Mësonjëtorja e parë
në 120 fotografi

Me rastin e 125 vjetorit të Mesonjëtores së parë shqipe të Korçës, botohet i pari album fotografik - një rrugëtim pamor me personazhet që mundësuan çeljen e shkollës së parë shqipe me 7 mars.
Me titullin "Mësonjëtorja e parë shqipe 1887-7 mars-2012", autori i këtij albumi është Niko Kotherja, i cili shpjegon edhe arsyet pse e realizoi këtë botim. "Duke ndjerë mungesën e një vëllimi, ku të përfshihej me dokumente pamore gjithë historia e Mësonjëtores së Parë Shqipe, u pa i nevojshëm angazhimi për ndërtimin e këtij albumi. Ideja për krijimin e një vëllimi të tillë ishte diskutuar që në përvjetorin e 120-të të Mësonjëtores", thotë Kotherja. Ai shpjegon se ky album përmban rreth 120 fotografi, në të cilat paraqiten pothuaj të gjithë personazhet që bënë të mundur çeljen e kësaj "Foleje Kombëtare". Ndihmëtarët dhe kontribuesit, drejtuesit dhe mësuesit patriotë të kësaj vatre të rëndësishme të emancipimit shoqëror, nxënësit e dalë nga bankat e shkollës së parë, të cilët u bënë veprimtarë të shquar të lëvizjes për çlirim kombëtar përcillen në pamjet e mëposhtme".
Sipas tij tekstet e përdorura nga nxënësit e Mësonjëtores janë një tjetër material interesant i paraqitur në këtë album. "Duke patur në dorë origjinalet e tyre, kemi risjellë pamjet e kopertinave shqipe të kohës", thotë autori i këtij botimi Niko Kotherja.
Albumi është plotësuar me të dhëna të shkurtra biografike për personazhet e paraqitur në fotografi, çka e bën më të lehtë njohjen e figurave të shquara të arsimit kombëtar dhe Mësonjëtores.
Një pjesë e mirë e materialeve fotografike të botuara publikohen për herë të parë, nxjerrë nga origjinalet e tyre ose nga procesi i zhvillimit të negativëve qindvjeçarë në metal, xham e pelikul.
Vëllimi ka një rëndësi të veçantë, pasi trajton një nga ngjarjet më kryesore të luftës për pavarësi, kulturë e dije në vitet e Rilindjes Kombëtare, promotori i së cilës ishte Naum Veqilharxhi. Çelja e Mësonjëtores së Parë Shqipe ishte një nga arritjet e mëdha të rilindasve e patriotëve tanë brenda e jashtë atdheut, rezultat i përpjekjeve dhe luftës së kolonive patriotike në Rumani, Egjipt, Bullgari, Turqi, etj. Mësonjëtorja ishte e para shkollë shqipe laike dhe demokratike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Ajo funksionoi mbi bazën e një programi me karakter të theksuar kombëtar, ku u mëkua dashuria për vendin, zakonet e gjuhën. Njëkohësisht, personeli arsimor i shkollës së Korçës hodhi bazat e një shoqërie moderne perëndimore, pasi mësuesit që dhanë mësim aty përfunduan studimet dhe u diplomuan në universitetet më të mirë të Evropës.
Albumi "Mësonjëtorja e parë shqipe 1887-7 mars-2012" u botua me financimin e Bashkisë Korçë, nën kujdesin e kryetarit të bashkisë Niko Peleshi.
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi urdhëron ekstradimin në SHBA të ish-bosit koreanojugor të kompanisë së kriptomonedhave

Mali i Zi urdhëron ekstradimin në SHBA të ish-bosit koreanojugor të kompanisë së kriptomonedhave