Krahas zbatimit të masave kufizuese të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, policia e Vlorës ka vijuar punën për të vënë pas hekurave personat që kanë shkelur ligjin për vepra të tjera penale. Kështu, si rrjedhojë e operacionit "Lulet e Parnverës" është vënë në pranga 39-vjeçari me inicialet F. XH, i cili ka qenë në kërkim ndërkombëtar pasi gjykata e Leçes në Itali e ka shpallur fajtor për veprën penale "Trafikimi i lëndëve narkotike".

Njoftimi i policisë së Vlorës:

Vijon operacioni ndërkombëtar “Lulet e Pranverës”.

Kapet dhe ndalohet një prej të shpallurve në kërkim në kuadër të këtij operacioni.

Strukturat e Policisë Vlorë, krahas angazhimit maksimal për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, vijojnë punën për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave që qarkullojnë me armë dhe lëndë narkotike, si dhe atyre të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar.

Në këtë kuadër, në vijim të operacionit ndërkombëtar “Lulet e Pranverës”, të zhvilluar në shkurt të vitit 2019, Policia e Vlorës, në bashkëpunim më Interpol Tirana, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, ka organizuar punën dhe si rezultat është bërë kapja e shtetasit në kërkim ndërkombëtar:

• F. Xh., 39 vjeç, banues në Vlorë.

Gjykata e Lecce-s, Itali, ka lëshuar urdhër-arrestin për këtë shtetas, për kryerjen e veprës penale "Trafikimi i lëndëve narkotike", kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal për drogat, parashikuar nga Kodi Penal dhe Dekreti i Presidentit Italian.