Astrologia Denisa Shyle, e ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, shpjegoi se si do të jetë kjo javë për të gjitha shenjat e horoskopit. Sipas saj, rikthimi i Shironit do të ndikojë gjatë gjithë javës, duke e bërë atë jo të lehtë.

“Kjo javë do të ndikohet nga Hëna e Re. Kemi rikthimin e Shironit në Dash. Këtu është vendosur edhe Hëna e Shqipërisë. Shironi është plaga e përjetshme, nëpërmjet së cilës marrim mësime. Shironi do të rikthehet në Hënën e Shqipërisë, ndaj rikthehen protestat e forta dhe problemet mund të jenë më të mëdha”, sqaroi Shyle.

Astrologia shpjegoi se kulmi i këtij rikthimi do të jetë të premten, herët në mëngjes. Për këtë arsye, sipas saj, na pret një fundjavë e vështirë dhe duhet të tregojmë kujdes me udhëtimet. Ajo këshilloi që të kontrollohen mjetet dhe të shmangen rreziqet e panevojshme.

Gjithashtu, Shyle këshilloi që të mos teprohet me shpenzimet, pasi ndikimet që vijnë nga Virgjëresha mund të sjellin trysni të madhe.

Dashi
Deri të premten do të fokusoheni te jeta e përditshme dhe shëndeti. Do të keni energji të ulët gjatë gjithë javës, por të premten do të krijohet një kënd i mirë Jupiter-Saturn, i cili do t’ju sjellë mundësi më të mira për ta menaxhuar kohën.

Demi
Vazhdon ndikimi i Hënës së Re edhe këtë javë. Do të keni pasion në çështjet sentimentale, por kujdes me xhelozinë. Sa i përket karrierës, kjo është një javë pozitive për ju dhe mund të keni rritje të të ardhurave materiale.

Binjakët
Deri në fundjavë do të keni një javë pozitive. Nëse e përdorni teknologjinë siç duhet, ajo mund t’ju ndihmojë në karrierë. Do të keni takime të reja, por në fundjavë duhet të tregoni kujdes, pasi mund të merrni lajme jo të mira. Mund të zbuloni prapaskena ose të njoftoheni për çështje që lidhen me shëndetin tuaj. Fokusohuni te personat që ju bëjnë të ndiheni të lumtur.

Gaforrja
Do të keni energji pozitive që ju çon drejt drejtimit të duhur, si në punë, ashtu edhe në jetën personale. Këtë javë do të favorizoheni në çështjet sentimentale dhe do të keni stabilitet ekonomik.

Luani
Në këtë moment jeni në një situatë ku po vlerësoni veten dhe ambientin përreth siç duhet. Shironi do të ketë ndikim të mirë tek ju, por kujdes gjatë ditës së premte. Përdorni logjikën si në aspektin sentimental, ashtu edhe në atë ekonomik.

Virgjëresha
Është shenja më e ndikuar këtë javë, sidomos në jetën profesionale. Do të keni fuqizim të vlerave dhe, nëse po diskutoni për punën apo banesën, do të arrini të realizoni çdo plan. Kjo është një ndër javët më pozitive për martesat dhe fëmijët.

Peshorja
Për ju ka përfunduar periudha e ngarkuar dhe problematike. Tani e keni më të qartë se çfarë do të mbani në jetën tuaj. Problemet me të ardhurat materiale do të gjejnë zgjidhje. Marrëdhëniet sentimentale mund të bëhen pak problematike, por nëse fokusoheni te zgjidhja e problemeve, do të keni rezultate të mira.

Akrepi
Do të ndikoheni në aspektin e shëndetit këtë javë, ndaj duhet ta merrni situatën në dorë. Bëni sport, tregoni kujdes me atë që konsumoni dhe kushtojini vëmendje edhe krizave që përjetoni brenda vetes. Këtë periudhë mund të ndiheni të pavlerësuar, si në aspektin material, ashtu edhe në atë shpirtëror. Fokusohuni te gjërat që ju bëjnë të lumtur.

Shigjetari
Keni shumë gjëra pozitive në aspektin e karrierës dhe fokusi do të jetë te krijimi i stabilitetit ekonomik. Do të keni një zgjerim të botëkuptimit tuaj, ndaj do ta gjeni rrugën tuaj shumë më thjesht.

Bricjapi
Do të keni ndikim pozitiv gjatë kësaj jave. Në marrëdhëniet në çift do të jeni pozitivë dhe do të keni stabilitet për të krijuar një banesë apo një vend që e quani shtëpi.

Ujori
Javë pozitive për ju. Hëna e Re ju përcaktoi se çfarë duhet të mbyllnit, si në marrëdhëniet me persona të caktuar, ashtu edhe në aspektin e karrierës. Kjo është një ditë pozitive, sidomos për të firmosur kontrata. Bëni mirë të jeni më socialë, të lini pas problemet që keni në lidhje dhe të vini mënjanë edhe egon.

Peshqit
Keni një ndikim relativisht pozitiv këtë javë. Marrëdhëniet në çift kanë krijuar stabilitet dhe kjo do të ketë ndikim edhe në lidhje me punën. Do të keni ndryshime si brenda banesës, ashtu edhe në punë. Duhet vetëm të fokusoheni te detajet dhe të mos tregoheni neglizhentë. Kërkoni ndihmë te personat që i shihni si mentorët tuaj.