Lutfi Hoxha, 60 vjet në skenë dhe
ekran, si i dha jetë mbi 100 roleve

Lutfi Hoxha, 60 vjet në skenë dhe<br />ekran, si i dha jetë mbi 100 roleve
Aktori 80-vjeçar nuk i ndahet teatrit, “shtëpisë së dytë” ...Treçerek shekulli jetë, nga të cilat në afro 60 vjet ai ka “bashkëjetuar” me 90 role në teatër dhe 17 të tjerë në kinematografi...

Artisti i Merituar Lutfi Hoxha është i vetmi nga aktorët themelues të teatrit “Aleksandër Moisiu” që nuk i ndahet skenës dhe ekranit.
Sot ai do të festojë mes miqve dhe bashkëqytetarëve të tij 80-vjetorin e lindjes. Megjithatë Luti, siç e thërrasin shokët vazhdon të jetë aktor aktiv në teatrin e Durrësit, të cilin e quan “shtëpia ime e dytë”. Treçerek shekulli jetë, nga të cilat në afro 60 vjet ai ka “bashkëjetuar” me 90 role në teatër dhe 17 të tjerë në kinematografi.

Lutfi Hoxha e ka sfiduar moshën vetëm përmes emocioneve të skenës. Ai është pjesmarrës në disa nga premierat e fundit të teatrit “Aleksandër Moisiu”, pikërisht aty ku hodhi hapat e parë të profesionit 61 vjet më parë.
Në vitin 2009, me premierën e filmit “Ne dhe Lenini” të regjisorit Saimir Kumbaro, ku luan rolin e një të moshuari në shtëpinë-azil Luti theu edhe një record tjetër si një nga aktorët me karrierë më të gjatë të kinemasë shqiptare, që nis me filmin “Detyrë e posaçme” në vitin 1956.

Karriera artistike, nga pantallonat e shkurtra te thinjat
Lutfi Hoxha ka ardhur në teatrin e Durrësit “me pantallona të shkurtra”. Ishte vetëm 18 vjeç, kur bashkë me disa nga artistët më të mirë amatorë të qytetit bregdetar më 11 janar të vitit 1953 i dhanë jetë teatrit më të ri dramatik në vend.

Lutfiu kishte intepretuar disa role në grupet amatore të kantierit detar, ndërsa ishte shquar më shumë si kërcimtar me grupin e pallatit të kulturës.
Regjisori Gjergj Vlashi thotë se Lutfi Hoxha ka realizuar figura të spikatura në dramaturgjinë kombëtare dhe në atë të huaj. Sipas Vlashit, Luti ka një mënyrë të thjeshtë dhe një stil vetjak për të bërë teatër pa qenë kurrë teatral dhe duke mbetur përherë i freskët pa e njohur fjalën “përsëritje”.

Rolet në pjesët “Votra e huaj” e Ndrek Lucës; “Bileta e llotarisë” e Dionis Bubanit; “Prindër edukatorë” e Spiro çomorës; “Martesa” e Gogolit; “I sëmuri imagjinar” i Molierit dhe te “Dredhitë e Skapenit” e bënë aktorin durrsak mjaft të dashur për spektatorin e teatrit. Pas filmit “Detyrë e posaçme” Lutfi Hoxha luan edhe në filmat “Thirrja”, “Shoku ynë Tili”, “Pylli i lirisë”, “Ilegalët”, “Dollia e dasmës sime”, “Nata e parë e lirisë”, Valsi”, për të mbërritur te filmi “Ne dhe Lenini”.

“Lutfi Hoxha ndonëse I ri në moshë është një nga aktorët më të vjetër në teatër-vlerëson Fadil Hasa, aktori i njohur i humorit. Gjatë viteve të punës ai ka qenë për mua pasqyrë e njeriut të mirë me zemër të madhe dhe një pedagog I mrekullueshëm në rrugën e mjeshtërisë së aktorit-nënvizon Hasa.

Rolet e karaktereve gjetën te Luti një interpret shumë të aftë, ndërsa kolegët e tij aktorë dhe regjisorë ndjeheshin mirë përkrah djaloshit, që do të thinjej në skenë. Komedia “Martesa” e Gogolit mbetet në repertorin e teatrit gati dy dhjetëvjaçarë radhazi dhe komedia ngjitet në skenë 270 herë, falë interpretit kryesor Nikolin Xhoja, por edhe falë mjeshtërisë së Lutfi Hoxhës në rolin e Stefanit dhe aktorëve të tjerë pjesmarrës Vangjel Heba, Vera e Spiro Urumi, Todi Thanasi, Teodor Rupi, etj.

“Lutfi Hoxha është aktori i shumë fytyrave dhe i shumë planeve-shprehet për të regjisori Haxhi Rama. Në qoftëse do të kishte një çmim për njëmijë fytyrat e aktorit, këtë çmim me siguri do ta kishte fituar Lutfi Hoxha”-shton ai. Mirush Kabashi, i cili ka punuar për 23 vjet radhazi në teatrin e Durrësit thotë se “Lutfi Hoxha është një ngjyrë e veçantë në trupën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Lutfi Hoxha ka lindur më 1 qershor. Njëlloj si fëmijët ai ka mbetur një natyrë e gëzuar, që i pëlqen të qëndrojë me shokë, miq dhe bashkëqytetarë, njëlloj siç i pëlqen të jetë në skenë mes kolegësh artistë dhe përballë spektatorëve që vazhdojnë ti falin duartrokitje të merituara. “I falem skenës, vendit ku u rrita dhe që nuk më le të plakem-thotë me emocion Lutfi Hoxha, Mjeshtri i Madh dhe Artisti i Merituar që nesër mbush 80 vjeç.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike