Luini: Kontrollet periodike
mund të shpëtojnë jetën e gruas

Luini: Kontrollet periodike <br />mund të shpëtojnë jetën e gruas
Doktor Alberto Luini është një nga senologët dhe kirurgët më të njohur italianë. Veç impenjimit të tij të përditshëm në profesionin e mjekut, ai i kushton një vëmendje të veçantë komunikimit. Beson se një informim i drejtë i gruas rreth sëmundjes së kancerit të gjirit, është mënyra më e mirë që ajo të përballojë me kurajo dhe të mos ndjehet e vetme në këtë moment të vështirë të jetës. Ai mban një blog në seksionin e shëndetësisë në të përditshmen italiane "Corriere della Sera", ku u përgjigjet pyetjeve të grave dhe të familjarëve të tyre rreth këtij problemi. Në këtë intervistë të gjatë dhe eksluzive për Shqiptarja.com tregon qartë se si diagnostikimi i parakohshëm dhe kontrollet e shpeshta kanë ndihmuar gratë italiane të shërohen. Italia është një nga vendet ku shërueshmëria nga kanceri i gjirit pas 5 vite terapi, është në 87 % i mundshëm. Një nga rezultatet më të larta në Europë.

Si e ka ndryshuar jetën e pacienteve me kancer në gji politika e parandalimit dhe diagnostikimit të parakohshëm? Kur ka nisur në Itali dhe si është zhvilluar në vite?
Parandalimi i tumorit në gji bazohet në diagnostikimin e parakohshëm. Duhet ta pranojmë që kjo lloj sëmundje ka qenë gjithmonë një ankth dramatik për gruan: të prekeshe prej saj do të thonte të vdisje ose të mbeteshe e gjymtuar. Shpikja e kuadrantektomisë (heqja vetëm e nje copëze të gjirit të prekur)në vitet '60 ndryshoi shumë gjëra dhe i hapi rrugën një vepre komunikimi të rëndësishme. Kur gratë, pas lajmit të efikasitetit të kuadrantektomisë në kurën e tumorit, mësuan se mund të ruhej feminiliteti edhe përballë një sëmundje të tillë, kuptuan se një diagnostikim i hershëm, pra kur tumori është shumë i vogël, i lejon të pësojnë një ndërhyrje kirurgjikale më të kufizuar, të vogël, konservuese. Kështu kirurgjia e shpikur nga Umberto Veronesi, solli me vete dhe konceptin e diagnostikimit të hershëm, sepse është e qartë, sa më i vogël tumori, aq më shumë është e mundur të hiqet me një kirurgji të kufizuar.
Në vitet e fundit, dhe flas për vitet Nëntëdhjetë, diagnostikimi i parakohshëm ka bërë që një përqindje gjithnjë e më e lartë e kancerit të gjirit të zbulohet në një fazë fillestare, pra kur nuk ka patur ende kohë të shkaktojë dëme në trup (si shperndarja e qelizave tumorale në gjak për shembull). Tumori jo i kapshëm me prekje, në fazë fillestare, është i kurueshëm në shumicën e rasteve. Kirurgjia për ta hequr atë ruan formën dhe bukurinë e gjirit femëror. Do të thoja që impakti pozitiv i diagnostikimit të parakohshëm në jetën e gruas, është i dukshëm.
Pjesëmarrja e grave në fushatat e diagnostikimit të parakohshëm është thelbësore, për këtë arsye është e dobishme dhe jetësore të shpjegohet në mënyrën e duhur që një diagnostikim i hershëm të shpëton jetën dhe ndihmon për të marrë trajtim mjeksor minimal (onkologjikisht efikas)dhe jo gjymtues.
Në Itali ekzistojnë programe screening të bazuara te mamografia: gratë më të mëdha se 50 vjeç lajmërohen nga institutet mjekësore për të bërë mamografinë bilaterale çdo dy vite. Kjo gjë parashikohet nga Sistemi Shëndetësor Kombëtar. Kontrolli është shumë i rëndësishëm dhe ka shpëtuar mijëra jetë.
Në Institutin Europian të Onkologjisë (IEO) në Milano, ku drejtoj Departamentin e Senologjisë, udhëzuesit për diagnostikimin e parakohshëm bazohen (nga 50 vjeç e sipër) mbi një kontroll të përvitshëm me mamografi dhe ekografi bilaterale: pra ajo që nuk është e parashikuar nga screening kombëtar, bëhet vetë nga gratë. Në të vërtetë i këshillojmë kontrollet dhe për gratë nën moshën 50 vjeç. Nga 30 vjeç e sipër këshillojmë ekografinë e përvitshme, pastaj nga 40 vjeç shtojmë dhe mamografinë.
Një rezultat i parandalimit, pra i diagnostikimit të hershëm, është dhe shpikja e ROLL-it (radioguided occult lesion localization), të cilën e kam ideuar unë në vitin 1998 bashkë me kolegun Giovanni Paganelli (Drejtor i mjekësisë Berthamore në IEO) e që tani përdoret në të gjithë botën. Duke parë që shpesh tumoret zbulohen kur janë akoma të padallueshëm, nevojitej një teknikë që shërbente për t'i dalluar dhe për t'i hequr përmes ndërhyrjes kirurgjikale. Vetëm me injektimin e një shenjuesi të dobët radioaktiv në zonën e tumorit (me ndihmën e mamografisë apo ekografisë) kirurgu mund ta gjejë shumë kollaj dhe ta heqë pa kapur dhe inde të shëndetshme, me një rezultat ekselent onkologjik dhe estetik.

Ju jeni kirurg shumë i njohur dhe në Institutin ku ju operoni kirurgjia konservuese është një filozofi pune. Sa përshtatet kjo filozofi me kurimin dhe a ka ndryshime rezultati në zona të ndryshme të Italisë apo Europës, ku dhe kurat janë të ndryshme?

Kirurgjia konservative ka të njëjtën mundësi kontrolli të tumorit ashtu si dhe mastektomia (heqja e plotë e gjirit). Do të thotë që ka të njëjtën mundësi për të mjekuar gruan (me kushtin që kirurgjia dhe mjekimet që e pasojnë të kryhen sipas standarteve më të larta ndërkombëtare). Akoma shumë gra (rreth 30 % e totalit) i nënshtrohen mastektomisë me rindërtim të gjirit pasi gjendja e tumorit ose përmasat e vogla të gjoksit nuk lejojnë të arrihet një rezultat i mirë me kirurgjinë konservuese.
Problemi i njësimit të mjekimit të tumorit të gjirit në krahina të ndryshme të Italisë dhe akoma më shumë, në vende të ndryshme të botës, ekziston. Kanceri i gjirit është një sëmundje me mundësi të mira të shërimit të plotë, pra me kancer në gji mund të shërohen shumë gra. Por për këtë është e nevojshme që teknikat e diagnostikimit të parakohshëm, të kirurgjisë dhe të mjekimit radioterapeutik dhe farmakologjik të jenë në të njëtin nivel gjithandej, por kështu nuk ndodh. Ekzistojnë probleme ekonomike, probleme të shpërndarjes së njohurive dhe të mesazheve që i drejtohen gruas rreth diagnostikimit të parakohshëm. Shpesh, fatkeqësisht, kushte objektive të prapambetjes ekonomike dhe sociale, bëjnë që disa zona gjeografike të jenë shumë pak të favorizuara.
Nuk bëhet fjalë për zgjidhje terapeutike të ndryshme, por për të qenë në një hap me kohët moderne ose jo. Të zgjedhësh kuadrantektominë ose mastektominë është pjesë e të përditshmes normale gjithandej dhe nuk bazohet këtu ndryshimi i efikasitetit të mjekimeve në zona të ndryshme gjeografike. E gjithë përballja me tumorin në gji që mund të jetë e ndryshme: të studiosh çdo rast të veçantë me të gjithë detajet e analizave istologjike dhe mbi këtë të bazosh zgjedhjen e mjekimit për shembull. Të personalizosh në maksimum terapitë. Njohuritë mjeksore janë në dispozicion të të gjithëve, por, për arsye ekonomike (në të shumtën e rasteve) jo të gjitha krahinat e Italisë, apo pjesë të botës, arrijnë ta aplikojnë.

Shqipëria është akoma një vend në zhvillim, ku për parandalimin po flitet vetëm në vitet e fundit. Gratë shpesh kanë ndroje të flasin si me mjekët ashtu dhe me familjarët dhe si rrjedhojë nuk kryejnë kontrolle periodike. Edhe shërbimi publik nuk është në lartësinë e duhur në shërbimin që u ofruan grave. Si mund të ushqehet, sipas jush, kultura e parandalimit edhe në këto kushte?

Nuk është një problem që zgjidhet me fjalë të përgjithshme. Për të vendosur një program serioz të diagnostikimit të hershëm dhe përhapjen e mesazheve të komunikimit duhet studiuar me vëmendje kultura, sociologjia dhe psikologjia e shoqërisë për të cilën flasim. Megjithatë, pengesa e parë që duhet rrëzuar është ndroja e gruas. E njëjta gjë ndodhte dhe në Itali. Me fushata informuese të përshtatshme, të bëra nga personazhe të besueshëm dhe të pëlqyeshëm nga njerëzit, por mbi të gjitha pranë nevojave dhe mendimeve të gruas; është e nevojshme të nënvizohet shpesh, me forcë se gjiri është një pjesë shumë e bukur e trupit, është femëror, duhet të mbrohet dhe të respektohet. Kanceri në gji nuk është një shenjë faji, nuk vjen sepse gruaja është sjellë keq: vjen si rrjedhojë e transformimit të ADN-së për të cilën nuk ka logjikë të turpërohesh. Përkundrazi, sa më shumë të ketë ndërgjegjësim, sa më shumë të flitet, aq më mirë është: është një sëmundje e kurueshme, kështu që gruaja është mikesha më e mirë e vetvetes dhe janë pikërisht gratë dëshmitaret më të mira. Gra që u drejtohen grave: eksperienca jete që ndahen pa frikë dhe pa turp, rrëfime publike sëmundjesh që përballohen me kurajo dhe pozitivitet, shembujt konkretë janë mjete efikase për të bindur dhe për të përmirësuar kulturën e përgjithshme.
Mjekët italianë janë të parët në botë që kanë aplikuar kuadrantektominë (dmth heqjen vetëm të copëzës së prekur nga gjiri)dhe shmangejn e heqjes totale të gjendrave linfatike të sqetullave, falë ekzaminimit të gjendrës linfatike "roje". Si e kanë përmirësuar këto teknika cilësinë e jetës së gruas?
Shumica e grave nuk e humbin gjirin kur kanë një tumor dhe duhet të operohen: impakti i këtij konservimi mbi figurën femërore dhe si rrjedhojë dhe mbi cilësinë e jetës është shumë i madh. Gjiri është organ simbol i feminilitetit, i mëmësisë: në një farë mënyre është identiteti i gruas vetë. Ta gjymtosh do të thotë të hapësh një plagë psikologjike shumë të fortë, edhe atëherë kur rindërtimi me kirurgjinë plastike korrigjon mastektominë. Kirurgjia konservuese e gjirit e shpikur nga Umberto Veronesi ka revolucionarizuar konceptim e mjekimit: të kujdesesh për personat do të thotë edhe të kesh për zemër cilësinë e tyre të jetës. Përndryshe, kurojmë tumorin ndoshta, por jo personin.
Ruajtja e gjëndrave linfatike të sqetullave përmes biopsisë së gjendrës-roje ka një pasojë shumë pozitive në funksionin dhe lëvizjet e krahut. Të heqësh të gjitha gjëndrat mund ta ekspozojë gruan ndaj një edeme (fryrje) të krahut në muajt apo vitet që vijojnë, ndërsa me biopsinë e gjëndrës linfatike roje, kjo gjë nuk ndodh; edhe shqetësimet (dhimbjet, parastezitë) që pasojnë boshatisjen totale të sqetullave nga gjendrat linfatike, me ekzaminimin e gjëndrës-roje, shmangen.
Mund të shtoj se një hap përpara për ruajtjen e gjirit është bërë dhe nga radioterapia e kryer gjatë operacionit, që bëhet te gratë me tumor në gji (me disa karakteristika specifike natyrisht). Cikli i dytë i radioterapisë që kryhet nga jashtë është shumë i shkurtër, me kursim të madh kohe dhe parash për gruan dhe me një përmirësim të dukshëm të cilësisë së jetës. Edhe në këtë rast IEO është e para qendër që eksperimentoi këtë terapi.

Edhe Shqipëria po përballet me një numër në rritje të vazhdueshme të kancerit të gjirit, madje dhe në moshat e reja. Çfarë këshillash mund t'i jepni grave shqiptare për të përballur impaktin e fortë me një sëmundje të rëndë siç është kanceri i gjirit?

Të heqësh traumën dhe frikën nuk është e mundur. Eshtë thelbësore që gratë të dinë se nga tumori në gji mund të shërohen në shumicën e rasteve, sidomos kur diagnostikimi është i hershëm dhe tumori shumë i vogël. Analizat e parandalimit të shpëtojnë jetën dhe nëse kanë frikë për të bërë një analizë, të mos shkojnë vetëm. Të shkojnë në shoqërinë e një familjari ose një mikeshe.
Eshtë e rëndësishme që gruaja ta di që nuk është vetëm: mjekët janë aty për t'i ndihmuar, kështu, të kërkojnë ndihmë dhe këshilla nëse kanë frikë apo dyshime. Eshtë më mirë të informohen dhe të sigurohen sesa të jetojnë me terrorin në mendje pa ndihmën e kujt mund t'u japë lehtësim.

Shkrimi u publikua ne suplementin ALMEDICUS, te Shqiptarja.com 20 shtator 2012
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete