Luigi Za: Intelektualë
më të mirë do t'ju vijnë

Luigi Za: Intelektualë<br />më të mirë do t'ju vijnë
Në zemër të Tiranës, mes gjallërisë së Friend's Book House të Ferhat Muhedinit, një sociolog italian konceptoi "Kombinat", librin-studim mbi historinë dhe jetën e përditshme të lagjes së famshme në jugperëndim të Tiranës. Eshtë profesor Luigi Za, që vjen në anët tona që në fillimet e viteve '90 nga brigjet përballë. Në fokus ka zhvillimet sociale. Za nuk vendos në qendër të studimeve të tij për të parën herë periferinë shqiptare: pak vite më parë, shkroi për fshatrat e Kepit të Rodonit, një studim i mirëfilltë social. Këtë herë, shtëpia botuese Besa me qendër në Leçe, ka nxjerrë në dritë botimin e "Kombinat" në italisht tani për tani, shpejt do të përkthehet dhe në shqip. E takojmë po tek Friend's Book House, vendi magjik, ku shumë studiues, shkrimtarë shqiptarë e të huaj, janë frymëzuar për të shkruar për Shqipërinë tonë të tranzicionit. Duam të flasim për librin, por na intereson shumë dhe mendimi i këtij profesori të njohur të Universitetit të Salentos edhe për të tjera pika të nxehta të shoqërisë sonë. Vjen në Shqipëri prej shumë vitesh, vëzhgon realitetin tonë, ka miq të profesioneve e formimeve të ndryshme intelektuale. Ja, nga profesor Luigi Za, donim të dinim edhe këtë: Si e sheh sot shoqërinë shqiptare? Eshtë optimist apo pessimist dhe përgjigjet janë surprizë për ne që ankohemi nga mëngjesi deri në mbrëmje për gjithçka.
Jo rastësisht në një tavolinë me të është Fatos Baxhaku, gazetari që më shumë se kushdo tjetër, ka prekur çdo pëllëmbë të Shqipërisë së braktisur nga njerëzit e joshur nga kryeqendrat urbane. Nëse Baxhaku, shpesh na ka treguar se kush ka mbetur në fshatrat e qytetet e provincës tonë, professor Za, me një ekip sociologësh shqiptaro-italianë, në librin e tij "Kombinat" vendos "në shënjestër" prurjet e lumenjve njerëzorë drejt kësaj qëndre të rëndësishme, duke e shndërruar nga një lagje të mirfilltë industriale, në një habitat të mrekullueshëm njerëzor, ku mund të lexohet tranzicioni i shoqërisë tonë.
Në këtë rrugëtim interesant profesor Za është shoqëruar nga kolegë të tjerë shqiptarë e italianë si Rando Devole, Anna Maria Protopapa, Paola Scialpi, Eliona Kulluri etj.

Profesor Za, pse kjo dëshirë për të studiuar pikërisht zonën e Kombinatin?
"Në këto momente interesi im është për të gjithë periferinë e Tiranës; për shembull, po ndjek disa të rinj që bëjnë grupe muzike underground në Laprakë, Kamëz. Janë shumë interesantë. Sa i takon Kombinatit, nuk ishte vetëm një kuriozitet shkencor, prej sociologu, por një dëshirë për të studiuar dhe përshkruar një realitet e për t'i dhënë më pas të dhënat e duhura strukturave që duhet të ndërhyjnë për të zgjidhur hallet e njerëzve. Uroj që të dhënat që ne kemi grumbulluar dhe publikuar në librin "Kombinat" të shërbejnë për të përmirësuar rrjetin e shërbimeve sociale dhe shëndetësore dhe strukturave të aktiviteteve për pjesën e brishtë të popullsisë siç janë fëmijët, të moshuarit, gratë…"

Urojmë që libri të jetë tashmë dhe në tavolinat e duhura të politikbërjes, por ju dhe bashkëpunëtorët tuaj çfarë impakti patët në zhvillimin e kësaj pune në terren?
"Pyetësori ishte i gjatë dhe i ndërlikuar dhe unë, sinqerisht, jam i habitur me numrin e lartë të përgjigjeve. Në Itali do të kisha më shumë refuzime. Mendoj se kjo mirëpritje e banorëve të Kombinatit tregon për një dëshirë të tyre për të treguar rreth gjendjes ku ndodhen. Intervistueset tona, të cilat frekuentonin përditë Kombinatin, bashkë me përkthyeset, u pritën shumë mirë dhe mblodhën rrëfime të vlefshme të individëve, familjeve, burra,. gra, fëmijë… Të gjitha histori plot jetë dhe humanizëm".

Ju ndiqni realitetin shqiptar që prej fillimeve të ashtuquajturit tranzicion. Si mund ta përcaktoni sot shoqërinë tonë?
"Shumë të gjallë. Ja e shihni vetë. Kjo që kemi këtu rreth nesh është vetëm gjallëri. Një vend si Friend's Book House unë e kam parë këtu në Tiranë dhe në Berlin. As në Itali. Këtu vijnë intelektualët e Tiranës. Këtu lindi libri im, libri i Fatos Baxhakut e shumë libra të tjerë. Dhe në fakt unë kuriozohem tani për zhvillimin social të Tiranës dhe të Berlinit…"

Ne kemi rezerva sa i takon intelektualëve. Shpesh i quajmë të rreshtuar, pasi shprehen atëherë kur politika u kërkon të shprehen. Çfarë mendoni për intelektualët e Tiranës?
"Intelektuali, kudo dhe gjithmonë ka pasur një marrëdhënie të çuditshme me pushtetin, një flirtim me të. Mendoni, artistët dhe mendimtarët e epokave të ndryshme, shpesh jetonin dhe punonin në oborret e sundimtarëve e pasanikëve. Puna e tyre ishte e mundur falë mundësisë logjistike dhe ekonomike që u ofronte i pushtetshmi i kohës. Unë mendoj se edhe intelektualët shqiptarë nuk bëjnë përjashtime dhe nuk kanë shumë ndryshim nga intelektualët italianë, apo të vendeve të tjera. Ndoshta janë kapërcyer disa epoka, ose historia ka qenë e ndryshme për ta. Psh. intelektualët e viteve '60 në Itali nuk mund të ishin si intelektualët e të njëjtës periudhë në Shqipëri. Them se Shqipëria ka intelektualë të mirë, sidomos brezi i atyre që sot janë rreth të 50-ave. Fatos Lubonja është miku im, por dhe një vlerë e çmuar intelektuale për Shqipërinë. Ndonjë problem mund të kenë ata që sot janë më të moshuar për shkak të background-it më të gjatë në kohën e Enver Hoxhës, por edhe mes tyre ka intelektualë si Ylli Popa me kontribute shumë të rëndësishme. E megjithatë jam i bindur se Shqipërisë do t'i vijnë intelektualë akoma më të mirë. Mendoj se disa të rinj, që nuk janë pak, kanë një potencial të madh intelektual për të ardhmen. Këtë pasuri ju e keni. Duhet vetëm koha e duhur të shpërthejë e të japë frytet".

Dukeni optimist për realitetin social në Shqipëri. A ka ndonjë gjë që sipas jush nuk shkon?
"Po. Jam optimist. Shqipëria është më mirë se shumë vende të tjera edhe më të zhvilluara. Ajo që ju mungon dhe ku ju nuk po shkoni në drejtimin e duhur janë politikat sociale, një ëelfare për pjesën e brishtë të popullsisë. Ju po ndiqni modelin amerikan të shërbimeve sociale dhe kjo nuk është gjë e mirë. Sot kush ka para kurohet, mëson, studion, kush nuk ka mbetet i përjashtuar. Ndiqni modelin italian, të një shërbimi social të garantuar për të gjithë. Kjo është rruga më e mirë".
Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza