Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka akuzuar Rusinë se po përdor armëpushimin e shpallur për festimet e 9 Majit vetëm për interesat e saj politike dhe ushtarake.

Në një mesazh të publikuar së fundmi në X, Zelensky tha se Moska kërkon “leje” nga Ukraina për të zhvilluar paradën në Sheshin e Kuq dhe më pas të vazhdojë sulmet.

“Rusia kërkon lejen tonë për të bërë paradë në Sheshin e Kuq për një orë dhe më pas të vazhdojë të vrasë njerëz”, deklaroi presidenti ukrainas.

Ai e cilësoi logjikën e udhëheqjes ruse si “të çuditshme dhe të papranueshme”.

Zelensky tha gjithashtu se Ukraina kishte propozuar armëpushim, por sipas tij Rusia është përgjigjur me sulme dhe kërcënime.

Presidenti ukrainas u bëri thirrje edhe liderëve të vendeve që planifikojnë të marrin pjesë në festimet e 9 Majit në Moskë që ta “mendojnë edhe një herë” pjesëmarrjen e tyre.

9 Maji në Rusi shënon përvjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore dhe festohet çdo vit me paradë ushtarake në Sheshin e Kuq në Moskë.

Lufta në Ukrainë është tani në vitin e saj të katërt dhe ka pasur disa raunde bisedimesh për paqe, me SHBA-në që vepron si ndërmjetës. Megjithatë, procesi është bllokuar që kur Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e zhvendosi fokusin e tij te lufta në Lindjen e Mesme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:46
Moska paralajmëron sërish: Sulm masiv ndaj Kievit nëse kryen sulme gjatë paradës së 9 majit

1776087254_kremlini.avif

Moska paralajmëroi sot përsëri Ukrainën se do të nisë një "sulm masiv me raketa" ndaj Kievit në shenjë hakmarrjeje nëse forcat ukrainase përpiqen të sulmojnë festimet në Moskë që shënojnë përvjetorin e fitores ndaj nazizmit.

Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi se një armëpushim i shpallur nga Moska do të hyjë në fuqi në mesnatën e së enjtes deri të premten dhe do të zgjasë deri në mesnatën e së shtunës, 9 maj. Prandaj, Rusia i bën thirrje gjithashtu palës ukrainase të pezullojë armiqësitë.

"Në rast të përpjekjeve të regjimit të Kievit për të prishur festimet e 81-vjetorit të fitores në Luftën e Madhe Patriotike në Moskë, forcat e armatosura të Federatës Ruse do të nisin një sulm masiv me raketa kundër qendrës së Kievit. Ne edhe një herë paralajmërojmë popullsinë civile të Kievit dhe punonjësit e misioneve të huaja diplomatike për nevojën për t'u larguar nga qyteti menjëherë", thuhet në deklaratën e Ministrisë.