Lulzim Peci: Kosova po shkon drejt një përplasjeje të madhe me ndërkombëtarët

Lulzim Peci: Kosova po shkon drejt një përplasjeje të madhe me ndërkombëtarët

Lulzim Peci, ish-diplomat

Ish-diplomati kosovar, Lulzim Peci, aktualisht drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), thotë se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës në veri të vendit, janë duke e thelluar çarjen mes Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, sepse ajo ka para vetes një partner “i cili është i paparashikueshëm”.

SHBA-ja dhe BE-ja e cilësuan mbylljen e Postës së Serbisë në veri, më 5 gusht, si “veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar”. Ky veprim i autoriteteve të Kosovës pasoi qëndrimin e QUINT-it dhe NATO-s që thanë se nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë, pasi kryeministri i Kosovës, ALbin Kurti, iu informoi për planin e hapjes së urës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Peci, bashkësia ndërkombëtare edhe një herë reagoi kundër, siç tha, veprimeve të pakoordinuara dhe të njëanshme të autoriteteve të Kosovës kur është fjala për veriun e vendit. E fundit është mbyllja e zyrave të Postës së Serbisë. Si i shihni ju këto reagime?

Lulzim Peci: Unë mendoj që këto reagime janë rrjedhojë e politikës së bashkësisë ndërkombëtare rreth veriut të Kosovës, ku KFOR-i edhe e ka përgjegjësinë më të lartë për sigurinë në këtë pjesë të vendit. Edhe për këtë arsye ata nuk dëshirojnë që të jenë të tejkaluar për veprime, të cilat merren nga Policia e Kosovës në veri të vendit, duke e pasur parasysh edhe përgjegjësinë e tyre, që e kanë meqenëse, mendimi im është që, ata nuk dëshirojnë të kurthohen në ndonjë tension ndëretnik apo diçka të ngjashme, pa qenë paraprakisht të njoftuar. Kjo sepse, nëse situata eskalon, atëherë është KFOR-i ai që duhet të intervenojë. Mendoj që kjo ka të bëjë me këtë, pra ka të bëjë jo ndoshta me veprimin, me mbylljen e zyrave të poste serbe në veri, sa ka të bëjë me qasjen e Qeverisë së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: A po thellohet çarja mes Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, meqenëse nuk është hera e parë që ndërkombëtarët po reagojnë në mënyrë të tillë? Para disa ditësh kishim edhe reagimin lidhur me hapjen e urës. Ka pasur reagime të fuqishme lidhur edhe me ndalimin e dinarit, mbylljen e institucioneve të ndryshme të Serbisë në Kosovë.

Lulzim Peci: Po, çarja është duke u thelluar, sepse partneriteti nuk mund të ndërtohet nëse nuk konsultohen palët, të cilat kanë përgjegjësi të sigurisë në veri të vendit. Edhe çarja, mendoj që tashmë është thelluar shumë, sepse bashkësia ndërkombëtare ka përpara një partner të vetin. Si e shikon ajo në këtë mënyrë një partner, i cili nuk është i parashikueshëm, dhe i cili ndërmerr veprime pa konsultime paraprake në këtë pjesë të vendit, duke i pasur parasysh përgjegjësitë në fushën e sigurisë. Pra, ta kemi parasysh se për çka jemi duke folur. Nuk jemi duke folur vetëm për zbatim të ligjit, po jemi duke folur edhe për implikimet e sigurisë në atë pjesë të vendit.

Radio Evropa e Lirë: Por, megjithatë autoritetet e Kosovës i arsyetojnë këto veprime të tyre në këto institucione, të cilat janë mbyllur, duke thënë se kanë punuar ilegalisht në Kosovë dhe thirren në ligjshmëri.

Lulzim Peci: Po, krejt në rregull, po e kemi ligjshmërinë edhe i kemi domethënë palët, të cilat kanë mandat të sigurisë në pjesën veriore të vendit. Edhe, kur vjen puna te zbatimi i ligjit, po krejt në rregull, nuk ka dyshim për atë, mirëpo kjo duhet të bëhet në konsultim edhe në koordinim me ata, të cilët kanë përgjegjësi të sigurisë në atë pjesë të vendit.

Mos të harrojmë që Kosova nuk e ka sovranitetin e plotë edhe derisa KFOR-i e ka këtë mandat, të cilin e ka sot, dihet se si janë gjërat. Edhe këtu qëndron problemi, nuk qëndron problemi te zbatimi i ligjit. Problemi qëndron në atë se a jemi partnerë të besueshëm apo jo? Këtu qëndron, këtu është çështja kyç e këtij problemi.

Radio Evropa e Lirë: Nga ana tjetër, edhe pse Bashkimi Evropian i ka vënë sanksione Kosovës, SHBA-ja, pos me deklarata, nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim sanksionues, a mund të pritet diçka që mund të vendosë SHBA-ja në këtë drejtim?

Lulzim Peci: Po sanksionimin më të madh që na e ka bërë SHBA-ja, është që Kosovës ia ka tërhequr përkrahjen që e ka pasur përpara. Sanksion më të madh nuk ka.

Radio Evropa e Lirë: Si mendoni, cilën përkrahje?

Lulzim Peci: Po shiko, Kosova më nuk e ka përkrahje në fushën ndërkombëtare, e cilën e ka pasur përpara prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kosova i është lënë vetvetes dhe ajo tani është vetëm duke u trajtuar në domenin e menaxhimit të konfliktit. Edhe asgjë më shumë.

Radio Evropa e Lirë: Nga është duke shkuar Kosova?

Lulzim Peci: Kosova është duke shkuar në drejtim të një përplasjeje të madhe me bashkësinë ndërkombëtare. Mirëpo, Kosova nuk ka kapacitet që ta dëmtojë bashkësinë ndërkombëtare. Mund ta dëmtojë vetëm vetveten./REL

 

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Jo vetëm Himara! Përsëritja e zgjedhjeve ‘tersi’ i opozitës! Thelloi humbjen edhe në Rrogozhinë e Kukës, s’mundi të mbante votat e 14 majit! PS rriti mbështetjen

Jo vetëm Himara! Përsëritja e zgjedhjeve ‘tersi’ i opozitës! Thelloi humbjen edhe në Rrogozhinë e Kukës, s’mundi të mbante votat e 14 majit! PS rriti mbështetjen