TIRANË - Derbi i 175-të në histori mes Partizanit dhe Tiranës nuk prodhoi gola, me dy skuadrat që barazuan 0-0 në "Air Albania". Të shtunën e 21 shtatorit 2024 të gjitha rrugët të çonin në stadium, me 11 mijë tifozët e pranishëm që u zhgënjyen nga paraqitja e dy skuadrave.
Partizani vijon të jetë i pathyer në derbi prej tetë ndeshjesh, ndërsa po për kaq duele Tirana nuk merr dot tri pikë kundër "Demave". Pesë fitore kanë të kuqtë dhe tre barazime mes tyre, me Tiranën që ka gati dy vite pa shijuar suksesin në ndeshjen që vlen më shumë se rezultati.
Shumë debutues në një ndeshje derbi për dy skuadrat, ndërsa edhe trajnerët respektivë Aleksandër Veselinovic dhe Bledi Shkëmbi e kishin për herë të parë në stol si trajner derbi. Për t'u theksuar se Tirana në gjashtë javët e këtij sezoni nuk e ka shijuar ende fitoren, duke pasur gjashtë barazime.
Ndeshja
Përballja e raundit të gjashtë në Superligë nisi me nderime për ish-deputetin e Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, që u nda nga jeta pak ditë më parë në moshën 44-vjeçare. I deklaruar si tifoz i bardhebluve, lojtarët e Tiranës me lule në duar u afruan pranë një fotoje gjigante të tij në sektorin e bardhebluve.
Megjithëse në shkallët e stadiumit nuk mungoi mbështetja, pjesa e parë dhe gjithë ndeshja u mbyll pa gola, me rastet flagrante që ishin me pikatore. Spektakël vetëm në tribuna, ndërsa në fushë 22 lojtarët kishin frikë mos pësonin.
Tirana vijon mos shijojë suksesin këtë sezon dhe me gjashtë pikë për momentin mban vendin e shtatë, ndërsa Partizani me nëntë pikë pozitën e tretë.
Java 6
Ky raund nisi këtë të shtunë në Korçë, me Skënderbeun që mposhti 2-1 Laçin. Te kurbinasit trajneri Armando Cungu dha dorëheqjen pas ndeshjes. Të dielën luhen tre ndeshjet e mbetura. Në 17:00 Vllaznia pret Bylisin, ndërsa në 20:00 luhen AF Elbasani - Egnatia dhe Teuta - Dinamo.
HISTORIA E DERBIT
Takimi i parë mes Tiranës dhe Partizanit është luajtur më 30 mars 1947. “Demat e Kuq” fitonin 8-0, duke sigluar kështu edhe fitoren më të thellë derimë tani në derbi. 38 vite më vonë, më 22 shtator 1985, Tirana do t’i kthente reston Partizanit, të cilin e mundi 7-3.
Rezultati më i thellë i sezoneve të fundit është ai i vitit 2020, kur bardheblutë fitonin me shifrat 5-1, si shpagim për mbi pesë vite pa fituar në duelet me Partizanin. 175 takime janë luajtur deri tani mes Partizanit dhe Tiranës në periudhën 1947-2024 në të gjitha kompeticionet; Kupë dhe kampionat. Partizani ka fituar më shumë sesa Tirana në derbi, plot 73 ndeshje.
Bardheblutë numërojnë 47 fitore, ndërkohë që 55 ndeshje të tjera janë mbyllur në barazim. 236 gola ka shënuar skuadra e kuqe, përkundrejt 188 të bardhebluve. Golat e fundit në derbi për Partizanin janë shënuar nga Gueye Maguette me dopietë. Në anën tjetër shënonte Kristal Abazaj, por nuk mjaftonte. Të dy lojtarët nuk janë më pjesë e klubeve.
Partizani nuk humbet në derbi që nga dhjetori i vitit 2022, kur i mposhte Xhixha me një paraqitje fantastike dhe dopietë. Më pas, në tetë ndeshje gjithçka ka folur për Partizanin.
Derbi mes Partizanit dhe Tiranës në "Air Albania" ka nisur me homazhe nga klubi bardheblu në nder të Gerti Bogdanit (44 vjeç), ish-deputetit të Partisë Demokratike që u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme disa ditë më parë si pasojë e një arresti kardiak.
Me lule në duar, lojtarët e Tiranës u afruan te një poster gjigant me foton e të ndjerit, që ishte një tifoz i deklaruar i bardhebluve.
Në 20:00 merr jetë derbi numër 175 mes Partizanit dhe Tiranës, ku bardheblutë kanë afro dy vite, ose shtatë ndeshje radhazi pa fitore. Emocionet kanë nisur në kryeqytet, teksa tifozët e dy skuadrave i janë drejtuar stadiumit "Air Albania". Në pamje janë tifozët e Partizanit.
E ka merituar këtë homazh Gerti bravo tifozëve.
Përgjigju