Serbët e veriut të Kosovës po e vazhdojnë ridizajnimin e barrikadës së deridjeshme në urën e Ibrit të përbërë prej gurësh e zhavorrit, në forma më të bukura - njëherë në “park paqeje” e më pas në shesh (natyrisht, me emrin e një prijësi serb nga mitomania kosovare serbe - Car Lazarit), pa u mërzitur se me këso truqesh në të vërtetë nuk mund ta fshehin esencën e qëllimit të saj - mbylljen e urës për qarkullim e me këtë, faktikisht shkëputjen e pjesës veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe nga tërësia e saj.

Dhe, po ashtu, pa u brengosur se nuk mund ta fshehin se kjo në të vërtetë s'është asgjë tjetër pos vazhdim i luftërave pushtuese të të nëntëdhjetave me mjete tjera - në mos për mbajtjen e Kosovës nën juridiksionin serb, atëherë së paku për shkëputjen e pjesës veriore të saj apo, fundja, në mos as kjo, atëherë së paku që shteti i ri të mbahet i penguar në konsolidimin e tij.

Se një luftë e tillë, me mjete tjera, vërtet është strategji edhe e Serbisë së sotme, nuk është vështirë të dëshmohet, derisa këtë e thonë qartas edhe opozitarë të vërtetë serbë.

Në shtypin liberal beogradas mund të lexohet se, pas 5 tetorit të vitit 2000, pasi që opozita e rrëzoi regjimin e Millosheviqit, Serbia këtë “luftë me mjete tjera” e ka vazhduar me një “strategji të gjerë” të “pengimit konstant të tentimit të konsolidimit të shteteve të krijuara në hapësirën e ish-Jugosllavisë; para së gjithash Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë e Kosovës”. Pasojë e kësaj është se “të gjitha këto vende janë në një lloj marrëdhëniesh problematike me Serbinë”.

Rasti i veriut të Kosovës, për fat të keq, është dëshmi se Serbia e ka vazhduar këtë strategji edhe pasi që ka fituar statusin e kandidatit dhe ka filluar negociatat për anëtarësim në BE.

Sigurisht, kjo nuk do të mundë të vazhdojë deri në pafundësi. Gjermania, e njohur për nga qëndrimi më i fortë i saj rreth normalizimit të gjendjes në Ballkan, prandaj edhe ndaj Serbisë rreth qasjes së saj ndaj Kosovës, duket se do të vazhdojë të kujdeset për këtë.

Së paku sipas shtypit beogradas, dy të dërguarit nga Bundestagu gjerman, Andreas Schockenhoff dhe Hans-Joachim Falenski, gjatë vizitës së tyre kësaj jave në Beograd, ua kanë bërë me dije zyrtarëve serbë se dy kapitujt e parë të bisedimeve për anëtarësim në BE nuk do të hapen, pos tjerash, gjithnjë deri sa të mos realizohet plotësisht marrëveshja e Brukselit si edhe se do të duhet të nënshkruhet një lloj marrëveshjeje për fqinjësi të mirë ndërmjet Serbisë e Kosovës.

Sipas burimeve të gazetës “Danas”, ata “kanë qenë shumë të ashpër” u kanë thënë bashkëbiseduesve të tyre se nuk do të ketë “blerje kohe” dhe “kanë treguar se Berlini atë që e thotë edhe e mendon, përkatësisht se nuk heq dorë nga kërkesat e tij.”

Në të vërtetë, mediet kosovare serbe kanë bërë të ditur edhe se punimet në sheshin e nisur nga serbët në Mitrovicë kanë ndaluar pas sinjaleve nga BE-ja, shkaku i bisedimeve të ndërprera të Brukselit dhe se nga rrjedha e tyre do të varet edhe se “në çfarë mënyre dhe kur do të vazhdojnë”.

Sigurisht falë rastit, tërë kjo po ndodh në një moment të rëndësishëm për Kosovën, derisa opozita më në fund u bashkua dhe ka gjasë që, në një rrjedhë fatlume të gjërave, në mënyrë bukur elegante ta heqë pushtetin i cili e ka kapur shtetin, duke mos lejuar njëkohësisht destabilizimin e vendit.

Natyrisht, është fjala për qëndrimin që do të merret rreth dialogut me Serbinë, i cili sigurisht se duhet të jetë parimor, por jo edhe të jetë aq i ngurtë, dhe të shërbejë si “mollë sherri” që opozita të përçahet dhe të mos e shfrytëzojë rastin, mbase të papërsëritshëm të saj.