SHBA- Luigi Mangione, personi i akuzuar për vrasjen në Manhatan të drejtuesit ekzekutiv të kompanisë së sigurimeve shëndetësore ‘UnitedHealthcare’ Brian Thompson, u deklarua i pafajshëm të hënën (23 Dhjetor) mbi akuzat për vrasje, të ngritura nga prokurori i Nju Jorkut.
Zoti Thompson, u qëllua për vdekje më 4 dhjetor, jashtë një hoteli në qendër të Manhatanit, ku kompania ishte mbledhur për një konferencë. Akt-padia përmban 11 akuza, përfshirë vrasje të shkallës së parë dhe vrasje si një akt terrorizmi. Nëse shpallet fajtor, 26-vjeçari përballet me një dënim maksimal që shkon deri burgim të përjetshëm, pa mundësinë e lirimit me kusht.
Luigi Mangione u arrestua në një restorant ‘McDonald's’ në qytetin e Altonës në Pensilvani më 9 dhjetor, pas 5 ditësh përpjekje të autoriteteve për kapjen e tij.
Ndërsa vrasja është dënuar gjerësisht, Luigi Mangione është vlerësuar si një hero popullor nga disa amerikanë, të cilët dënojnë kostot e larta të kujdesit shëndetësor dhe fuqinë që kanë kompanitë e sigurimeve, për të mohuar pagesat për disa trajtime mjekësore.
Pak ditë më parë Mangione u ekstradua në Nju Jork me helikopter dhe ndërsa zbriti në Manhatan u shoqërua nga një numër i madh oficerësh policie. I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams.
Në seancën e sotme ku u njoh me akuzat, avokatja e tij, Karen Friedman Agnifilo, e quajti mënyrën e shoqërimit të 26-vjeçarit, si spektakël politik, dhe duke iu referuar deklaratave të tjera nga zyrtarë publikë, ajo tha se klienti i saj rrezikonte të mos gjykohej me drejtësi.
Disa dhjetëra njerëz u mblodhën jashtë gjykatës, pavarësisht temperaturave të ulta, për të shprehur mbështetjen për Mangionen dhe zemërimin e tyre ndaj kompanive të kujdesit shëndetësor.
Kara Hay, një mësuese 42-vjeçare, tha se ishte e gabuar që Mangione të akuzohej për terrorizëm.
"Vrasja e një drejtuesi ekzekutiv nuk e bën atë terrorist. Unë nuk ndihem e terrorizuar", tha ajo.
Gjykatësi i çështjes Gregory Carro caktoi si datë për paraqitjen e radhës të Luigi Mangiones 21 shkurtin. Ndaj Mangiones rëndojnë edhe akuza federale për vrasje me armë zjarri, dy akuza për përndjekje dhe një akuzë për përdorimin e një arme me silenciator. Autoritetet thonë se ai e kishte planifikuar prej muajsh vrasjen, nxitur nga urrejtja për industrinë e sigurimeve shëndetësore dhe drejtuesit e pasur të korporatave.
Sipas aktpadisë federale, policia e Altonës ka gjetur një bllok që dyshohet se i përket Luigi Mangione, i cili përmban disa faqe të shkruara me dorë "ku shprehet zemërimi ndaj industrisë së sigurimeve shëndetësore dhe në veçanti, ndaj drejtuesve pasur të saj”.
Policia i gjeti të dyshuarit edhe një letër drejtuar “agjentëve federalë” ku thuhej: “Nuk kam punuar me askënd”, sipas aktpadisë.
Prokurorët federalë mund të kërkojnë dënimin me vdekje për akuzën e vrasjes, një dënim që është hequr në shtetin e Nju Jorkut prej dekadash.
Disa ditë më parë avokatja Friedman Agnifilo tha se klienti i saj rrezikon të gjykohet dy herë për të njëjtat akuza, pa harruar se ai është akuzuar për krime më të rënda sesa dëshmojnë faktet, siç tha ajo. /VOA/