Luis de la Fuente ka zbuluar disa nga shqetësimet e tij në prag të finales së madhe të Botërorit, ndërsa trajneri i Spanjës ka treguar se një prej gjërave që e ka bërë nervoz është udhëtimi me helikopter drejt qendrës stërvitore.
Trajneri spanjoll pranoi se fluturimi me helikopter nuk është një eksperiencë që e përjeton qetësisht dhe se do të duhet ta bëjë sërish rrugën e kthimit në të njëjtën mënyrë.
“Jam pak nervoz sepse do të kthehemi në hotel me helikopter. Erdhëm këtu me helikopter dhe do të kthehemi përsëri me të njëjtën mënyrë. Për këtë arsye jam pak në ankth”, u shpreh de la Fuente gjatë konferencës për shtyp.
Megjithatë, tema kryesore e pyetjeve të gazetarëve ishte finalja e madhe e Botërorit 2026 kundër Argjentinës dhe mbi të gjitha përballja me Lionel Messin. Trajneri spanjoll tregoi një episod nga e kaluara, kur kishte përballë yllin argjentinas dhe ku Messi i kishte dhënë një mësim të paharrueshëm.
“Messin e njoh shumë mirë. Kur isha trajner i të rinjve të Sevillas, ai ishte kundërshtari ynë. Vendosa një lojtar për ta markuar nga afër. Për 70 minuta Messi nuk bëri asgjë, por sapo zëvendësova lojtarin që e mbulonte sepse u ndëshkua, ai na shënoi katër gola”, rrëfeu 65-vjeçari.
Pavarësisht këtij kujtimi, de la Fuente bëri të qartë se Spanja nuk do të aplikojë një markim special ndaj kapitenit argjentinas në finale.
“Për të dielën, asnjë lojtar i Spanjës nuk do të ketë një detyrë specifike për të ndjekur Messin. Ne do të luajmë si skuadër. Por gjithashtu i them Argjentinës që duhet të ruhen nga lojtarët tanë”, deklaroi trajneri spanjoll
De la Fuente e sheh si privilegj arritjen në këtë finale.
“Është një privilegj të jesh në finale. Për mua, gjëja më e rëndësishme është ta fitosh atë. Do ta pranoja me kënaqësi të arrija çdo vit në finale, edhe nëse do ta humbisja. Tani do ta shijojmë këtë moment me forcat dhe cilësitë tona përballë një kundërshtari që ka bërë një rrugëtim spektakolar”, u shpreh De la Fuente.
Trajneri qetësoi tifozët edhe për gjendjen e talentit Lamine Yamal, duke konfirmuar se sulmuesi është plotësisht i gatshëm për finalen.
“Lamine është mirë dhe në formë perfekte fizike”, deklaroi trajneri.
Ai zbuloi se ka kërkuar këshilla nga Vicente del Bosque, njeriu që udhëhoqi Spanjën drejt triumfit në Kupën e Botës 2010.
“Ai është një njeri i mençur i futbollit. E ka përjetuar këtë situatë dhe nuk ka njeri më të përshtatshëm për të dhënë këshilla”, tregoi trajneri.
Në fund, ai vlerësoi edhe homologun e tij Lionel Scaloni, të cilin e konsideron mik.
“Mendoj se kemi shumë gjëra të përbashkëta. Unë dhe Scaloni ndajmë të njëjtat koncepte, vlera dhe parime që frymëzojnë të dyja kombëtaret. Për këtë arsye pres një finale të madhe”, përfundoi trajneri i iberikëve.
Spanja ka një rekord prej 37 ndeshjeve radhazi pa humbje. Disfata e tyre e fundit ishte kundër Kolumbisë në marsin e vitit 2024. Spanja dhe Argjentina do të përballen në finale të dielën në orën 21:00 me kohën në Shqipëri për trofeun e Kupës së Botës 2026.
Lajmi kryesor:
VIDEO/ Tifozët e Argjentinës fërshëllejnë trajnerin e Spanjës përpara finales së Botërorit, Lionel Messi ndihet në siklet! De la Fuente: Duhet të mësoni respektin






