ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku buxhetit të shtetit është 1.1 milardë euro.

Ajo shtoi se ekonomia shqiptare e ka përqëndruar shpërndarjen e pasurisë në duart e një grupi të vogël personash.

“Dy janë momentet më të rëndësishme të një qeverie. Votimi i Qeverisë dhe votimi i buxhetit. Kryeministri i Luksenburgut dha dorëheqjen vetëm sepse nuk arriti të sillte një buxhet që i përfaqësonte të gjithë. Buxheti është një moment kyç që i ndan palët, sepse ndan edhe vizionin. Sot ekonomia shqiptare ndodhet në stanjacion. Pasojat i vuajnë qytetarët te xhepi i tyre. Dhe nuk ka rëndësi sesa është buxheti. Fakti që një pjesë e madhe e buxhetit është taksë korrupsioni dhe është duke u hetuar. 50% është taksa e korrupsionit. 1.1 miliardë ishte vetëm dëmi i Ballukut disa vite më parë. E dyta, po për pjesën e investimeve, nuk zbatohen. Ndërkohë që flasim, 36% e investimeve janë zbatuar dhe paguar. Sado të jetë buxheti, kjo nuk shkon në xhepat e qytetarëve. Sepse ekonomia shqiptare ka përqëndruar gjithë shpërndarjen e pasurisë te një grup prej 5-10 vetësh që marrin tendera e ulje taksash. Ndërkohë kostot i paguajnë 95% e qytetarëve. Rritja ekonomike ose buxheti i rritur nuk shkon te qytetari, por te ndërtimi, te ai që merr pjesën nga qeveria për tenderin dhe koncesionin. Për këtë arsye buxheti është për pakicën”, vijoi më tej Tabaku.

Për paketën e re fiskale, Tabaku tha se nuk krijon lehtësim për qytetarët, por shton informalitetin dhe ngre çmimet.

Ajo tha gjithashtu se në total, përmes paketës fiskale 2027, buxheti i shtetit do të përfitojë 40 milionë euro më shumë të ardhura.

“Si efekt neto i paketës fiskale, në buxhetin e shtetit do të shkojnë 40 milionë euro më shumë. Do të thotë se do rrisi taksat 400 milionë euro, do ketë një ulje 360 milionë euro dhe buxheti i shtetit do të marrë 40 milionë euro më shumë. Ulja e TVSH-së në nivelin 6% për produktet e shportës, e shoqëruar me rritjen e TVSH-së në 21%, do të krijojë informalitet, një rritje çmimesh.Vetë Qeveria llogarit se kjo ulja në 6 % me këtë rritjen në 1 %, janë të njëjtë në vlerë. S’ka asnjë vlerë pse po e ulin në 6% te produktet e shportës. Mos të harrojmë se do të përfshihen në fashën e TVSH-së edhe bizneset e vogla”, tha Tabaku.

Lidhur me protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë, Tabaku tha se beteja nuk duhet të jetë për sheshin, por kundër kryeministrit Edi Rama. Ajo bëri thirrje për bashkimin e të gjithë faktorit opozitar, me qëllim rrëzimin sa më parë të Qeverisë aktuale nga pushteti.

“PD ka 13-14 vite që proteston. Kjo protesta ka nisur që në maj. Është vazhdim i saj, për të njëjtat çështje që ne i kemi ngritur ndër vite. Neve nuk i pëlqejmë dot të gjithëve në politikë dhe duhet të jetojmë me këtë. Unë e di shumë mirë që një partie të vogël nuk i pëlqen që të ketë aty PD-në. Por kjo nuk është një betejë për sheshin, por një betejë kundër Edi Ramës”, përfundoi Tabaku.