Luljeta Lleshanaku, “Autori i vitit”
në Panairin e Tiranës

Luljeta Lleshanaku, “Autori i vitit”<br />në Panairin e Tiranës
TIRANE- Janë ndarë dje çmimet e Panarit të Librit, “Tirana 2013”. Në sallën ovale të Pallatit të Kongreseve, juria e këtij viti e përbërë nga Arta Marku, Dhurata Shehri, Fatos Baxhaku, Parid Teferiçi dhe Saverina Pasho kanë dhënë çmimet e Panairit të Librit. Ceremoninë e ka hapur Dhurata Shehri, e cila ka sqaruar edhe kriteret mbi të cilat janë vlerësuar veprat dhe prurjet e këtij viti.   “Kriteri i parë që duhej të plotësonin veprat e paraqitura ishte që këto libra të ishin botime të paraqitura në panairin e 16-të, pra të mos ishin vepra të pranishme në panairin e vitit të kaluar. Thënë ndryshe vepra të botuara nga dhjetori i vitit 2012 deri në momentin e hapjes së panairit të këtij viti. Librat janë paraqitur para jurisë që në qershor, 105 libra nga 27 shtëpi botuese.

Numri i shtëpive botuese, por edhe i autorëve është më i madh këtë vit”. Sipas Shehrit, shtëpitë botuese pjesëmarrëse në këtë panair nuk kanë paraqitur të gjitha libra para jurisë, por ndërkohë janë shtuar konkurrentë nga Kosova. “Një tjetër dukuri me të cilën jemi ndeshur është se numri i shtëpive botuese nga Kosova, të pranishme në konkurrim është gjithashtu më i madh sesa vitin e kaluar. Gjithashtu kam kënaqësi të them se, pas dy vjetësh mungesë, këtë vit rikthehet çmimi i librit më të mirë për fëmijë. Pra kemi prurje të mira në letërsinë për fëmijë”, tha Shehri. 

Pas këtij prezantimi, Arta Marku ka dorëzuar çmimin Autori i Vitit, i cili këtë vit i është dhënë Luljeta Lleshanakut për librin me poezi "Pothuajse dje", botuar nga “Ombra GVG”, me motivacionin “kuota e spikatur e bashkëkohësisë sjell dhe një ekuilibër të ri të forcave të saj shprehëse”.
“Dua të përmend disa tituj të tjerë si autorë potencialë për të fituar”, tha Arta Marku. “Përmend “Pelegrini i Kompostelës” i Dashnor Kokonozit,  Besnik Mustafaj me autoportret, Preç Zogaj me “Fundi, një fëmijëri tjetër” dhe Fatos Baxhaku me librin “Çadra e kuqe”.

Pas marrjes së çmimit shkrimtarja Luljeta Lleshanaku ka falënderuar jurinë dhe botuesin e Ombra GVG, Gëzim Tafën. “Një mirënjohje që i kapërcen ambiciet e mija personale”, ka thënë ajo. “Ata që shkruajnë poezi e dinë sesa e vështirë është të shkruash poezi. Me këtë libër jam marrë pothuajse 6 vjet”.
Më tej, Parid Teferiçi ka dhënë çmimin Përkthyesi i Vitit, Astrit Beqirajt, për përkthimin e veprës "Udhëtime me Herodotin" të Rishard Kapushcinskit, me motivacionin: “Për përkthimin e veprës "Udhëtime me Herodotin" të Rishard Kapushcinskit, duke na sjellë me koherencë dhe zhdërvjelltësi një autor të rëndësishëm të kohëve tona. Çmimin  për Veprën Studimore më të Mirë e ka dhënë Fatos Baxhaku. Ky çmim i është dhënë Sabri Hamitit për veprën “At Zef Pllumi”, botuar nga “Albas”. Motivacioni: Për librin studimor "Zef Pllumi", në të cilin rigoroziteti dhe eleganca shoqërojnë përkufizimin e një figure madhore, por 'sui generis', të letrave shqipe”.

“Ai jo vetëm që ka bërë një punë hulumtuese të madhe për një figurë madhore siç është At Zef Pllumi, por e ka sjellë si një figurë më të afërt me njerëzit, duke kryer edhe misionin që At Zefi na la”, u shpreh Baxhaku. Ndërsa kreu i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri i ka dhënë Gaqo Bushakës çmimin e Librit më të mirë për Fëmijë, për librin “Pas festës së abetares”. “Çmimi i vitit që kemi dhënë për letërsinë për fëmijë i jepet një emri shumë të njohur nga breza të tërë lexuesish”, tha Ymeri. “Është një emër emblematik, krijuesi i personazhit të njohur të Çufos me të cilin janë rritur shumë breza. Gaqo Bushaka ka një kontribut të jashtëzakonshëm në letërsinë shqipe dhe jetën kulturore në Shqipëri. Figura e tij modeste është e lidhur pashmangshmërisht me veprën e tij me kualitet të veçantë”. Motivacioni për Gaqo Bushakën ishte “Gaqo Bushakës, për librin për fëmijë "Pas festës së abetares", në të cilin aftësia argëtuese bashkohet me atë didaktike”.
 
Çmimi i veçantë i jepet pas vdekjes profesor Petrit Sinanit
 
Këtë vit shoqata e botuesve ka akorduar edhe një çmim të veçantë, atë të përkthyesit më të mirë të veprës së Albert Kamysë, meqë ky ishte edhe 100 vjetori i lindjes së shkrimtarit të madh. Ky çmim iu dha, pas vdekjes, profesor Petrit Sinanit për përkthimin “Miti i Sizifit”. Çmimi u dha me motivacionin: “Për përkthimin e veprës "Miti i Sizifit" të Albert Camus, duke na sjellë në një shqipe, sa besnike aq edhe dinjitoze, një prej kryeveprave të mendimit modern”, çmimin e ka tërhequr bashkëshortja e profesorit, e cila mes lotëve të mallëngjimit ka falënderuar jurinë.

“Petrit Sinanit diti me punën e vet ta bënte veten të pranishëm sot dhe në brezat që do vijnë duke na lënë pas një punë të shkëlqyer”, tha Saverina Pasho. “Çmimi jepet në kontekstin e 100 vjetorit e Albert Kamy, i cili është nga ata shkrimtarë që koha i jep të drejtë, një përcjellës i ideve të mëdha të demokracisë”.  Juria e Panairit të Librit ka dhënë sot edhe çmimin “In memoriam” zonjës Hida Halimi për romanin “Shpina”, botim i “OMbra GVG”, me motivacionin “kthjelltësia e rrëfimit "fsheh" dhe tiparet me origjinale të prozës së saj”.
 
Çmimet -Fituesit
“Autori i Vitit”, Luljeta Lleshanaku për librin me poezi "Pothuajse dje"
“Përkthyesi i Vitit”, Astrit Beqirajt, për përkthimin e veprës "Udhëtime me Herodotin" të Rishard Kapushcinskit,
“Vepra Studimore më e Mirë”, Sabri Hamiti për veprën “At Zef Pllumi”, botuar nga “Albas”.
 
 Shkrimi u publikua sot (17.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Lista e Shqipërisë për Europianin, a jeni dakord me zgjedhjet e Sylvinhos?



×

Lajmi i fundit

Tentuan të vrisnin Alfred Gjokën për 20 mijë euro, dhe dy policë,  Gjykata e Lezhës dënon me 118 vite burg 4 vrasësit me pagesë

Tentuan të vrisnin Alfred Gjokën për 20 mijë euro, dhe dy policë, Gjykata e Lezhës dënon me 118 vite burg 4 vrasësit me pagesë