LUSHNJË - 15 familje rezidente të pallatit numër 70 në lagjen “Gafurr Muço” në qytetin e Lushnjës, janë të rrezikuara, teksa pallati rrezikon shembjen.
 
Shkak për këtë janë bërë punimet kryera në një banesë në katin e parë të këtij pallati.
 
Pronari i këtij apartamenti mori leje nga Bashkia për restaurimin e tij, por më pas ndryshoi projektin dhe nisi të bënte lokal duke shembur muret e brendshme dhe kolonat.
 
Pasojat e këtij veprimi u shfaqën ne apartamentet e tjera të pallatit, të cilat pësuan plasaritje dhe pamjet e fokusuara nga kamera e A1 Report flasin qartë për gjendjen e këtij pallati.
 
Ndërkohë lidhur me këtë situatë reagoi edhe kreu i inspektoratit ndërtimor pranë bashkisë Lushnjë, Flamur Peqini, i cili pohoi se është pezulluar leja e ndërtimit.
 
Policia ndërkohë ka shpallur në kërkim pronarin e apartamentit dhe inxhinierin që mori përsipër rikonstruksionin.


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)