Lëvizja e Legalitetit zhvilloi në Lezhë një takim simbolik me mesazhin “Kthim te rrënjët”, duke reflektuar mbi vlerat që kanë formësuar identitetin kombëtar shqiptar, si besa dhe besnikëria ndaj atdheut.
Në këtë aktivitet, drejtuesit e lëvizjes vlerësuan familjet konservatore dhe personalitetet e Qarkut Lezhë, të cilat ndër vite kanë qenë të lidhura me Lëvizjen e Legalitetit dhe trashëgiminë mbretërore, duke ruajtur me dinjitet një trashëgimi politike, morale dhe kombëtare.Pjesë e kësaj veprimtarie ishte edhe Princ Leka II, i cili solli në vëmendje kontributin e të gjithë atyre që luftuan për lirinë e vendit tonë.
“Ne jemi këtu për të festuar 2 marsin, që mbetet pjesë e historisë së popullit shqiptar. Ne që jemi trashëgimtarët, nipër të Kastriotëve ndihemi krenarë për lirinë që kemi sot. Pa simbolin e familjes Kastrioti që ka qëndruar si kurorë mbi shqiponjën tonë, ne shqiptarët nuk do kishim pasur këtë liri, dashamirësi, dhe vullnet për të luftuar për lirinë tonë. Shumica e shqiptarëve po luftojnë për bukën e gojës dhe jo për ideale politike. Duhet të jemi të motivuar të kujtojmë luftëtarët që kanë luftuar për lirinë dhe pavarësinë. Ua dedikoj fjalimin tim heronjve të harruar e të pashpallur në shtetin modern shqiptar” tha në fjalën e tij Princ Leka II, pasardhës i familjes mbretërore.
Përfaqësues të familjeve konservatore dhe personalitete të Qarkut Lezhë u vlerësuan me dekorata mirënjohjeje, si shenjë respekti për kontributin dhe qëndrueshmërinë e tyre ndër vite.Ndërsa pas aktivitetit, Princ Leka së bashku me pjesëmarrësit, vizitoi memorialin e Gjergj Kastriotit dhe Obeliskun në qendër të qytetit, ku bënë homazhe në nder të 582-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës.
Komente











