LUSHNJE - Dine Aliaj, ish-drejtori i OSHEE-së në Lushnje është arrestuar ditën e sotme nga ana e policisë, nën akuzën e “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, të energjisë elektrike.

Arrestimi i tij është bërë në bazë të ekzekutimit të urdhrit të lëshuar nga Prokuroria, ku nga hetimet e kryera rezulton se Aliaj gjatë ushtrimit të detyrës së tij si drejtues i filialit të OSHEE, ka vjedhur energjinë elektrike, e cila furnizonte shtëpinë dhe një lokal të madh në pronësi të tij.

Nga verifikimet e sahatëve për këto dy ambiente, të regjistruar në emër të tij, rezulton se vulat e aparatëve nuk janë të matrikuluar, gjë që sipas Prokurorisë krijon mundësinë për abuzime. Dyshimet e prokurorisë së Lushnjes mbështeten gjithashtu në vlerat e faturave të energjisë elektrike të shtëpisë dhe lokalit të këtij shtetasi.

Kjo pasi siç bëhet e ditur nga Prokuroria rezulton se, prej kohës kur Aliaj është emëruar drejtor i filialit të OSHEE në Lushnje, faturat e energjisë elektrike për shtëpinë dhe lokalin e tij, i cili ka një sipërfaqe të madhe, shënojnë ulje të ndjeshme në vlerë leku.

Madje jo vetëm kaq, por hetimet kanë zbuluar se, ka fatura të muajve të ndryshëm, në të cilat vlera që duhet të paguante ish-drejtori i OSHEE-së për lokalin, në të cilin kishte hapësirë për organizime festimesh, ishte 200 lekë të reja. Gjithashtu, disa muaj të tjerë, po për lokalin, shifrat e faturave arrinin në vlerën 2 mijë deri në 3 mijë lekë të reja, ndërkohë që nga ana e organit të akuzës dyshohet se shuma e konsumuar nga ky ambient privat është shumë herë më e lartë.

dine aliaj me logo
(Në foto: Ish-drejtori i OSHEE në Lushnje Dine Aliaj, tashmë i arrestuar)

Dine Aliaj, tashmë prej ditësh ishte vënë nën shënjestrën e akuzave të Partisë Demokratike, pasi sipas kësaj të fundit ai është debitor ndaj OSHEE-së në vlerën e 1.6 milionë lekëve. PD: Drejtori i OSHEE në Lushnje vjedh energjinë...por Rama e ka mik

Por nga ana e tij Aliaj në një bisedë telefonike me A1 Report, hodhi poshtë akuzat e PD duke shtuar se ai nuk është debitor, dhe për këtë ai ka kërkuar që të vërtetohet edhe në zyrat e kujdesit ndaj klientit. Akuzat e PD, drejtori i OSHEE Lushnje, Aliaj: Nuk jam debitor

Gjirthashtu lidhur me këto akuza ka reaguar edhe vetë OSHEE e cila deklaroi se Aliaj ishte shkarkuar nga kjo detyrë që në 21 nëntor të vitit 2014, duke bërë publike kështu edhe urdhrin e shkarkimit të tij nga detyra, si dhe nisjen e procedurave për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës.  OSHEE: Ja faktet e shkarkimit të Aliajt

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)