TIRANË - “Ballisti” ka vetëm një dëshirë: të mund të shoh ndeshjen e kombëtares sonë me Serbinë, edhe pse ndryshe nga planet e tij do duhet ta ndjekë nga qelia. 
“I lutem shtetit dhe policisë të më mundësojë një televizor ku të shoh ndeshjen”, - është kërkesa që Morina ka bërë përmes avokatit të tij i cili takoi të riun nga Kukësi këtë pasdite. 

Ismail Morina, i njohur ndryshe si “njeriu i dronit” pasi ngriti flamurin e Shqipërisë së Madhe në stadiumin e Partizanit në Beograd, u arrestua në orët e para të mëngjesit të së mërkurës për armëmbajtje pa leje. Tashmë ai ndodhet në dhomën e izolimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, pa asnjë shans për ta ndjekur ndeshjen e shumëpritur në stadiumin “Elbasan Arena”.

Morina u kap me një pistoletë Zastava në brez nga ku dyshohet se ka qëlluar njëherë, dhe një pistoletë TT në makinën e tij. Me ndryshimet në Kodin Penal ai rrezikon për akuzën e armëmbajtjes pa leje, nga 7-15 vjet burg.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja,com)