Sot në Elbasan do të luhet për kreun e Superligës, pasi verdheblutë e Ivan Gvozdenoviç do të presin në orën 19:00 Vllazninë. Elbasani aktualisht udhëheq kampionatin me 1 pikë më shumë se shkodranët, të cilët në 3 ndeshjet e fundit kanë marrë 2 barazime dhe 1 humbje. Situatë jo e mirë edhe te Elbasani, pasi në 3 ndeshjet e fundit ka marrë vetëm barazime, ndërsa sot ka mundësinë t’i tregojë Vllaznisë se janë ata pretendentët kryesore për titull.
Po në orën 19:00, në Vlorë, Flamurtari do të presë Dinamon që pak ditë më parë shkatërroi Tiranën në derbi. Të dy skuadrat po kalojnë një moment të mirë, pasi Flamurtari vjen pas fitores me Egnatian por i duhet vazhdimësi për t’iu larguar fundit.
Sfida tjetër e javës së 15 të Superligës luhet në Rrogozhinë me Egnatian që pret Vorën. Për kampionët në fuqi është një shans i artë për të marrë kreun në një kohë kur Elbasani dhe Vllaznia përplasen së bashku.
Më herët Partizani fitoi 0-2 derbin kundër Tiranës, duke u rikthyer të dominojë kryeqytetin pas shumë kohësh dhe duke zhytur bardheblutë, ndërsa Bylisi barazoi 1-1 kundër Teutës. Aktualisht vendin e fundit në kampionat e mban Tirana me 7 pikë, e diferencuar shumë me Flamurtarin e vendit të 9 që ka 13 dhe një ndeshje më pak. Me 14 pikë në vendin e 8 është Bylisi, ndërsa Partizani ka forcuar pozitat në mesin e tabelës. Trajneri Kërnaja vijon të përsërisë se minimumi i këtij sezoni është pjesëmarrja në ‘final-four’.
Komente











