Pamja e fundit e Luka Modric me fanellën kuqezi është ajo e një superheroi të mundur. Fytyra e mbuluar me maskën mbrojtëse, e nevojshme pas frakturës në mollëz, e pësuar kundër Juventusit dhe vështrimi i fikur, bosh, i pabesueshëm.

Ai donte një fund tjetër për aventurën e tij intensive te Milani, ëndërronte një “pasillo de honor”, një xhiro festive në “San Siro” dhe mbi të gjitha, sigurinë për të luajtur edhe një herë në Champions League.

Në vend të kësaj, rënia e lirë në fund të sezonit, e kulmuar me humbjen ndaj Cagliarit në javën e fundit dhe zbritjen në Europa League, e shkatërroi skenarin. Vendi i katërt u zhduk dhe Milani u fundos në kaos, duke nisur një revolucion të vërtetë të brendshëm që ka sjellë tashmë largimin masiv të Allegrit, Furlanit, Moncadës dhe Tares.

Nga rinovimi i sigurt te lamtumira

Deri para pak javësh, zgjatja një vjeçare e kontratës që skadon më 30 qershor dukej thjesht formalitet. Pavarësisht 40 viteve (afër 41), ylli kroat zhvilloi një sezon të nivelit shumë të lartë; 35 paraqitje, pothuajse gjithmonë titullar, të zbukuruara me 2 gola dhe 3 asistime.

Modric kishte krijuar një harmoni të mirë me Allegrin, të cilin e kishte quajtur një nga trajnerët më të mirë të karrierës së tij dhe madje kishte kërkuar sakrifica shtesë nga stafi mjekësor për të qenë i gatshëm kundër Cagliarit dhe për të siguruar objektivin.

Megjithatë, dështimi i projektit të klubit dhe mungesat e dukshme strukturore si edhe emocionale e skuadrës, e kanë lënduar në krenari. Njerëzit pranë tij tregojnë për një Modric të zhgënjyer dhe nervoz si rrallëherë në karrierë.

Edhe pse ai është ndër më pak përgjegjësit, kroati e ndjen mbi vete peshën e verdiktit të fushës dhe përballë heshtjes së klubit për rinovimin, duket se ka marrë tashmë vendimin; historia me Milanin ka mbërritur në fund.

Aktiviteti “Longevity Summit” në spitalin Galeazzi të Milanos, ku u mbulua nga dashuria e tifozëve kuqezi në kërkim të autografeve, pati shijen e hidhur të një lamtumire të detyruar. Një pritje madhështore për të përshëndetur një kampion të jashtëzakonshëm.

Botërori dhe më pas tërheqja

E ardhmja e fituesit të Topit të Artë duket tashmë e përcaktuar, edhe pse zyrtarizimi do të vijë vetëm pas disa javësh. Tani Modric do të marrë disa ditë pushim përpara se të zhytet në aventurën e Botërorit me Kroacinë e tij, që pritet të jetë “vallëzimi i fundit”.

Ofertat e pasura nga e gjithë bota, përfshirë ato arabe dhe amerikane, nuk e tërheqin. Synimi duket të jetë 'varja e këpucëve në gozhdë' menjëherë pas turneut botëror.

Florentino Perez thërret, gati një e ardhme 'Galaktike'

Për Lukën duket se po afrohet një rikthim në shtëpi, në Madrid, por në një rol krejtësisht të ri.

Sipas gazetës spanjolle AS, Florentino Perez i ka garantuar tashmë një të ardhme në strukturat drejtuese të Real Madridit dhe për kroatin parashikohen dy mundësi; një rol drejtues si drejtor sportiv ose këshilltar institucional i klubit, ose një rol në stafin teknik, në kontakt të ngushtë me sektorin sportiv që do të drejtohet nga Jose Mourinho.

Kjo mundësi e dytë, megjithatë, mbetet e lidhur me zgjedhjet presidenciale të Real Madridit, të planifikuara në mesin e qershorit, ku Florentino Perez shihet qartësisht favorit ndaj rivalit Riquelme.

Ndërsa Milani pyet veten si të rindërtojë skuadrën nga rrënojat, fati i Luka Modric po merr sërish ngjyrat 'e bardha', gati për t’u rikthyer te klubi që e bëri legjendë.