Lumi i Vlorës, një mundësi për zhvillimin e turizmit natyror gjithëvjeto

Projekti i pritshëm dhe i konfirmuar tashmë i ndërtimit të rrugës që lidh qytetin e Vlorës me zonën e Lumit të Vlorës, me financime të qeverisë shqiptare do të ridimensionojë tërësisht kapacitetet dhe pritshmëritë e perspektivën e kësaj hapësire, të lënë në harresë gjatë 20 viteve të fundit.

Vazhdimi i kësaj rruge përmes fshatit Kuç deri në bregdetin e Himarës, do të krijojë gjithashtu, sipas specialistëve, një raport tjetër me Rivierën dhe perspektivën e zhvillimit të turizmit.
Ky projekt, më i madhi i realizuar ndonjë herë në Lumin e Vlorës, që pritet të realizohet në një afat optimal,  krijon nga ana tjetër edhe hapësirat e nevojshme për shfrytëzimin e kapaciteteve turistike gjithëvjetore.
Këtë synon edhe realizimi i një studimi, me perspektivë të afërt shndërrimin në një projekt për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit, që do të financohet nga partnerë italianë.

Mirela Koçi, drejtore ekzekutive e Agjensisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, thotë për ATSH-në se, vlerat e Lumit të Vlorës, janë pjesë e këtij studimi, që pritet të konkretizohet në një të ardhme të afërt. Në prioritetet përkatëse të këtij projekti, përfshihet edhe zhvillimi i telefonisë fikse, internetit, etj, si dy elementë që janë të nevojshëm në standardet aktuale të turizmit gjithëvjetor. "Aktualisht, jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve për realizimin e këtij studimi", thotë Koçi, ndërkohë që shton se ai është edhe pjesë e prioriteteve të Këshillit të Qarkut për zhvillimin e turizmit.

Burime zyrtare të Këshillit të Qarkut, thonë për ATSH-në se, zhvillimi i turizmit në këtë zonë është një prioritet që gjen zbatim jo vetëm në Strategjinë e Zhvillimit të Qarkut, por edhe në projektet e pritshme.
Për këtë, në partneritet me qeverisjen qendrore dhe organizma të huaja, janë gati disa projekte që synojnë ridimensionimin e resurseve të kësaj krahine, në funksion të zhvillimit të turizmit. Këtu përfshihet mes të tjerash edhe projekti i Qeverisë Shqiptare për ndërtimin e rrugës që përshkon mespërmes këtë zonë, që vlerësohet në investimet e afërta.

Sipas Koçit, Lumi i Vlorës ka qenë objekt i aplikimit të një numri projektesh për zhvillimin e turizmit natyror. Ajo përmend atë të financimit të projektit të përshtatjes së strukturës turistike "Bend & Breakfast"(Fjetje dhe mëngjes),  në fshatin Vranisht, rreth 55 km në juglindje të Vlorës. Në kuadrin e këtij projekti, këtë zonë malore e kanë vizituar në stinën e vjeshtës dhe të dimrit dhjetra turistë të huaj, kryesisht francezë dhe italianë për periudha të ndryshme qëndrimi deri një javore.

Por, nuk është vetëm ky shembull. Bukuria natyrore, pyjet, malet, traditat në gatime dhe në veshje, përbëjnë ato vlera që kanë nisur të ngacmojnë kuriozitetin dhe vëmendjen e turistëve për zonën e Lumit të Vlorës. Mjaft të huaj, kanë mbërrritur dhe kanë kaluar në fshatrat e kësaj zone, ditë të këndshme, të mbushura me surpriza.

Për disa vite, çdo vjeshtë, dhjetra turistë italianë janë bërë protagonistë të një udhëtimi të paharruar me mushka që niste nga fshati Lapardha e përfundonte në bregdet, duke kaluar mespërmes për 5-6 ditë, të gjithë zonën deri tutje në Kuç, në atë që emërtohet Qafa e Dërrasës. Ose duke kaluar nga Vranishti për të dalë në Dhërmi. Hodoja, një nga shoqëruesit e këtyre udhëtimeve me mushkë tregon se për turistët italianë, Lumi i Vlorës është një zbulim i vërtetë. "Kalojmë në vende ku rrallë shkel këmba e njëriut", tregon ai, sipas të cilit në këtë rrugëtim turistët "shuajnë etjen në ujrat e burimeve, hanë mish qengji të pjekur e disa konsumojnë edhe raki të vërtetë, nga ajo që dinë ta ziejnë vetëm në këto anë".

Synimi është që këto shembuj të zhvillimit të turizmit gjithëvjetor të rigjallërohen dhe të shndërrohen në elementë efektivë të turizmit të qëndrueshëm.
Zona e Lumit të Vlorës, një pjesë e të cilës përfshihet në atë që njihet me emrin Krahina e Labërisë, është një nga hapësirat më me vlerë në rrethin jugor. Resurset natyrore dhe ato kulturore-arkeologjike, spikasin në këtë mjedis me emër, që përmbledh 58 fshatra me një popullsi prej rreth 50 mijë banorësh.

Kjo zonë nis me Kurveleshin e Poshtëm tek Buronjat dhe gryka e Kuçit dhe vazhdon deri në Myzeqenë e Vlorës, në një gjatësi të përgjithshme prej rreth 80 km dhe një sipërfaqe 332 km katrorë. Me ndarjen e deritanishme administrative, në Lumin e Vlorës përfshihen shtatë komuna, mes të cilave, Horë-Vranisht, Brataj, Kotë, Sevaster, Vllahinë, Shushicë, Armen, ndërkohë që sipas hartës së re, do të ketë një rikonceptim dhe reduktim tërësor të numrit të nësive të qeverisjes vendore që do të përfshihen në dy bashki./ATSH/

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Paralajmërime të reja për zjarre dhe ndërprerje të energjisë në Kaliforni