Policia e Lushnjes ka arritur të ndalojë një ngjarje të mundshme kriminale të ndodhur ndërmjet shtetasit Luan Meta dhe shtetasve D.B dhe B.B, këta të fundit vëllezër.

Konflikti ka ndodhur për motive të dobëta ndërmjet shtetasit Luan Meta dhe shtetasve D.B dhe B.B pasi këta të fundit e kanë goditur duke pretenduar se shtetasi Luan Meta, i dëmtonte të mbjellat me bagëti.

Shërbimet policore, kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kapur në flagrancë shtetasin Luan Meta duke tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasit D.B dhe B.B.

Në këto kushte, nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Komisariatin e Policisë Lushnje, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit : Luan Meta, 41 vjeç, banues në lagjen "20 Tetori" Lushnje.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pushkë model 63 me fishekë në folenë e saj si dhe 35 cop fishekë.

Materialet do t'i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje për veprat penale "Vrasje e mbetur në tentativë" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak".

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com